Bosnja duhet të jetë e lirë nga mbikëqyrja ndërkombëtare, ka thënë Rusia, pavarësisht shqetësimit për planet e serbëve të Bosnjës për t’u ndarë.
“Unë besoj se vendi [Bosnja] duhet të heqë dorë nga kjo mbikëqyrje mbytëse një herë e mirë. Ka ardhur koha që Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të bëhet një gjë e së kaluarës,” i tha EUobserver ambasadori rus në BE, Vladimir Chizhov.
“Unë nuk po them diçka si ‘ai [përfaqësuesi i lartë] duhet të përjashtohet menjëherë’, por ardhja drejt fundit e këtij institucioni duhet të konsiderohet përfundimisht,” shtoi Chizhov.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë u krijua në 1995 për të mbikëqyrur zbatimin marrëveshjes së paqes në Bosnje, ose siç njihet ndryshe, Marrëveshja e Dejtonit.
Ky post aktualisht mbahet nga Christian Schmidt, një politikan gjerman.
Por për Rusinë, Schmidt e mori punën në mënyrë të padrejtë, sepse fuqitë perëndimore nuk kishin arritur të merrnin bekimin e nevojshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për emërimin e tij.
“Është ky gjerman i ri, zoti Schmidt, i cili pretendon të jetë përfaqësuesi i lartë, por ne nuk e njohim si të tillë”, tha Chizhov.
“Nuk ka asgjë personale, ai mund të jetë një person i mirë dhe një politikan me përvojë, por ai nuk është përfaqësuesi i lartë,” shtoi Chizhov.
Ambasadori rus foli rreth planeve të Milorad Dodik, kreut të Republika Srpska, i cili planifikon që entiteti serb i Bosnjës të tërhiqet nga strukturat federale dhe të krijojë ushtrinë dhe shërbimin e vet të inteligjencës.
Nga ana e saj, Gjermania ka bërë thirrje për sanksione të BE-së si përpjekje për ta ndaluar atë që ta arrijë qëllimin e tij.
“Situata në Bosnje dhe Hercegovinë është shqetësuese, përpjekjet për t’u shkëputur janë të papranueshme. Për mua, kjo do të thotë se regjimi ekzistues i sanksioneve [BE] tani duhet të përdoret gjithashtu kundër zotit Dodik,” tha ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
BE ka frikë se shpërbërja e Bosnjës mund të çojë në një destabilitet të ri, rreth 20 vjet pas përfundimit të luftërave në Ballkanin Perëndimor.
Kur u pyet nëse Rusia mbështeti planin e ushtrisë serbe të Dodik, Chizhov tha: “Unë do të përshkruaj qëndrimin tonë duke theksuar nevojën për të shmangur hapat radikalë dhe kjo vlen për të gjithë”.
Por ambasadori rus gjithashtu minimizoi rëndësinë e veprimeve të Dodik.
Ai i vendosi ato në kontekstin e kundërshtimit të Rusisë ndaj anëtarësimit të mundshëm të ardhshëm të Bosnjës në NATO.
“Epo, unë jam i shqetësuar [për paqëndrueshmërinë e re] por jo për atë që po bën Milorad Dodik,” tha Chizhov.
“Rusia është po aq e shqetësuar me atë që po ndodh në Kosovë dhe rreth saj. Në Bosnje, të paktën nuk po luftojnë, ndërsa në Kosovë situata është vërtet e pasigurt,” shtoi ai, pas një shpërthimi të fundit të dhunës rreth enklavës etnike serbe të Kosovës. .
“Ka pasur përpjekje për të ndryshuar natyrën e ekuilibrit të Dejtonit, duke lëvizur drejt një strukture më të unifikuar të pushtetit shtetëror, që do t’i hapte rrugën Bosnjës për t’u bashkuar me NATO-n,” tha Chizhov.
“Por për momentin, ndodh që entiteti serb, Republika Srpska, të jetë kundër [Natos],” tha ai.
NATO dhe Bosnja kanë qenë në bisedime për anëtarësim që nga viti 2008, por pak ka ndodhur në këtë front kohët e fundit dhe pranimi i saj është një perspektivë e zbehtë për momentin.
Rusia prej të paktën dy vitesh kërkon shfuqizimin e përfaqësuesit të lartë boshnjak.
Ajo gjithashtu u përpoq dhe dështoi të ndalonte Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi që t’i bashkoheshin NATO-s, duke përfshirë nxitjen e protestave nacionaliste në Shkup dhe tentativës për grusht shteti në Podgoricë.
Armiqësia e saj e fundit ndaj Schmidt-it vjen mes përpjekjeve të dyfishuara për të rivendosur sferën e saj të ndikimit të epokës së Bashkimit Sovjetik në Evropën Lindore, duke përfshirë kërkesat që NATO-ja të heqë dorë nga premtimet që një ditë t’i lejojë Gjeorgjinë dhe Ukrainën t’i bashkohen.