Parlamenti Evropian ka kërkuar sanksionimin e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator nëse vërtetohet që është pas sulmit përmes një rezolute miratoi të enjten. Në rezolutë, Parlamenti Evropian dënon ashpër sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës nga “paraushtarakët e mirë organizuar serbë” ndërsa kritikon, siç thuhet, politikën e rrezikshme të Serbisë ndaj Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë.
Në rezolutë thuhet se sjellja agresive ushtarake, së bashku me mesazhet politike të radikalizuara në Serbi dhe sinjalet e forta të përfshirjes së shtetit serb në dhunën e fundit politike në veri të Kosovës, tregon se qeveria serbe po ndjek një politikë shumë të rrezikshme, por të vazhdueshme në lidhje me Kosovën dhe me partnerët perëndimor.
Deputetët evropianë po ashtu theksojnë se janë të shqetësuar nga provat që lidhin grupet e dhunshme kriminale në veri të Kosovës dhe në Serbi me shtetin serb.
Rezoluta që u miratua me ngritje dore, thekson se “deputetët evropianë po ndjekin nga afër hetimet e vazhdueshme nga autoritetet e Kosovës dhe i kërkojnë Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin, të cilët aktualisht janë duke banuar në Serbi, duke përfshirë lehtësimin e ekstradimit të tyre në Kosovë”.
“Nëse hetimi zbulon përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit serb në sulmet e 24 shtatorit, Komisioni Evropian duhet të ngrijë fondet për Serbinë nga Instrumenti i Ndihmës së Para anëtarësimit 3”, thuhet në rezolutë ndërsa i bëhet thirrje Këshillit të miratojë masa kufizuese të synuara, duke përfshirë por pa u kufizuar në ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e udhëtimit ndaj aktorëve destabilizues në veri të Kosovës dhe udhëheqësve të rrjeteve kryesore të krimit të organizuar.
“Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Millan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë.
Rezoluta i bën thirrje Komisionit Evropian që të veprojë si ndërmjetës i ndershëm në procesin e normalizimit, të shmangë zbutjen ndaj Serbisë, dhe të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Parlamenti Evropian i bën thirrje Serbisë dhe Kosovës që të denoncojnë të gjitha format e dhunës dhe aktet e provokimit, duke u kërkuar që të ndalojnë çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej tensionet dhe të punojnë në mënyrë aktive drejt një zgjidhjeje paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
PE-ja, përmes kësaj rezolute, po ashtu dënon edhe rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës dhe kërkon nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen.
Po ashtu, kritikohet edhe ajo që cilësohet si gjuhë e ashpër nxitëse që përdoret në Serbi për Kosovën dhe shqiptarët, që sipas eurodeputetëve nxit tensionet.
“Bëhet ftesë për autoritetet në Serbi dhe mediat që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes ndaj Kosovës dhe nga përhapja e gënjeshtrave për ‘spastrim etnik’ apo ‘pogrom’ në Kosovë, për çka nuk ka dëshmi”, thuhet në rezolutë./The Geopost/

Azerbajxhani proteston ndaj Rusisë pasi ambasada në Kiev u dëmtua nga sulmi me raketa ruse
Japonia i kërkon Kinës të zvogëlojë reagimin në debatin për Tajvanin
Kallas konfirmon se BE po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë
Gjermania miraton planin e ri të shërbimit ushtarak për të rritur numrin e trupave
Një kompani kineze e sanksionuar nga SHBA-ja në garë për ndërtimin e autostradës së Malit të Zi
Rruga e Ballkanit Perëndimor – Rrugë e re për migrantët kinezë drejt perëndimit