Me zgjedhjen e qeverisë së re të pakicës në Mal të Zi, të zgjedhur më 28 mars 2022, Fronti Demokratik, pra partitë me orientim pro-serb dhe prorus, që përbëjnë aleancën, por edhe demokratët, janë sërish në opozitë. Sundimi i tyre nuk zgjati shumë (rreth një vit e gjysmë), por mjaftueshëm që me punën, ose papunën e tyre të ndalin procesin e integrimit evropian. Edhe pse me zë të lartë në mbështetje të Rusisë, ata nuk mundën të ndikojnë në qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Malit të Zi, e cila si kandidate dhe ndoshta anëtare e ardhshme e BE-së, mbështeti të gjitha sanksionet që BE-ja vendosi ndaj Rusisë.
Partitë, të cilat deri vonë kanë formuar shumicën parlamentare, i kanë shkaktuar shumë dëme Malit të Zi edhe në nivel të brendshëm. Kishte njëfarë “pushtimi” të institucioneve në aspektin e vlerave dhe atë identitar, gjegjësisht imponim të “serbëve” dhe mohim të “malazezëve”. Të gjitha me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, e cila në fakt emëroi ish-kryeministrin Zdravko Krivokapiq dhe ai zgjodhi 12 ministra, ose siç i quajti, 12 “apostuj”.
Lëvizja qytetare URA, e udhëhequr nga kryeministri aktual Dritan Abazoviq, mbështeti dhe ishte pjesë e një qeverie të tillë, vetëm për të “shfuqizuar qeverisjen 30-vjeçare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe Milo Gjukanoviqit”.
Megjithatë, të gjitha “deri në një moment të caktuar”. Dhe kur erdhi momenti për “t’i thirrur mendjes”, URA anuloi mbështetjen e saj për qeverinë në të cilën mori pjesë.
Presidenti Gjukanoviq i dha mandatin Dritan Abazoviqit për të formuar një qeveri të re të pakicës, të mbështetur nga DPS, e cila përfshin: URA-n, Partinë Popullore Socialiste pro-Serbe, Partinë Socialdemokrate dhe partitë e popujve pakicë të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Partia Demokratike e Socialistëve nuk është pjesë e Qeverisë, por duke qenë se është partia më e fortë në parlament me 29 deputetë, do të ndikojë në punën e qeverisë dhe vendimet që do të merren si nga qeveria ashtu edhe nga parlamenti. Pra, ka vlerësime se ky është një hap drejt rikthimit të PDS-së në pushtet.
Duhet theksuar se dy ministri shumë të rëndësishme: Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Punëve të Jashtme mbulohen nga Rashko Konjeviq dhe Ranko Krivokapiq nga Partia Socialdemokrate sovraniste dhe euroatlantike, e cila ishte në pushtet me PSD-në.
Qeveria aktuale e pakicës e kryeministrit Dritan Abazovic është jetëshkurtër. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë shmangur momentalisht dhe duhet të garantohet stabilizimi i pozicionit të Malit të Zi në skenën ndërkombëtare dhe se fuqia reale politike është në duart e atyre që nuk kanë asnjë dyshim se janë në krah të integrimit në BE dhe NATO, ku Mali i Zi është vend anëtarë, e jo Rusia, të cilën e aspironte qeveria e Zdravko Krivokapiqit dhe deputetët që e mbështetën atë qeveri dhe që e perceptuan Malin e Zi si të natyrshëm të Serbisë dhe Rusisë dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Savo Kentera vjen në krye të ASK-së?
Presidenti i Aleancës Atlantike të Malit të Zi, Savo Kentera, është kandidat për drejtor të ri të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK), raportojnë mediat malazeze.
Kentera do të zëvendësonte drejtorin aktual të ASK-së, Dejan Vukshiqin, mjaft i lidhur me Kishën Ortodokse Serbe dhe i cili shoqërohet me polemika të shumta lidhur me ngjarjet para dhe gjatë kurorëzimit të Mitropolitit Joanikije në Cetinje, në shtator të vitit të kaluar. Në atë kohë, Mitropoliti Joanikije dhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije u sollën në Cetinje me helikopter ushtarak, sepse qytetarët kishin bllokuar rrugën.
Savo Kentera është president i Aleancës Atlantike të Malit të Zi, një grup think tank politik, me qendër në Podgoricë, Mali i Zi, dhe nënkryetar i Organizatës Botërore të Kartës së Atlantikut.
Fushat e tij, sipas biografisë së tij, përfshijnë ekspertizën në marrëdhëniet ndërkombëtare, politikën dhe qeverisjen e inteligjencës, çështjet e sigurisë që prekin komunitetin e inteligjencës, studime të tjera të sigurisë dhe terrorizmin. Para se t’i bashkohej Aleancës Atlantike, ai ishte drejtor i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Malit të Zi./The Geopost