
Pas skanimit që i kishte bërë Departamenti Amerikan i Thesarit, veprimtarisë së shefit aktual të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vullin, gjatë muajt rrjedhës ai u shpall non-grata për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Thesarit, Vullin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”. Me tu bërë aktualisht zyrtari më i lartë i Serbisë që është sanksionuar nga ShBA, presidenti Aleksandër Vuçiq i Serbisë menjëherë filloi bullizimin e ofendimin ndaj Shtëpisë së Bardhë.
Këtë praktik të ofendimeve e bullizimeve të presidentit Aleksandër Vuçiq ndaj euro-amerikanëve e njohin gjithë përcjellësit e jetës së tij politike, mirëpo euro-amerikanët e vendosur përmes ambasadave të tyre në kryeqendrën serbe, sikur e heshtin duke provuar të mos i dhënë peshën e duhur! Ndoshta në emër të diçkaje më të madhe diplomatike, mirëpo nuk duket se po jep efekte pozitive kjo përqasje. Presidenti Vuçiq pas vendosjes së sanksioneve amerikane ndaj shefit të BIA-së, Vullin, kishte thënë se “nuk shoh të jetë gjetur kokainë në zyrën e Vullinit por në kabinetin e Shtëpisë së Bardh”. Në reagimin e Vuçiqit aspak nuk ishte fshehur arsyeja tjetër, pra fakti që Vullin është një pro-rus i thekur me traditë disa dekadëshe të bashkëpunimit e bashkërendimit me Federatën Ruse. “Kundër Vullinit nuk janë vendosur sanksionet për shkak të kriminalitetit, por për shkak të raporteve të tij me Rusinë”, kishte thënë presidenti Vuçiq. Të nesërmen, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ishte takuar me ambasadorin e Federatës Ruse në Serbi, Aleksandër Bocan-Harçenko, por jo edhe me ambasadorin amerikan në Beograd, Chris Hill.
Revista kroate “Nacional” në një artikull të saj, kushtuar vizitës së ish-Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vullin, pikës kufitare mes Serbisë e Hungarisë dhe takimit të tij nderues nga policia hungareze, e përshkruan kështu reagimin e qenit të stërvitur kur ndjen edhe gjurmën më të vogël të drogës. “Të gjithë policët hungarezë shtrënguan duart me mysafirin e shquar nga Serbia fqinje dhe mike, me përjashtim të njërit – një qen të stërvitur për zbulimin e lëndëve narkotike, i cili u nervozua, kërceu në të katër këmbët dhe filloi të leh ndaj Vullinit. Të pranishmit qeshën me sjelljen e një kafshe të stërvitur për të reaguar ashtu kur ndjen edhe gjurmën më të vogël të drogës”.
Vullin në karrierën e tij, është i njohur për rajonin e Ballkanit Perëndimor veç si lidhje e fortë pro-ruse në Serbi edhe si një racistë e fashist i regjur. Republika e Kroacisë derisa Vullin ishte Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, e kishte shpallur persona non-grata, për pasoj lëvizjet e tij në territorin e Republikës së Kroacisë ishin të palejuara. Këtë praktikë të Kroacisë, sidomos pas sanksioneve amerikane do të duhej ta ndiqnin edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian.
Nuk është rasti i vetëm ky me Vullinin që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq të ofendoj e bullizojë euro-amerikanët në format më të drejtpërdrejta dhe prapë se prapë të pritet se i njëjti do të dal nga gëzhoja e tij serbo-ruse ortodokse. Ambasadorët e Quintit në Serbi ishin ofenduar nga presidenti serb në mënyrën më të drejtpërdrejt. Vuçiq në prill të vitit rrjedhës, u kishte thënë se “të gjithë ata janë gënjeshtar”, ndërsa për protestat që po zhvillohen kundër dhunës prej disa kohësh në Serbi, presidenti Vuçiq kishte shpifur kundër perëndimorëve, duke i akuzuar si organizatorët e investuesit kryesor të këtyre protestave.
“Perëndimi është gjerësisht përgjegjës për shkaktimin e problemeve në Serbi, sepse vendi ynë ka refuzuar t’iu dorëzojë atyre Kosovën në pjatë. Sot mora informacion nga shërbimet informative motra nga Lindja, (Rusia), që më thanë se këto janë përpjekje të Perëndimit për “revolucion me ngjyrë” në Serbi”, kishte deklaruar ai.
Të gjitha përpjekjet ndërkombëtare për t’i heshtur politikat anti-perëndimore dhe shumë pro-ruse të Serbisë, me shpresën që do të ndryshohet kursi politik i saj, janë humbje kohe dhe de-stabilizim për Ballkanin Perëndimor./TheGeopost