Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq bashkë me Patriarkun Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe të enjten kanë shkuar në Bosnjë e Hercegovinë për ta mbështetur presidentin e Republikës Srpska Milorad Dodik, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas takimit që patën në manastirin e Osovicës, Vuçiq për RTS tha se Serbia nuk do të heqë dorë nga mbështetja për krerët e Republikës Srpska pavarësisht se janë të sanksionuar. Ai tha se këtë nuk do ta bëjë pavarësisht se cila forcë e kërkon duke iu referuar SHBA-së dhe BE-së.
Vuçiq u viktimizua se serbët po sanksionohet pa i përmendur veprimet e Dodikut për prishjen e marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë e Hercegovinë dhe aferave korruptive ku është i përfshirë ai.
“Që kur amerikanët vendosën sanksione ndaj të gjithë udhëheqjes së Republikës Srpska dhe vendosën sanksione kundër popullit tonë në Kosovë, vendosën sanksione kundër kreut të Agjencisë për Siguri dhe Informacion në Serbi. Gjërat po ndërlikohen. Këto nuk janë gjëra të thjeshta për ne, janë të komplikuara jo vetëm në kuptimin politik, por edhe në atë ekonomik”, tha Vuçiq.
Dodik më herët ka bërë publike planet e tij për destabilizimin e rajonit. Ai kishte kërcënuar me ndarjen e Republikës Sërpska, ndërsa së fundi ka refuzuar t’i pranojë vendimet e marra nga, siç thotë Dodik, “përfaqësuesi i lartë i rremë” Christian Schmidt.
Për këtë ai është në listën e zezë të SHBA-së.
Veprimet e nacionalistit serb Milorad Dodik kërcënojnë stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të të gjithë rajonit, thoshte Ministria e Financave e SHBA-së.
“Aktivitetet destabilizuese korruptive të Milorad Dodik dhe përpjekjet për të çmontuar Marrëveshjet e Paqes të arritur në Dejton të SHBA, të motivuara nga interesi i tij vetjak, kërcënojnë stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të të gjithë rajonit”, kishte thënë Ministria e SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Sërpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995.
Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviq dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Sërpska, Millosh Bukejlloviq.
Thesari tha se zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Megjithë këto zhvillime, Vuçiq nuk e pati problem të shkojë në Bosnjë për ta nxitur Dodikun në veprimet antiperëndimore dhe antidemokratike.
“Duhet të mbështesim njëri-tjetrin dhe do të vazhdojmë me projektet”, tha Vuçiq pas takimit që pati në Bosnjë./The Geopost/