Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti të hënën se Serbia me politikat e saj është duke e
destabliziuar rajonin. Gjatë një konference për media të zhvilluar pas takimit që pati në Prishtinë
me presidentin slloven, Borut Pahor, Osmani tha se përkundër qëndrimit të Beogradit, Kosova
është e interesuar për zgjidhje konstruktive të problemeve.
“Kosova ka qenë pala konstruktive në dialogun me Serbinë, por Serbia nuk është e interesuar të
arrijë marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Andaj vetëm njohja reciproke duhet të jetë në
qendër të këtij procesi. Fqinji ynë nuk e dëshiron një paqe në Ballkanin Perëndimor. Për këtë
shpresoj që BE-ja të jetë e qartë me Serbinë. Serbia po vazhdon edhe përmes strukturave ilegale
në veri të destabilizojë Kosovën”, tha Osmani.
Për më tepër, Osmani theksoi se ndikimi rus paraqet një tjetër kërcënim për destabilizim të
rajonit.
“Për t’u luftuar këto tendenca destabilizuese, kemi nevojë për përkrahje të miqve tanë, kemi
nevojë për përkrahje të Sllovenisë”, tha Osmani. Sipas saj, Kosova nuk ka rrugë tjetër përpos
integrimit euro-atlantik. Ajo përmendi se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave,
por Bashkimi Evropian është vonuar me këtë për Kosovën andaj kjo e dëmton kredibilitetin e
BE-së.
Për vizat foli edhe Pahor, shteti i të cilit kryeson me presidencën e BE-së. Presidenti slloven u
pajtua që BE-ja duhet t’i liberalizojë vizat për Kosovën. Ndërkaq duke folur për dialogun me
Serbinë, Pahor tha se palët duhet të lëvizin përpara.
“Sllovenia e mbështet edhe perspektivën euroatlantike të Kosovës. Duhet të tejkalohen
mosmarrëveshjet në dialog dhe të ndikojmë në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Pahor ishte për vizitë njëditore në Prishtinë, me ç’rast u takua edhe kryeministrin e Kosovës,
Albin Kurti.
Ai arriti në Prishtinë pas vizitës në Beograd, ku porositi se marrëveshjet e arritura në Bruksel në
kuadër të dialogut mes Prishtinës e Beogradit duhet të zbatohen. Ai tha se “procesi i përfshirjes
së rajonit në BE është shumë i ngadaltë, dhe se kjo ngecje po riforcon politikat e nacionalizmit
dhe ndryshimet kufitare, të cilat janë të rrezikshme për paqen dhe sigurinë”.