Provokimi, ndoshta një sulm i rremë ndaj pro-rusëve në Donbas, i sajuar nga shërbimet e Moskës për të pasur një pretekst, më pas ofensiva për t’iu kundërpërgjigjur.
Këto janë planet e Kremlinit për të pushtuar Ukrainën, të kuptuara së fundi nga inteligjenca perëndimore.
Presidenti amerikan Joe Biden gjatë bisedës së fundit me telefon ia ka bërë të ditur homologut rus Vladimir Putin se duhet të ndaloj, përndryshe aleatët janë të bashkuar në vendosmërinë e tyre për ta bërë Rusinë të paguajë çmimin më të lartë që ka ndodhur deri më sot.
Sipas burimeve të shërbimeve të fshehta, përshkallëzimi ushtarak rus në ditët e fundit ka qenë shumë intensiv. Përpara kufijve të Ukrainës, përgjatë gjithë vijës që rrethon vendin nga Bjellorusia deri në Krime, aktualisht janë të vendosura 95 batalione. 30 prej tyre janë vendosur në mënyrë të përhershme në këto rajone, 17 të tjera pritet të mbërrijnë së shpejti, duke e çuar totalin në 120 batalione, që Putini e konsideron pragun kritik të nevojshëm për të nisur sulmin.
E gjithë kjo tashmë është provuar nga fotot satelitore, por arma që kanë shtënë në dorë shërbimet perëndimore është përgjimi i bisedave mes gjeneralëve rusë, ku vihen re detajet e planit.
Mediet amerikane nuk e përjashtojnë mundësinë që është një dezinformim i përhapur qëllimisht nga Kremlini për të ngatërruar kundërshtarët, por askush nuk dyshon se komunikimet kanë ndodhur dhe janë regjistruar.
Hapi i parë mendohet të jetë një operacion “fals” kundër filorusëve në Donbas, inskenuar dhe zbatuar nga shërbimet e fshehta të Moskës, për të ndërtuar pretekstin.
Me t’u sajuar justifikimi, sulmi do të nisë brenda javës, ndoshta nga veriu duke përfituar nga stërvitjet që po zhvillohen në Bjellorusi, midis dy skenarëve.
I pari, që konsiderohet më i mundshmi, është “toka e djegur”: një demonstrim i forcës dërrmuese ushtarake, i kryer në një format hibrid, i cili do të shkaktonte dëme shkatërruese deri në portat e Kievit, por më pas do të pasohej nga tërheqja e menjëhershme e trupave brenda kufijve rusë.
Skenari i dytë, do të ishte marshimi drejt Kievit, për të instaluar një qeveri kukull ruse.
Ekziston edhe një hipotezë e tretë, ajo e incidentit në qiejt e Lituanisë, përkatësisht një shkelje e hapësirës ajrore ndaj së cilës NATO do të detyrohej t’i përgjigjej. Mirëpo, inteligjenca e konsideron atë si skenarin që do të kishte pasoja katastrofike, e që mund të shkaktonte një luftë botërore.
Zyrtarisht Kievi fton të shmangen këtë skenare, por në realitet i frikësohet pushtimit dhe po shqyrton lëshimet për zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut.
Sesioni i dytë i takimeve me formatin e Normandisë, i cili u zhvillua në Berlin më 10 shkurt, nuk dha rezultate dhe Moska kërkoi që diskutimi të rifillonte në Grupin e Kontaktit Trepalësh, i cili përfshin Rusinë, Ukrainën dhe OSBE-në. Putini mund të tërhiqej vetëm nëse merr diçka shumë domethënëse nga negociatat, përndryshe do t’i duhet t’i japë shfryrje aparatit ushtarak, duke u paraqitur si i sulmuar dhe duke shmangur akuzën e ndryshimit të kufijve me dhunë.
Ndërkohë, më 9 shkurt Këshilli Atlantik miratoi përgjigjet parandaluese, duke vendosur instalimin në Hungari të 4 batalioneve të Forcës së Reagimit të Shpejtë.
Biseda e fundit Biden-Putin, kishte një karakter përfundimtar, për ta paralajmëruar këtë të fundit se Perëndimi nuk bën bllof dhe për ta bindur të ndalojë nëpërmjet një rruge diplomatike. /The Geopost/