
Pas një qëndrimi 6-mujor në Gjermani për shërim nga helmimi me Novichok, udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny më 17 janar 2021 arrestohet nga autoritetet në Aeroportin e Sheremetyevos të Moskës.
Autoriteti rus i Burgjeve (FSIN) pati kërkuar që Navalny duhet të zëvendësojë dënimin me kusht në çështjen Yves Rocher me burgim efektiv.
“Vladimir Putin është aq i tërbuar pasi i mbijetova helmimit nga ana e tij, sa që urdhëroi FSIN të shkonte në gjykatë dhe të kërkonte që dënimi im me kusht të ndryshohej në një dënim efektiv. Pavarësisht nga fakti se dënimi im me kusht ka përfunduar më 30 dhjetor [2020]”, pati deklaruar Navalny.
Ashtu edhe siç pritej, një gjykatë në Moskë në muajin shkurt 2021, ka dënuar kritikun e Kremlinit me tre vjet e gjysmë për shkeljen e dënimit të pretenduar me kusht.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kishte bërë thirrje për lirim “të menjëhershëm” të politikanit opozitar rus, kërkesë që është refuzuar shpejt nga Qeveria ruse.
Arrestimi i tij kishte bërë që shumë pjesëtarë të opozitës kishin dal në rrugët e qyteteve kryesore të Rusisë për të protestuar për lirimin e Navalnyt. Mirëpo, autoritetet ruse, për ta shtypur këtë protesët, patën arrestuar mijëra përkrahës të tij. Arrestime kishte pasur edhe nga bashkëpunëtorët, duke përfshirë avokatën Lyubov Sobol dhe vëllaun e tij, Oleg Navalny.
Edhe dy bashkëpunëtorë të Navalnyt – Leonid Volkov dhe Ivan Zhdanov – janë shtuar në listën ruse të “ekstremistëve dhe terroristëve” dhe pronat e tyre janë bllokuar.
Helmimi i Navalnyt
Më 20 gusht 2020, deri sa po kthehej nga qyteti Tomsk i rajonit të Siberisë për në Moskë, Navalny kishte filluar të ndihej i sëmurë.
Aeroplani, me të cilin ai fluturoi u ul me urgjencë në Omsk, pasi ai papritmas filloi të ndihej keq, pasi piu një filxhan çaj. Edhe pse ishte trajtuar në një spital të qytetit Omsk, autoritetet ruse kishin thënë se nuk është gjetur helm në trupin e politikanit opozitar.
Menjëherë pas kësaj, aktivistët në Gjermani kanë dërguar një aeroplan për ta sjellë Navalnyn në Berlin, në mënyrë që të merr një trajtim më të mirë.
Mjekët gjermanë evakuuan 45-vjeçarin, me kërkesën e gruas së tij dhe aleatëve, të cilët pohuan se kanë frikë që autoritetet ruse mund të fshehin të dhëna se si u sëmur.
Në rastin e Navalnyt, Bashkimi Evropian kishte rritur presionin ndaj Rusisë.
I ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme, Joseph Borrell ishte shprehur se, “presim nga Moska që të zbardhë rastin pa vonesë. Populli rus, por edhe bashkësia ndërkombëtare kërkojnë që të dinë arsyet. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë”.
Po ashtu, ministrat e Jashtëm të G7-së kanë dënuar helmimin e kritikut të presidentit rus Vladimir Putin.
“Ne, ministrat e Jashtëm të G7-së: të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, jemi të bashkuar në dënimin, në termat më të fortë të mundshëm, të helmimit të konfirmuar të Alexei Navalny”, thuhej në deklaratën e ministrave të Jashtëm të G7-së.
Helmimin e Navalnyt me Novichok ishte konfirmuar edhe nga dy laboratorë, njëri në Francë dhe tjetri në Suedi, se agjenti nervor sovjetik ishte përdorur për të helmuar liderin rus të opozitës.
Edhe nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) ishte konfirmuar se Navalny ishte helmuar me Novichok.
“Substancat në gjakun e tij si dhe në urinë, kishin shfaqur karakteristika të ngjashme strukturore si kimikatet toksike që i përkisnin grupit Novichok”, kishte njoftuar OPCW.
Një hulumtim i përbashkët midis Bellingcat, The Insider, Der Spiegel dhe CNN ka zbuluar të dhëna që implikojnë Shërbimin Federal të Sigurisë të Rusisë (FSB) në helmimin e politikanit Navalny.
Helmimi që ndodhi në muajin gusht 2020, duket se ka ndodhur pas viteve të mbikëqyrjes, i cili filloi në vitin 2017 menjëherë pasi Navalny njoftoi për herë të parë qëllimin e tij për të kandiduar për president të Rusisë.
Hulumtimi ka identifikuar të paktën 15 operativë që duket se punojnë brenda kësaj nën-njësie klandestine të Institutit të Kriminalistikës dhe Helmet në FSB. Të paktën tetë prej tyre ishin në kontakt të ngushtë në faza të ndryshme të operacioneve, të cilët udhëtuan së bashku me Navalnyn në Novosibirsk dhe më pas e ndoqën atë në qytetin e Tomskit ku u helmua përfundimisht.
Pas këtij skandali, Navalny kishte publikuar detajet e operacionit për tentim-vrasjen e tij nga FSB-ja ruse.
Navalny pati treguar se ka mashtruar një nga oficerët e FSB-së duke, për të përshkruar detajet e operacionit. Ai identifikoi Konstantin Kudryavtsevin, si një nga agjentët e dyshuar nga Instituti i Kriminalistikës dhe Helmeve të FSB-së.
Në një kohë kur sondazhet publike treguan një rënie të mbështetjes për partitë pro presidentit Putin, përpara zgjedhjeve të mbajtura në shtator 2021, Kremlini kishte nisur të zbatojë një strategji të re fushate “pastrimin e terrenit” nga sfiduesit e mundshëm.
Pas arrestimit dhe dënimit të Navalnyt, Moska ka rritur presionin ndaj kundërshtarëve të tjerë të mundshëm, realë apo të perceptuar.
Pallati “sekret” i Putinit
Gjatë qëndrimit të tij në paraburgim, ekipi i Fondcionit Kundëkorrupsion (FBK) që ishte themeluar nga Navalny ka zbuluar të dhëna për një pronë mjaft luksoze në bregdetin e Detit të Zi të Rusisë, që përdoret si “pallat” personal nga Vladimir Putin.
Sipas Navalnyt, kjo ndërtesë dhe toka përreth saj janë të regjistruara në pronësi të FSB-së ruse, që pretendon se e përdor këtë pronë për “aktivitete kërkimore dhe edukuese”.
Hulumtimi mbi pallatin në vlerë prej 1.3 miliardë dollarësh të Putinit ishte videoja më e popullarizuar në YouTube për vitin 2021 në Rusi.
Sipas platformës, kjo video deri më sot është shikuar rreth 120 milionë herë.
Videoja ndihmoi në nxitjen e protestave mbarëkombëtare që bënin thirrje për lirimin e Navalnyt. Protestat, të cilat nuk ishin autorizuar, autoritetet ruse arrestuan mijëra persona.
Ligjvënësit evropianë kanë zgjedhur Navalnyn si fitues të Çmimit vjetor Sakharov, për vitin 2021, i cili ndahet për Liri të Mendimit. /The Geopost/