Rusia i ka ndaluar një zyrtari të qeverisë malazeze të hyjë në vend si kundërpërgjigje ndaj dhënies së azilit politik nga Podgorica për një biznesmen rus, tha Ministria e Jashtme ruse në uebfaqen e saj.
Biznesmeni, Telman Ismailov, kërkohet në Rusi pasi dyshohet se ka porositur vrasje me pagesë. Mediat lokale në Mal të Zi raportuan në tetor se Ismailovit iu dha azil politik pasi u ndalua në Podgoricë në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Rusia.
Ministria e Jashtme ruse tha se i dërgoi një notë më 2 shkurt ambasadës në Moskë duke informuar Malin e Zi se Rusia ishte përgjigjur duke ndaluar zyrtarin e Ministrisë së Brendshme, Zoran Miljaniç.
“Kjo masë është një përgjigje ndaj lëvizjes jomiqësore të ndërmarrë nga autoritetet e vendit në tetor 2021, [kur ata] i dhanë azil politik një shtetasi të Federatës Ruse, Telman Ismailov, i cili ishte vënë në listën e kërkimit ndërkombëtar nga Interpoli për kryerjen e krimeve të rënda në territorin e Federatës Ruse”, thuhet në deklaratë.
Në shënim thuhej se Rusia po i përgjigjej “hapit armiqësor” të Malit të Zi që i dha azil Ismailovit, i cili kishte lindur në Azerbajxhan.
Ismailov nuk është aktualisht në listën e më të kërkuarve të Interpolit. Interpoli nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për informacion nëse ai është ende në kërkim.
Milos Vuksanoviç, avokati i Ismailovit, i tha Radios Evropa e Lirë në tetor se klienti i tij nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e dy biznesmenëve në Moskë dhe se urdhër-arresti rus ishte lëshuar si “si rezultat i persekutimit politik dhe ekonomik nga Federata Ruse. “, prandaj Ismailov kishte kërkuar azil në Mal të Zi./REL/