Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ilir Kulla, tha se Rusia sot është fuqi agresive e botës dhe po provon të zhdukë rolin e BE’së.
“Rusia është një fuqi agresive e botës po përpiqet të ndryshojë të gjithë realitetin ekzistues gjeopolitik të botës” u shpeh ai.
Në konferencën e organizuar nga “The Geopost”, me temën “Ndikimi rus në Ballkan-Kriza në Ukrainë”, Kulla diskutoi rreth aspektit të sigurisë dhe kërcënimeve që i kanosen rajonit tonë.
“Sot ajo është një fuqi agresive e botës. Rusia po provon të ndryshojë momentin e globalizmit. Me ndikimin e saj po mundohet të zhdukë rolin e Bashkimit Evropian, edhe pse për këtë ka faj edhe vetë BE-ja. Sa i përket zonës sonë, ne kemi një rajon ku rusët përvec që kanë interesa kanë edhe minoritet, në Detin e Zi, Bullgari e Rumani” tha ai.
Ai theksoi se vendet e rajonit duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdeshme pas fillimit të luftës në Ukrainë, duke pasur parasysh problemet dhe aspiratat që rajoni ynë ka.
“Ne jetojmë në një rajon ku Mali i Zi është anëtar i NATO-s, por ata që e udhëheqin sot Malin e Zi si dhe gjysma e popullsisë atje nuk do të jetë në NATO. Kemi Bosnjen ku gjysma e territorit nuk do të jetë në BE dhe NATO, por as në Bosnje. Në Kosovë kemi NATO-n, aq së është, por kemi një pjesë të Kosovës në veri që as nuk njeh Kosovën, as nuk do të jetë në NATO dhe BE, por si referencë shpirtërore e kanë Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe. Pastaj kemi Maqedoninë dhe Shqipërinë të cilat megjithëse janë në NATO , nuk kanë mjete as financiare as ushtarake për t’iu kundërvënë influencës ruse. Ndërsa Serbia është një vend më i zhvilluar por as që ka ndermend të hyjë në NATO. Ajo vitet e fundit ka shpezuar 1 miliardë e gjysmë euro për mbrojtje. Ka investuar ne aviacion modern, ajo ka përforcuar gjithë aparatin e saj kibernetik ushtarak dhe këtu duhet parë me kujdes se çfarë i duhet ky aparat, me kë do bëjë luftë?”./TheGeopost/