
Rregullatori gjerman i energjisë e ka pezulluar procesin e miratimit të një tubacioni të ri të madh gazi që planifikon të sjellë gazin rus në Evropë. Me lajmin për vonesën e miratimit të Nord Stream 2, çmimet evropiane të karburanteve u rritën me gati 11 për qind.
Procesi i miratimit është pezulluar sepse konsorciumi me bazë në Zvicër i cili qëndron pas Nord Stream 2 duhet së pari të jetë në përputhje me ligjin gjerman përpara se të miratohet një projekt prej 10 miliardë eurosh. Kjo do të thotë që konsorciumi duhet të krijojë një kompani gjermane në përputhje me ligjin gjerman për të marrë një licencë për të vepruar.
“Kjo do të kthejë pak prapa kornizën e menduar kohore,” thotë analisti i Energy Aspects, Trevor Sikorski, duke shtuar se nuk është e qartë se sa do të zgjasë procesi i themelimit të kompanisë së re. Ai tha gjithashtu se nuk ka gjasa që tubacioni të funksionojë në gjysmën e parë të 2022.
Nord Stream 2 ka hasur në kundërshtime të forta nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, të cilat besojnë se ky tubacion do ta bëjë Evropën shumë të varur nga gazi rus.
Duke kaluar nën Detin Baltik, Nord Stream 2 do të dyfishojë eksportet e gazit të Moskës në Gjermani, por gjithashtu do të anashkalojë Ukrainën, e cila mbështetet në tubacionet ekzistuese dhe e cila do të goditet rëndë nga humbja e tarifave të tranzitit.
Por qeveritë e tjera evropiane e shohin këtë linjë si kyçe për sigurimin e furnizimeve me energji, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të gazit në javët e fundit dhe kërcënimin e ndërprerjeve të energjisë.
Në North Stream 2 thonë se ata janë informuar për vendimin, por nuk janë në gjendje të komentojnë detajet e procedurave. Kremlini nuk ka komentuar ende.
“Çdo vonesë në miratimin e gazsjellësit, veçanërisht në prag të dimrit, pa dyshim që nuk është në interes të Bashkimit Evropian”, tha Konstantin Kosachyov, nënkryetar i dhomës së lartë të parlamentit rus për agjencinë e lajmeve TASS.
Nord Stream 2 përbëhet nga dy degë të një tubacioni me një kapacitet total prej 55 miliardë metra kub gaz në vit dhe shtrihet nga brigjet ruse përtej Detit Baltik deri në Gjermani.
Puna në tubacion u pezullua në dhjetor 2019 pasi që kompania Sëiss Allseas hoqi dorë nga shtrimi i tubacioneve për shkak të kërcënimeve me sanksione nga SHBA-të. Ndërtimi vazhdoi në dhjetor të vitit 2020.