
Prokurorët gjermanë kanë arrestuar një oficer në agjencinë e prokurimeve ushtarake me dyshimin se i ka kaluar informacione të klasifikuara inteligjencës ruse, thanë prokurorët federalë.
Shtetasi gjerman, të cilin prokurori publik e identifikoi vetëm si Thomas H., kishte kontaktuar vazhdimisht me konsullatën ruse në Bon dhe ambasadën në Berlin me iniciativën e tij që nga maji dhe kishte ofruar bashkëpunimin e tij, tha autoriteti.
“Zyra e Prokurorisë Federale ka arrestuar një zyrtar gjerman me dyshimin se punonte për një shërbim sekret të huaj”, shkroi ministri i Drejtësisë Marco Buschmann në platformën e mediave sociale X. “Vigjilenca është rend i ditës”.
Gjermania, një nga furnizuesit më të mëdhenj të Ukrainës me furnizime ushtarake, është një objektiv kryesor i operacioneve të spiunazhit rus, të cilat janë rritur në shtrirje që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, kanë paralajmëruar autoritetet.
Sipas prokurorit federal, në një rast, burri i kaloi informacionet që kishte marrë gjatë punës së tij me qëllim që t’ia kalonte atë një shërbimi sekret rus.
Ai u arrestua në Koblenz, selia e zyrës së prokurimit në Gjermaninë Perëndimore, dhe shtëpia dhe vendi i tij i punës u kontrolluan, tha ajo. Një gjykatës e mori atë në paraburgim të mërkurën.
Prokurorët nuk dhanë detaje të tjera. Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk pranoi të komentojë mbi rastin.
Pothuajse 12,000 njerëz punojnë në autoritetin e prokurimit, duke përfshirë rreth 1,800 ushtarë. Në vitin 2021, zyra lidhi kontrata për blerjen e armëve dhe pajisjeve për Bundeswehr-in me një vëllim total prej 17.6 miliardë euro.
Në dhjetor, autoritetet arrestuan një punonjës të Shërbimit Federal të Inteligjencës Gjermane (BND), të cilin ata e dyshuan për spiunazh për Rusinë./Reuters/