
Rusia po vazhdon me aktivitetet e saj destabilizuese në Ballkan. Pas retorikës së mprehtë të kohëve të fundit nga ana e anëtarit serb të Presidencës boshnjake, Millorad Dodik, dhe vizitës në Sarajevë të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Eskobar, ambasadori rus në Sarajevë, Igor Kalabukov, nxiti tensionet në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH ) me deklaratat e tij ndaj të ardhmes së Republikës Serbe në Bosnje.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Bosnjë-Hercegovinës (BHRT), ambasadori Kalabukov tha se nuk sheh asnjë problem kur bëhet fjalë për idetë e Millorad Dodikut për Republikën Serbe. Kalabukov tha se një ndarje e mundshme e Bosnjës dhe Hercegovinës është një çështje e politikanëve, vendimeve demokratike dhe se Rusia do ta mbështesë atë, nëse kjo arrihet në dialog.
Kalabukov tha se nuk mund të flas për legjitimitetin apo paligjshmërinë e procesit të kthimit të kompetencave nga BeH te Republika Serbe (një nga dy entitetet në BeH), duke vënë në dukje se është një çështje e procesit politik dhe organeve drejtuese të entiteteve.
Ai theksoi se në bisedimet për zgjidhjen e krizës në BeH mbështet idenë që të gjitha vendimet të merren përmes dialogut, në komunikim ndërmjet subjekteve, të cilat duhet të vendosin se si të gjejnë rrugën më optimale për të dalë nga situata aktuale.
Rusia beson se Republika Serbe ka ngritur çështjen e rifitimit të juridiksionit brenda kornizës së procesit demokratik dhe ambasadori Kalabukov thekson se fuqitë e transferuara në BeH janë vënë nën presionin e komunitetit ndërkombëtar.
Kalabukov tha se qëndrimi rus është se nuk ka përfaqësues të lartë në BeH, sepse sipas tyre nuk është respektuar procedura për emërimin e Kristian Shmid (Christian Schmidt).
“Si garantues i Marrëveshjes së Dejtonit, ne jemi anëtarë të Këshillit për Zbatimin e Paqes, por nuk bashkëpunojmë me Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë derisa Kristian Shmid është aty. Ne nuk e mbështesim asnjë kontakt zyrtar me zotin Shmid”, tha Kalabukov.
Pas deklaratës së ambasadorit rus në Sarajevë, ka reaguar nënkryetari i SDA-së, Shemsudin Mehmedoviq. Deputeti i SDA-së në Parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës ka kërkuar që ambasadori rus në BeH, Igor Kalabukov të shpallet persona non grata. Ai bëri thirrje gjithashtu për protesta në shkallë të gjerë përpara ambasadës ruse derisa Kalabukov të largohet nga BeH.
“Unë bëj thirrje që ambasadori rus në BeH, Igor Kalabukov të shpallet persona non grata dhe protesta të mëdha para ambasadës ruse derisa ambasadori të largohet nga vendi. Duhet të ketë një deportim të detyrueshëm nga BeH për të, ose të paktën çdo komunikim me të të ndërpritet menjëherë,” tha Mehmedoviq.
Në një prononcim për The Geopost, Mehmedoviq tha se kërkesa e partisë së tij për shpallje persona non grata të ambasadorit rus është e padiskutueshme dhe se zgjidhja e vetme është largimi i menjëhershëm i tij nga territori i Bosnjes dhe Hercegovinës.