I sanksionuari nga SHBA, Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka thënë të mërkurën se do t’ia ndalojë hyrjen në entitetin serb të Bosnjës dhe Hercegovinës përfaqësuesit të lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë, Christian Schmidt.
“Ne nuk e respektojmë Schmidtin. Që nga mëngjesi i sotëm, jemi duke e përpunuar një dekret për mënyrën se si ta kthejmë atë mbrapshtë dhe se si ta arrestojmë nëse ai vjen këtu”, tha Dodik para mediave në Banja Llukë, kryeqytetin e Republikës Srpska.
Kjo është lëvizja e radhës e nacionalistit serb Dodik për të arritur qëllimet e tij për destabilizim të rajonit. Për këto veprime Dodik mori bekimin e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Porfirijes, të cilët shkuan në Repiublikën Sërpska për t’ia dhënë mbështetjten.
Njoftimi i tij vjen vetëm pak kohë pasi prokurorët ngrenë padi ndaj Dodikut për kalimin e ligjeve që do t’ua mundësojë entitetit serb të
Bosnjës – i njohur si Republika Sërpska – anashkalimin apo injorimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnjë dhe të Gjykatës Kushtetuese.
Schmidt është i ngarkuar me detyrë për t’i mbikëqyrur aspektet civile të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës së përgjakshme të Bosnjës në vitet ’90.
Si përfaqësues ndërkombëtar, Schmidt ka pushtet të madh, përfshirë mundësinë për t’i shkarkuar zyrtarët e emëruar dhe për të vendosur ligje.
Dodiku, megjithatë, nuk ka pranuar ta njohë autoritetin e Schmidit, qëkur ky post e humbi mbështetjen e Kombeve të Bashkuara falë një intervenimi nga Rusia dhe Kina.
Vendimi i fundit vjen pas disa muajve tensionesh së rritura në vendin e Ballkanit, pasi Dodiku nënshkroi legjislacionin kontroverse këtë verë.
Në korrik, Schmidt i shfuqizoi të dy ligjet e nënshkruara nga Dodiku.
Dodik më herët ka bërë publike planet e tij për destabilizimin e rajonit. Ai kishte kërcënuar me ndarjen e Republikës Sërpska, ndërsa së fundi ka refuzuar t’i pranojë vendimet e marra nga, siç thotë Dodik, “përfaqësuesi i lartë i rremë” Christian Schmidt.
Për këtë ai është në listën e zezë të SHBA-së.
Veprimet e nacionalistit serb Milorad Dodik kërcënojnë stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të të gjithë rajonit, thoshte Ministria e Financave e SHBA-së.
“Aktivitetet destabilizuese korruptive të Milorad Dodik dhe përpjekjet për të çmontuar Marrëveshjet e Paqes të arritur në Dejton të SHBA, të motivuara nga interesi i tij vetjak, kërcënojnë stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të të gjithë rajonit”, kishte thënë Ministria e SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Sërpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995.
Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviq dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Sërpska, Millosh Bukejlloviq.
Thesari tha se zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Megjithë këto zhvillime, Vuçiq nuk e pati problem të shkojë në Bosnjë për ta nxitur Dodikun në veprimet antiperëndimore dhe antidemokratike.
“Duhet të mbështesim njëri-tjetrin dhe do të vazhdojmë me projektet”, tha Vuçiq pas takimit që pati në Bosnjë./The Geopost/