Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpalli 25 shtatorin ditë zie, në nderim të policit të vrarë në veri, Afrim Bunjaku. Rreshteri policor mbeti i vrarë më 24 shtator, pas një sulmi të armatosur në fshatin Banjskë në Zveçan, të banuar me shumicë serbe.
Të shtënat e së dielës filluan rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës, pasi policia tha se ata arritën në fshatin Banjskë, ku ishte raportuar një bllokadë.
Oficerët u sulmuan nga disa pozicione me një arsenal armësh zjarri, duke përfshirë granata dhe raketa dore. Një grup prej rreth 30 vetësh hynë më pas në kompleksin e manastirit në Leposaviq aty pranë, ku po qëndronin pelegrinët nga qyteti verior serb i Novi Sadit. Të paktën tre nga personat e armatosur u vranë në nga policia e Kosovës gjatë ditës së diele, ndërsa policia ndërmori një operacion spastrimi nga grupet kriminele. Policia tha më vonë në një deklaratë se të paktën tre sulmues ishin vrarë dhe një është arrestuar. Katër të dyshuar civilë të tjerë që mbanin pajisje radio dhe armë u arrestuan gjithashtu.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se të vrarit kanë qenë pjesë të grupit paramilitar “Mbrotja Civile”, i cili kohë më parë u shpall si grup terrorist nga qeveria në Prishtinë, bashkë me grupet tjera kriminele. Sveçla tha se policia bëri disa arrestime gjatë operacionit dhe sekuestroi një sasi të madhe armësh dhe pajisjesh.
Megjithatë mbeti e paqartë nëse të gjithë personat e armatosur ishin kapur gjatë aksionit.
Sipas ligjit kosovar, autoritetet qeveritare nuk lejohen të hyjnë në pronat ortodokse, përfshirë kishat dhe manastiret, pa marrë më parë lejen nga kisha ortodokse serbe.
“Ne e kemi vënë këtë territor nën kontroll. Kjo është bërë pas disa betejave të njëpasnjëshme,” tha Sveçla.
Kryeministri Albin Kurti tha se grupi prej të paktën 30 personash të armatosur rëndë u rrethuan nga autoritetet pranë fshatit Banjska, ku patrullës iu zu pritë më herët të dielën. “Janë të paktën 30 persona të armatosur profesionistë, ushtarakë apo policorë të cilët janë të rrethuar nga forcat tona policore dhe të cilët i ftoj të dorëzohen në agjencitë tona të sigurisë”.
Komentet e Kurtit në konferencën për shtyp erdhën disa orë pasi ai e quajti një akt terrorizmi pritën që vrau një polic dhe plagosi dy të tjerë dhe fajësoi qeverinë serbe.
“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga zyrtarët në Beograd po sulmon vendin tonë”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale. Kisha Ortodokse Serbe konfirmoi se persona të armatosur kishin sulmuar një manastir në Banjska, ku po qëndronin pelegrinët nga Novi Sadi.
“Mund të shohim njerëz të armatosur me uniforma… Ata po qëllojnë mbi ne dhe ne po qëllojmë”, i tha AFP-së zyrtari i policisë së Kosovës, Veton Elshani.
Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO tha se forcat e tij ishin të pranishme në zonë dhe “qëndronin të gatshëm për t’u përgjigjur nëse kërkohet”.
Në deklaratën e saj më të fundit, policia e Kosovës tha se situata e sigurisë në zonën e fshatit Banjska “vazhdon të mbetet e tensionuar” pasi “sulmet me armë zjarri kundër njësive policore po vazhdojnë me të njëjtin intensitet”. Policia njoftoi se gjeti pajisje logjistike, automjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si dhe armë dhe municione të kalibrave të ndryshëm në një vend banimi që përdorej nga sulmuesit.
“Policia e Kosovës vazhdon t’u bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen tek organet e drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme”, thuhet në komunikatë.
Incidenti është një përshkallëzim serioz në një rajon tashmë të prirur për trazira. Kosova është me shumicë shqiptare, por si fshatrat e tjera në veri, Banjska është kryesisht serbe.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Serbia e sheh Kosovën si një shtet të shkëputur. Serbët e Kosovës e shohin veten si pjesë e Serbisë dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre, në vend të Prishtinës. “Ne shohim njerëz të armatosur, me uniformë, armatim të rëndë, ata po gjuajnë mbi ne, ne po gjuajmë”, tha Veton Elshani, zëvendës komandant i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, sipas degës së CNN N1.
Sulmi dhe përleshjet e zjarrit që pasuan shënojnë një nga përshkallëzimin më të rëndë në Kosovë për vite të tëra, dhe pasojnë muaj të tëra tensioni në rritje midis Prishtinës dhe Beogradit.
Tensionet janë rritur në Kosovë pas përleshjeve të dhunshme që pasuan zgjedhjet e diskutueshme lokale në maj dhe pas ngecjes në bisedimet politike të ndërmjetësuara nga BE, të dizajnuara për të stabilizuar situatën. NATO dislokoi 700 trupa shtesë në Kosovë për t’u marrë me trazirat në qytetin verior të Zveçanit pas zgjedhjeve. Rreth 30 paqeruajtës të NATO-s dhe më shumë se 50 protestues serbë u lënduan në përleshjet që pasuan.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia – së bashku me aleatët kryesorë të Beogradit, Kinën dhe Rusinë – nuk e njohin atë.