Maqedonia e Veriut, Bashkimi Evropian (BE), SHBA dhe të gjitha vendet e civilizuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën përderisa populli ukrainas të arrijë lirinë e dëshiruar që vetë të përcaktojë rrugën se kah duhet të shkojë. Kjo u tha në Shkup nga krerët shtetërorë të vendit dhe nga ambasadorët të vendeve të BE-së dhe NATO-s, në kuadër të konferencës “Ukraina – dy vjet heroizëm”, e organizuar nga Ambasada e Ukrainës dhe organizata civile maqedonase CIVIL – Qendra për Liri, raporton The Geopost.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se vendi i jep mbështetje e plotë Ukrainës që të zgjedhë lirisht rrugën që do të ndjekë në të ardhmen.
“Fatkeqësisht, sot agresioni brutal kundër këtij vendi mik nga regjimi i Putinit po hyn në vitin e tretë dhe humbjet e jetëve njerëzore, vuajtjet e miliona njerëzve në mbarë vendin, pasojat shkatërruese dhe shkatërrimet nuk po pakësohen “, theksoi Pendarovski.
Duke folur për diktaturën e Putinit në Rusi, Pendarovski vlerësoi se “këto dy vite jemi dëshmitarë të një regjimi të shkëputur nga realiteti, i cili duket se ka dalë nga kohërat më të errëta të historisë evropiane të shekullit të kaluar, krejtësisht jashtë një hapi me realitetin e shekullit të 21-të”.
“Ajo diktaturë personale po përpiqet jo vetëm të imponojë një rishikim të historisë, por edhe të ndryshojë kufijtë në Evropë, në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet juridike ndërkombëtare që garantojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”, shtoi Pendarovski.
Kryeministri Talat Xhaferi tha se Maqedonia e Veriut dhe popujt që jetojnë këtu me shekuj e dinë saktësisht se çfarë do të thotë të luftosh për liri.
“Maqedonia e Veriut qëndroi me vendosmëri pranë Ukrainës dhe do të vazhdojë të qëndrojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Por ne, si Maqedoni e Veriut dhe si popuj që kemi jetuar këtu me shekuj, e dimë saktësisht se çfarë do të thotë të luftosh për liri. Ne e dimë saktësisht se çfarë do të thotë të jesh në anën e duhur të historisë, prandaj iu bashkuam sanksioneve dhe politikës së sigurisë së jashtme të Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Xhaferi.
Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq tha se populli maqedonas mbetet së bashku me popullin ukrainas në rrugën drejt paqes, sigurisë, demokracisë dhe anëtarësimit në BE.
“Sulmi rus ndaj Ukrainës është një sulm ndaj vlerave evropiane dhe kjo është arsyeja pse ishte e lehtë për ne që të zgjidhnim anë dhe të ishim ndër të parët që do të rreshtoheshin qind për qind me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe NATO-s“, tha Mariçiq.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, vlerësoi se dy vitet e luftës flasin për një heroizëm të paparë të popullit ukrainas dhe të udhëheqjes së Ukrainës.
“Këto janë dy vite qëndrese dhe rezistence dhe dua të shfrytëzoj rastin për t’iu kushtuar një respekt të veçantë ushtarëve të guximshëm ukrainas që luftojnë në fushat e betejës, por edhe civilëve ukrainas që mbrojnë shtëpitë e tyre dhe shtëpitë e të dashurve të tyre në mënyra më të mira të mundshme”, tha Osmani.
Ambasadorja e Ukrainës, Larisa Deer, u bëri thirrje partnerëve të forcojnë mbështetjen e mbrojtjes së Ukrainës.
“Dy vjet janë 731 ditë të mbushura me luftë, përpjekje, rezistencë, granatime, terror me raketa, mizori dhe tortura nga rusët, dhimbje, dëshpërim, si dhe ndihmë nga partnerët, shpresë”, theksoi ajo. “Mosndëshkimi i Kremlinit për krimet e kryera në Buça, Irpin, Mariupol, Izum dhe Avdiivka shkakton vetëm krime shtesë”.
“Është e nevojshme të forcohen sanksionet kundër Federatës Ruse dhe të zbatohen ato në veçanti, në mënyrë që të mos ketë financim indirekt të prodhimit të raketave që fluturojnë mbi kokat e ukrainasve dhe djegin tokën ukrainase”, theksoi Deer.
Në sesionin e dytë të kësaj konference folën përfaqësuesit diplomatikë të BE-së, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Suedisë, Shqipërisë, Republikës Çeke, Francës, Japonisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë.
Ambasadorja amerikane Angela Ageler tha se Shtetet e Bashkuara ofrojnë mbështetje kryesore për Ukrainën përmes ndihmës politike, financiare dhe ushtarako-teknike.
“Shtetet e Bashkuara ofrojnë mbështetje kyçe për Ukrainën përmes asistencës politike, financiare dhe ushtarako-teknike, duke përfshirë trajnimin për trupat ukrainase në tokën amerikane. Në vitin 2023, Shtetet e Bashkuara kontribuan me një ndihmë bujare prej 15.87 miliardë dollarësh për Ukrainën, një gjest i vlerësuar thellësisht nga populli ukrainas”, theksoi Ageler.
E ngarkuara me punë e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Julia Smith, tha se qëndrueshmëria dhe rezistenca e njerëzve dhe forcave të armatosura të Ukrainës janë frymëzim për të gjithë anëtarët e botës së lirë.
“Kontributi i Britanisë është aq domethënës dhe i larmishëm sa që bëhet sfidë për të dalluar aspektet më të rëndësishme – qoftë në mbrojtjen ajrore, teknologjinë e radarit apo sistemet e avancuara anti-drone dhe raketore”, nënvizoi Smith. “Qëllimi i bashkëpunimit dypalësh të mbrojtjes është forcimi i mbrojtjes ajrore dhe zgjerimi i aftësive me rreze të gjatë të Forcave të Armatosura të Ukrainës”.
Ajo paralajmëroi se Britania do të sigurojë disa mijëra dronë me vlerë 200 milionë paund për të përmirësuar aftësitë e ushtrisë së Ukrainës.
Ambasadori në detyrë i Gjermanisë, Otto Graf, tha se vetëm kur Rusia do të tërheqë trupat e saj, atëherë lufta do të përfundojë.
“Kanë kaluar dy vjet nga pushtimi rus i Ukrainës. Kjo luftë nuk është vetëm një sulm ndaj një vendi, por ndaj vlerave tona të përbashkëta dhe sigurisë evropiane”, tha aGraf. “Ne vazhdojmë ta mbështesim atë në përpjekjet e saj të mbrojtjes. Në vitin 2024, Gjermania do të ndihmojë Ukrainën me 7.1 miliardë euro. Mbështetja për Ukrainën nuk është vetëm një frazë, por edhe ndihmë e vërtetë”.
Cyril Baumgartner, Ambasador i Republikës së Francës, tha sot duhet festuar guximi i popullit ukrainas dhe liderëve të tij.
“Prej dy vitesh një popull i tërë reziston. Kjo rezistencë është e dobishme. Ata gjejnë forcë dhe guxim në një ndjenjë drejtësie. Ne festojmë guximin e popullit ukrainas dhe udhëheqësve të tij. Ne besojmë se nuk duhet të lejojmë që regjimi rus të fitojë këtë luftë, ne duhet të fitojmë për hir të vetë Ukrainës”, tha Baumgartner.
Ambasadori i Shqipërisë, Fatos Reka, tha se vendi i tij po i jep mbështetje të fortë Ukrainës.
“Shqipëria i jep mbështetje politike Ukrainës, duke bashkëpunuar brenda organizatave ndërkombëtare. Përveç kësaj, Shqipëria ofron ndihma humanitare, duke përfshirë mikpritjen e ukrainasve që janë të detyruar të largohen nga vendi i tyre për shkak të agresionit ushtarak rus”, tha Reka.
Ambasadori i Japonisë, Kazuya Otsuka, tha se sulmet ruse jo vetëm që shkatërrojnë jetën e ukrainasve, por edhe kërcënojnë të ardhmen e tyre.
“Shumë qytetarë humbën jetën në Ukrainë, ose u plagosën. Sulmet ruse në spitale, shkolla, infrastruktura kritike jo vetëm që shkatërrojnë jetën e ukrainasve, por kërcënojnë edhe të ardhmen e tyre”, theksoi ambasadori japonez.
Në margjinat e konferencës u mbajtën edhe dy ekspozita – “Projekti Ukrainë: Përjetimi i Luftës”, një ekspozitë elektronike me realitetin virtual dhe “Kartolina nga Ukraina”, një ekspozitë fotografike. Poashtu, është promovuar edhe libri “Ukraina – vite të heroizmit” i autorit Xhabir Deralla, drejtues i organizatës CIVIL, e cila ishte bashkë-organizatore e konferencës./The Geopost-