Një gjykatë në Moskë të premten urdhëroi arrestimin e Christo Grozev, një gazetar kryesor investigativ me grupin me burim të hapur Bellingcat, raporton portali i pavarur i lajmeve Mediazona.
Grozev, i cili nuk ndodhet në Rusi dhe do të gjykohet në mungesë, është akuzuar për kalim të paligjshëm të kufirit rus, sipas Mediazona.
Seanca gjyqësore e së premtes u zhvillua me dyer të mbyllura dhe avokatja e Grozevit, Veronika Polyakova, nuk pranoi të zbulojë detaje rreth rastit.
Nuk ishte menjëherë e qartë se kur – ose pse – Grozev dyshohet se kaloi kufirin rus ilegalisht.
Grozev ka qenë prej kohësh një gjemb në këmbë për Kremlinin pasi ai ka luajtur një rol kyç në një numër hetimesh të profilit më të lartë të Bellingcat, duke përfshirë helmimin në vitin 2018 të agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin Salisbury në Mbretërinë e Bashkuar dhe helmimi i kritikut të Kremlinit Alexei Navalny në një fluturim brenda vendit në Siberi në vitin 2020.
Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) vitin e kaluar pretendoi se Grozev ishte përfshirë në një “komplot të dështuar” për të rrëmbyer avionët luftarakë rusë.
Grozev, një shtetas bullgar, u vendos në listën e të kërkuarve të Ministrisë së Brendshme të Rusisë në dhjetor të vitit të kaluar./MT/