Deri në vitin 2025, lufta e Rusisë kundër Ukrainës është shndërruar në një konflikt të zgjatur rraskapitës, pa një përparim strategjik vendimtar për asnjërën palë.
Edhe pse vija e frontit është zhvendosur më shumë krahasuar me vitet 2023 dhe 2024, përparimet e Rusisë kanë qenë të ngadalta, të kufizuara dhe me kosto shumë të larta në njerëz dhe mjete ushtarake.
Moska ka theksuar gjithnjë e më shumë arritjet e saj në fushëbetejë gjatë vitit 2025, në përpjekje për të forcuar pozicionin e saj në bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara dhe për ta paraqitur fitoren si të pashmangshme.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi në fund të nëntorit se forcat ukrainase do të duhet të tërhiqen nga territoret e pushtuara, përndryshe Rusia do ta arrijë këtë “me mjete ushtarake”.
Megjithatë, analistët ushtarakë theksojnë se realiteti në terren është më kompleks. “Progresi i Rusisë ka qenë i dobët dhe me humbje të mëdha që nuk përputhen me objektivat e deklaruara”, tha Michael Kofman për The Washington Post.
Sipas tij, lufta i ngjan gjithnjë e më pak një fushate konvencionale dhe më shumë një konflikti të mbështetur në njësi të vogla infiltrimi, teknologji të lira dhe furnizime të financuara nga burime jozyrtare.
Putini ka pohuar se forcat ruse kanë pushtuar rreth 5 mijë kilometra katrorë territor ukrainas gjatë vitit 2025. Rusia arriti të largojë trupat ukrainase nga rajoni i Kurskut këtë pranverë dhe depërtoi përkohësisht në rajonin Sumy, por përparimi u ndal shpejt. Në Ukrainën lindore, forcat ruse pothuajse përfunduan pushtimin e Pokrovskut dhe Myrnohradit pas gati dy vitesh luftimesh, ndërsa deri në fund të vitit pretenduan se kishin marrë kontrollin e Huliaipole në Zaporizhzhia dhe Siversk në Donetsk.
Megjithatë, përparimet kanë qenë të pabarabarta dhe kryesisht taktike. “Që nga viti 2023, lufta është shndërruar në një betejë rraskapitjeje, ku ndryshimet në front janë më shumë taktike sesa strategjike”, tha analisti i BBC News, Pavel Aksenov.
Lufta me njësi të vogla dhe dominimi i dronëve
Në vitin 2025, Rusia ka ndryshuar taktikat duke u mbështetur gjithnjë e më shumë në grupe të vogla sulmi, në vend të ofensivave të mëdha të blinduara. Këto njësi infiltrojnë pozicionet ukrainase, identifikojnë pikat e dobëta dhe gradualisht ndërtojnë epërsi lokale. Një rol kyç në këtë fazë të luftës kanë luajtur dronët.
Sipas analistëve të Këshillit të Atlantikut, lufta me dronë filloi të anonte në favor të Rusisë që në fund të vitit 2024, një trend që u përshpejtua gjatë 2025-ës. Moska ka përdorur gjerësisht dronë me fibra optike, rezistentë ndaj ndërhyrjeve elektronike, për të goditur linjat e furnizimit dhe pozicionet ukrainase. Paralelisht, Rusia ka përdorur në masë edhe bomba ajrore të drejtuara dhe artileri të rëndë për të shkatërruar mbrojtjet ukrainase.
Probleme logjistike dhe raportime të rreme
Pavarësisht mobilizimit të industrisë së mbrojtjes dhe rekrutimit të ushtarëve me kontratë, Rusia vazhdon të përballet me probleme serioze logjistike. Furnizimi i njësive shpesh varet nga iniciativa vullnetare, blogerë pro-luftës dhe fonde private, duke krijuar një sistem të paqëndrueshëm dhe të pabarabartë.
Një tjetër problem i theksuar është fryrja e raporteve nga fronti. Komandantët rusë shpesh shpallin qytete të pushtuara para përfundimit të luftimeve, gjë që çon në operacione të kushtueshme për ta bërë realitet këtë pretendim. Rasti i Kupianskut, i shpallur disa herë i pushtuar dhe më pas i rimarrë pjesërisht nga Ukraina, është një shembull i kësaj praktike.
Pa rrugë drejt fitores vendimtare
Në përgjithësi, analistët vlerësojnë se Rusia është përshtatur më mirë ndaj realitetit të luftës moderne, veçanërisht në përdorimin e dronëve dhe njësive të vogla. Megjithatë, mungesa e fuqisë së mjaftueshme njerëzore dhe pamundësia për të realizuar një përparim të thellë strategjik nënkuptojnë se lufta ka të ngjarë të vazhdojë pa një fitore vendimtare në horizont.
“Rusia nuk ka aktualisht forca të mjaftueshme për ofensiva vendimtare në asnjë sektor të frontit”, përfundoi Aksenov, duke theksuar se edhe depërtimet e mundshme nuk do të ishin të mjaftueshme për të ndryshuar rrjedhën e luftës./TheGeoPost.

Kina shënon rënien e parë vjetore në tregtinë me Rusinë që nga viti 2020
Irani mbetet në errësirë dixhitale, Trump shqyrton veprimet e SHBA-së pas shtypjes vdekjeprurëse ndaj protestuesve
Komisioni i BE-së lanson kornizën ligjore për kredinë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën
Britania e Madhe dhe Polonia do të rrisin bashkëpunimin në mbrojtjen ajrore mes ‘kërcënimit nga Putini’
Britania do të zhvillojë raketa të reja balistike me rreze të gjatë veprimi për t’u përdorur nga Ukraina kundër Rusisë
“Protestat vdekjeprurëse”, Trump po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Iran