Ukraina ka bërë përparim të rëndësishëm në kundërsulmin e saj ndaj forcave ruse, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë një vizite në Ukrainë, që duket se u la në hije, për shkak të sulmit rus në lindje të vendit. Si pasojë u vranë të paktën 17 persona.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy dënoi sulmin, që zyrtarët thanë se goditi një treg të mbushur me njerëz në qytetin Kostiantynivka, pranë fushëbetejës. Ai tha se në mesin e atyre që u vranë ishte dhe një fëmijë. Zyrtarët ukrainas njoftuan për të paktën 32 të plagosur.
“Kjo e keqe që vjen nga Rusia duhet të mposhtet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zoti Zelenskiy, që e cilësoi ngjarjen si një sulm të qëllimshëm ndaj një “qyteti paqësor”.
Moska nuk ka bërë komente mbi sulmin dhe në deklarata të mëparshme Kremlimi ka mohuar të ketë vënë në shënjestër qëllimisht popullatën civile.
Zoti Blinken, zyrtari i parë i lartë amerikan që vizitoi Kievin që nga fillimi i kundërofensivës në fillim të qershorit, pritet të shpallë një paketë të re ndihme për Ukrainën, me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë.
Në komentet në fillim të takimit të tij me zotin Zelenskiy, zoti Blinken tha se ishte i inkurajuar nga rezultatet e deritanishme të kundërofensivës.
“Ne po shohim përparim të rëndësishëm që po bëhet aktualisht me kundërsulmin dhe kjo është tejet inkurajuese”, tha zoti Blinken.
Vizita e papalajmëruar e Sekretarit Blinken kishte si qëllim të tregonte besim tek forcat ukrainase dhe të rikonfirmojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Ai mbërriti disa orë pasi Rusia ndërmori një sulm me raketa ndaj kryeqytetit të Ukrainës dhe ndërsa ai takohej me udhëheqësit e vendit, Moska sulmoi qytetit lindor të Kostiantynivkas.
Kjo është vizita e tretë në Kiev e Sekretarit Blinken që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Gjatë takimit me Kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal, zoti Blinken tha se çdo herë që viziton vendin befasohet nga qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e popullit ukrainas, forca e ushtrisë së tij dhe udhëheqja shumë e fortë e vendit.
“Jam këtu kryesisht me kërkesë të Presidentit Biden për të riafirmuar angazhimin tonë për të qëndruar me ju, për t’u ndihmuar që të keni sukses ushtarakisht dhe të përballeni me agresionin. Por gjithashtu të qëndrojmë me ju për t’u siguruar që përpjekjet për të ndërtuar një ekonomi dhe demokraci të fortë, të kenë sukses. Pasi një demokraci dhe ekonomi e fortë, janë ndryshimi mes një Ukrainë që mbijeton, e që do ta bëjë një gjë të tillë, dhe një Ukrainë që lulëzon, e që duhet ta bëjë, e që mundet. Ne do të jemi partnerët tuaj në këto përpjekje, së bashku me shumë vende të tjera të botës”, tha zoti Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken takohet me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal. Kiev, Ukrainë, 6 shtator 2023.
Ndërsa falenderoi zotin Blinken dhe delegacionin amerikan që e shoqëronte atë, Kryeministri ukrainas iu referua sulmit të sotëm rus ndaj qytetit të Kostiantynivkas për te treguar se çfarë është e gatshme të vazhdojë të bëjë Moska.
“Sot, ndërsa ju ishit rrugës për në Kiev, rusët i kujtuan të gjithë Ukrainës se kush janë ata. Ata demonstruan edhe një herë qëndrimin e tyre ndaj të gjithëve ne, popullit ukrainas, popullit amerikan dhe botës së qytetëruar. Faleminderit për vizitën tuaj dhe guximin. Ne po e mbrojmë vendin dhe me siguri do të fitojmë”, tha ai.
Vizita e Sekretarit Blinken kishte për synim të vlerësonte ecurinë e kundërsulmit tre mujor të Ukrainës dhe të sinjalizonte mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndërsa disa aleatë perëndimorë po shprehin shqetësime mbi përparimin e Kievit në fushën e betejës.
I pyetur lidhur me vizitën e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Kiev zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ishte e qartë se Uashingtoni kishte në plan të vazhdojë financimin e përpjekjeve Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.
“Me fjalë të tjera, ata po përpiqen ta mbajnë atë në fakt në gjendje lufte, deri sa të bjerë dhe ukrainasi i fundit, duke mos kursyer asgjë. Por kjo nuk do të ndikojë në mënyrën se si po shkon operacioni special ushtarak”, tha zoti Peskov, duke iu referuar mënyrës sesi Moska e cilëson agresionin e saj në Ukrainë.
Megjithë mbështetjen e palëkundur amerikane për Ukrainën që nga fillimi i sulmit rus, disa kandidatë republikanë për president kanë ngritur pikëpyetje mbi ndihmën amerikane, duke nxitur shqetësimet nëse Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në të njëjtin nivel me intensifikimin e fushatës zgjedhore. Deri më tani qeveria amerikane ka ofruar më shumë se 43 miliardë dollarë në armatime dhe ndihmë të tjera ushtarake për Ukrainën.
Në gusht Presidenti Joe Biden i kërkoi Kongresit që të miratojë rreth 40 miliardë dollarë shpenzime shtesë, nga të cilat 24 miliardë dollarë për Ukrainën. Kërkesa mund të përballet me kundërshti në Kongres, ku disa republikanë të ekstremit të djathtë – veçanërisht ata me lidhje të ngushta me ish-Presidentin Donald Trump, po kërkojnë të ulin nivelin e financime që Uashingtoni i dërgon Ukrainës.
Analistët perëndimorë dhe zyrtarët ushtarakë paralajmërojnë se suksesi i kundërsulmit nuk është aspak i sigurt. Çlirimi i Ukrainës nga trupat ruse të rrënjosura, të armatosura fuqishëm dhe të aftë mund të zgjasë me vite, thonë ata.
Forcat ukrainase po përparojnë pa mbulim ajror, duke e bërë përparimin e tyre më të vështirë dhe më të ngadalshëm, ndërsa Rusia ka nisur shtytjen e saj në verilindje për të bllokuar forcat ukrainase dhe për të parandaluar rishpërndarjen e tyre në jug.
Ukraina ka përshtatur taktikat e saj në javët e fundit, duke kaluar nga përpjekjet për të kaluar rrugën e saj përmes linjave ruse me armaturë të furnizuar nga Perëndimi në sulme taktike të planifikuara më mirë që sjellin përfitime në rritje, sipas Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, një institut kërkimi.