Autoritetet sllovene kanë arrestuar dy të huaj të dyshuar për spiunazh për agjencinë ruse të inteligjencës ushtarake GRU, raportoi të hënën gazeta sllovene Delo.
Operacioni i arrestimit u krye në dhjetor nga Agjensia Sllovene e Inteligjencës dhe Sigurisë (SOVA) në kryeqytetin Ljubljanë, me të dyshuarit që thuhet se u arrestuan në një hapësirë zyre me qira në lagjen Bežigrad të qytetit.
Të paktën një nga të dyshuarit ka nënshtetësi argjentinase, ndërsa të dy vepronin me identitet të rremë në shtetin anëtar të BE-së, sipas informacioneve të marra nga Delo.
Dy agjentët e dyshuar, të cilët besohet të jenë pjesë e një rrjeti më të gjerë të qelizave të fjetura GRU që veprojnë në Perëndim, përballen me deri në tetë vjet burg me akuza për spiunazh dhe dhënien e informacionit të rremë.
Autoritetet ruse ende nuk kanë komentuar mbi incidentin.
Në tetor, autoritetet norvegjeze arrestuan agjentin e GRU Mikhail Mikushin, i cili vepronte nën identitetin e rremë të akademikut brazilian José Assis Giammaria dhe merrte pjesë në një program kërkimi në Universitetin e Tromsø.
Megjithatë, autoritetet ruse nuk kanë konfirmuar asnjë lidhje me Mikushin, duke e përshkruar arrestimin e tij si pjesë e një “manie të spiunazhit” që po ” promovohet në mënyrë aktive në Norvegji”./MT/