Organizata serbe “Grupi i Tetorit”, përfaqësuar nga avokati Çedomir Stojkoviq, ka ngritur në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd një sërë akuzash penale ndaj disa personave dhe organizatave ekstremiste që veprojnë në Serbi.
Akuzat janë ngritur kundër drejtorit të Agjencisë serbe për Siguri dhe Informim (BIA), Aleksandar Vulin, ambasadorit rus Aleksandar Bocan-Kharchenko, të ashtuquajturës Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish dhe anëtarëve të organizatës ekstremiste Wagner dhe asaj Patrulla Kombëtare.
Mercenarët Wagnerit po ashtu janë akuzuar nga vendet perëndimore dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut.
Stojkoviq me anë të një njoftimi në Twitter ka theksuar se të gjithë janë duke punuar për të mobilizuar qytetarët e Serbisë për luftë.
“Bocan-Harchenko udhëheq, Vulin parandalon punën e kundër-zbulimit, Qendra në Nish është platformë dhe prandaj e kemi Wagnerin realitet”, ka shkruar Stojkoviq.
Krivične prijave protiv ambasadora Haračenka, direktora BIA Vulina, Srpsko ruskog humanitarnog centra, desničarskih org:
– svi oni rade na mobilizaciji građana Srbije za rat. Harčeno vodi, Vulin sprečava kontraobaveštajni rad, centar u Nišu je platforma: i imamo Wagner stvarnost! pic.twitter.com/q2kTYYUvls— Advokat Čedomir Stojković 🇷🇸🇺🇦 (@FIGHT_4_RIGHT_S) January 19, 2023
Kallëzim penal është ngritur edhe kundër Damjan Knezheviqit, liderit të organizatës serbe të krahut të djathtë Patrulla Kombëtare.
Avokati serb u ka thënë gazetarëve, pas ngritjes së padive, se ato u referohen edhe veprimeve të misionit diplomatik rus “për mobilizimin e shtetasve serbë për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë”.
“Ne kemi dyshim të bazuar për të menduar se Aleksandar Vulin, si drejtor i BIA-s, ka dhënë urdhra, direktiva dhe udhëzime për të parandaluar aktivitetet e Grupit Wagner në Serbi, duke parandaluar punën e kundër-zbulimit në Serbi”, ka thënë Stojkoviq.
“Në faqen e Ambasadës ruse në Serbi, kane ekzistuar instruksione të qarta, instruksione si të aplikohet në ushtrinë ruse, dhe dhënia e instruksioneve të tilla është shkelje penale sipas Kodit Penal të Serbisë”, ka shtuar ai.
Një instruksion i tillë është publikuar vite më parë në faqen e Ambasadës ruse. Mirëpo, pas shpërndarjes së tij në rrjetet sociale, udhëzimet janë hequr nga faqja e vjetër e ambasadës por se ende ekziston në historinë e motorëve të kërkimit. /The Geopost/