Ambasadori i Ukrainës në Serbi Volodymyr Tolkac ka folur hapur për ndihmën e Serbisë që po i ofron Rusisë për t’i vrarë ukrainasit në agresionin e saj të nis në shkurt të vitit të kaluar.
Ai tha se përmes kompanive serbe Rusia po furnizohet me raketa e dronë që bien mbi ukrainasit. Tolkac i bëri thirrje Serbisë të rreshtohet me shtetet perëndimore dhe t’i vendosë sanksione Rusisë.
Tolkac tha se megjithëse Serbia deklaron mbështetjen e saj për Ukrainën, ajo zhvillon një dialog aktiv politik dhe bashkëpunim ekonomik me vendin agresor dhe nuk i është bashkuar ende vendosjes së sanksioneve kundër shtetit agresor.
“Në shtypin serb shfaqen informacione për kompani private serbe që ndihmojnë agresorin rus të anashkalojë sanksionet duke furnizuar me pjesë për raketa dhe dronë që vrasin ukrainasit. Prandaj, i bëjmë thirrje edhe një herë vendit kandidat të BE-së, Serbisë, të ndryshojë politikën e saj të jashtme, veçanërisht për sa i përket agresionit të Federatës Ruse ndaj vendit tjetër kandidat – Ukrainës. Kjo politikë përputhet me qëndrimin e familjes së përbashkët europiane. Jam i bindur se çdo hap praktik i palës serbe për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus do të jetë një argument i fortë për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”, ka thënë Tolkac.
Ambasadori ukrainas tha se është e natyrshme që ka zëra që mbështesin pavarësinë e Kosovës.
“Nuk është sekret që në parlamentin ukrainas ka një numër të caktuar deputetësh që janë mbështetës të idesë së njohjes së mundshme. Në fund të fundit, ata dëgjojnë mendimin e votuesve të tyre. Ukraina, si një shtet demokratik që respekton lirinë e fjalës, nuk mund të kufizojë shprehjen e lirë të opinioneve të tjera të politikanëve, qarqeve profesionale apo publikut. Në kushtet e agresionit të gjithanshëm të Rusisë kundër Ukrainës, çështja e dënimit publik dhe pa mëdyshje të krimeve ruse në Ukrainë dhe ofrimit të ndihmës praktike në luftën kundër armikut është veçanërisht i ndjeshëm për ne”, ka thënë ambasadori ukrainas.
“Është jetike për popullin e Ukrainës të mbrojë lirinë dhe pavarësinë e tij nga agresioni i paprovokuar rus. Sot, qindra ukrainas janë vrarë dhe mijëra janë plagosur rëndë nga pushtuesi rus. Shoqëria ukrainase, e cila paguan një çmim të lartë për lirinë e saj, e di se një pozicion neutral në raport me shtetin agresor në praktikë e ndihmon agresorin të kryejë krimet e tij, në vend që mbështetja praktike për normat e së drejtës ndërkombëtare – integriteti territorial i Ukrainës. Në këtë kontekst, ne duhet të njohim qëndrimin e qartë të udhëheqësve të Kosovës lidhur me dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, sidomos bashkimit me sanksionet ndaj agresorit”, tha ai.
Disa herë është raportuar për ndihmën që Serbia i jep Rusisë në fushën e pajisjeve ushtarake të cilat Rusia më pas i përdor gjatë agresionit ndaj Ukrainës.
Së fundi është raportuar se disa kompani serbe të krijuara nga shtetas rusë përdoren për të anashkaluar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga BE dhe SHBA dhe për të blerë komponentë të përdorur në prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, raportojnë mediat e specializuara, sipas Rrjetit Ballkanik të Sigurisë.
Rusia po përpiqet me të gjitha mjetet t’i sigurojë industrisë së saj ushtarake komponentë të prodhimit të huaj, gjë që tani është problem për shkak të sanksioneve, dhe për këtë arsye po përdor hile dhe blerje përmes vendeve të treta, përfshirë Serbinë./The Geopost/