
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla ka thënë se në provat e gjetura nga Policia e Kosovës në vendin ku ndodhi sulmit terrorist më 24 shtator ka qenë edhe bashkëpunëtori i djalit të Presidentit të Serbisë, Alekandar Vuçiç.
Sveçla tha se kanë gjetur dokumentin e Milorad Jevtic që tregon për pjesëmarrjen e tij. Ai publikoi edhe vizitat e djalit të Vuçiçit, Danilo Vuciq, në Kosovë të cilat i ka realizuar bashkë me Milorad Jevtic.
“Dy javë pas sulmit terrorist në Banjska, vijojmë me zbardhjen e fakteve që vërtetojnë lidhjen direkte të Serbisë në organizimin dhe realizimin e këtij sulmi. Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtic njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciq, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuciq. Nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciqit në Kosovë, 4 herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë. Milorad Jevtiq është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan”.
Sveçla tha se mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjska të Zveçanit.
Sikurse edhe kolegu i saj, edhe Gërvalla ka deklaruar se Jevtiq është bashkëpunëtor i ngushtë i Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Policia e Kosovës gjeti letërnjoftimin dhe veturën e Milorad Jevtiqit në vendin e sulmit terrorist. Jevtiq është bashkëpunëtor i ngushtë i Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Në katër nga pesë vizitat në Kosovë, ai ka kaluar kufirin në shoqëri me Danilo Vuçiqin”, ka shkruar Gërvalla në platformën “X”.
Ministrja më tej ka shtuar se vetëm veprimet vendimtare kundër regjimit të Vuçiqit, do të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm.
“Kjo siguron dëshmi të mëtejshme të aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës dhe përfshirjes së saj të drejtpërdrejtë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023. Vetëm veprimet vendimtare kundër regjimit të Vuçiqit do të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, u shpreh Gërvalla.
Kosova ka akuzuar direkt Serbinë për përfshirje në sulmin terrorist dhe ka publikuar prova që nga dita kur ndodhi sulmi. Serbia në anën tjetër nuk ka pranuar akuzat por ka vërtetuar se mbështet qëllimin e terroristëve meqë shpalli ditë zie për terroristët e vrarë në përleshjen me Policinë e Kosovës./The Geopost/