
Profesori universitar i Diplomacisë, Ibrahim Gashi, në një intervistë për The Geopost ka komentuar deklaratat e ministrit të Brendshëm të Serbisë Aleksandër Vulin për masakrën e Reçakut, duke i quajtur ato “çmenduri politike”, jo vetëm të një zyrtari por në përgjithësi të një shteti kriminal i cili, sipas tij, nuk po arrin të lirohet nga fryma ultranacionaliste e periudhës së Millosheviqit.
Sa u përket reagimeve të ndërkombëtarëve për këto deklarata, Gashi vlerëson se ato janë të pritshme, por duhet të jenë më të shpeshta.
Ndërsa, publikimin e librave dhe materialeve të ndryshme propagandistikë që bëhen në Serbi, me qëllim të shtrembërimit të historisë së fundit të luftës në Kosovë, por edhe të aktualitetit, Gashi e sheh si të rrezikshme, sepse “ajo lë gjurmë te gjeneratat e reja dhe prandaj duhet luftuar fuqishëm nga institucionet e Kosovës, duke inkurajuar dhe investuar edhe financiarisht në përkrahjen e projekteve dhe shkencëtarëve nga fusha të ndryshme të cilët do të faktonin të vërtetat e periudhës së luftës dhe pasluftës, siç janë dokumentuar ato të masakrës së Reçakut nga ambasadori i atëhershëm William Walker”.
Kurse, për ndikimin rus në Kosovë dhe rajon, profesori Gashi pohon se ai vjen edhe përmes spiunëve të cilët veshen me petkun e organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe prandaj duhet pasur kujdes nga këta persona, të cilët në disa raste edhe janë dëbuar nga organizatat përkatëse, pasi është zbuluar qëllimi i tyre destabilizues per vendin ose rajonin.
Në vazhdim lexoni intervistën e plotë:
The Geopost: Si e vlerësoni deklaratën e ministrit të Brendshëm të Serbisë Aleksandër Vulin për masakrën e Reçakut?
Gashi: Në fakt, një deklaratë në frymën e deklaratave ultranacionaliste serbe që mohon gjithçka që është shqiptare, e nuk është se s’jemi mësuar të dëgjojmë deklarata të tilla, por është kulmi që të mohohet një masakër, e cila është e njohur botërisht dhe është e argumentuar mirë dhe të dilet pa pikë turpi e të thuhet se është trillim i shqiptarëve, por në bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar , për të arsyetuar bombardimet e NATO-s, kjo është, nëse mund ta quajmë ashtu, një lloj çmendurie politike e një zyrtari të lartë, e cila shpreh edhe çmendurinë politike të një shteti kriminal i cili s’po arrin të lirohet nga fryma ultranacionaliste, shoveniste e kriminale e periudhës së Millosheviqit.
The Geopost: Si i vlerësoni komentet e ndërkombëtarëve lidhur me këtë deklaratë?
Gashi: Ndërhyrjet kanë qenë të pritura, kanë qenë normale, p.sh ndërhyrja e Departamentit të shtetit se masakra e Reçakut është e mirëargumentuar dhe po ashtu ndërhyrja e BE-së se mizoritë që kanë ndodhur në Reçak janë të njohura, për mendimin tim janë reagim i duhur, që ndoshta duhet të përsëritet më shpesh për arsye se serbët kanë reaguar edhe pas kësaj deklarate që kanë dhënë këto dy qendra të rendësishme të politikës botërore, të cilat kanë qenë edhe vetë të involvuara gjatë luftës në Kosovë, vetë e kanë identifikuar dhe shpallur masakrën e Reçakut, është fjala për ambasadorin William Walker. Reagimi do të duhej të ishte më insistues sepse Vulin prap u është përgjigjur reagimeve që kanë ardhur edhe nga Uashingtoni edhe nga Brukseli, duke thënë se ata po tmerrohen nga guximi i serbëve për ta thënë të vërtetën, që prap është një deklaratë jashtëzakonisht e rrezikshme në radhë të parë për marrëdhëniet dhe koegzistencën paqësore në rajon, është luftënxitëse dhe provokuese për të gjitha familjet e viktimave të masakrave që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve ’98 e ’99 nga autoritet serbe.
The Geopost: Si e vlerësoni publikimin e librit propagandastik për fëmijë në Serbi me titull “Kosharja, një betejë e re e Kosovës”. Cili mendoni se ka qenë qëllimi i këtij publikimi?
Gashi: Për ne historianët nuk janë të panjohura këto “histori” të porositura e të shkruara nga politika, nga njerëzit e afërt me politikën serbe, në frymën e politikave ditore të shtetit serb karshi Kosovës. Libri, për të cilin kam parë se është shkruar në portale, është një veprim i cili nuk ka të bëjë asgjë me racionalitetin, sepse t’u ofrohet fëmijëve një falsifikim aq i dukshëm i historisë mbi një betejë ku janë thyer forcat e Ushtrisë Serbe për shkak të një rezistence të fuqishme të forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për shkak të ndërhyrjes ajrore nga forcat e NATO-s dhe të provohet nga ajo të krijohet një betejë legjendare të quajtur madje edhe beteja e re e Kosovës ose beteja e dytë për Kosovën është një përpjekje të falsifikohet historia e luftës së fundit, sikur edhe shumë përpjekje të cilat po e shohim se kanë shkuar në instanca shumë të larta, duke provuar që ta përnbysin të vërtetën, të cilën e ka njohur e gjithë bota lidhur me krimet serbe që janë bërë në Kosovë gjatë luftës dhe ta krijijojnë kushtimisht “një të vërtetë të re, se serbët kanë bërë një luftë të shenjtë, një luftë për të mbrojtur vatrat e tyre”, në fakt serbët kanë bërë një luftë të tokës së djegur, e din mirëfilli sot edhe publicistika edhe shkenca gjithëbotërore, sidomos kjo e Evropës Perendimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë qenë protagoniste në këtë luftë të cilët e dijnë se serbët kanë bërë një luftë të tokës së djegur, të dëbimit masiv dhe masakrimit të shqiptarëve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike duke pretenduar që ta zbrazin Kosovën dhe ta konolizojnë me serbë. Pra, kemi të bëjmë me një luftë tipike pushtuese, ekspansioniste e cila provohet të paraqitet në librat e fëmijëve në moshë shumë të re si “një luftë e shenjtë”, “luftë për tokën e të parëve” etj. që nuk është se kalon pa lënë gjurmë tek edukimi i gjenerateve të reja. Pra kemi një tendencë për të krijuar një edukim të shtrembëruar për luftërat pushtuese dhe të humbura që i ka pasur Serbia në fund të shekullit të kaluar në hapësirat e ish-Jugoslavisë ,duke filluar nga Bosnja e Hercegovina, Kosova e Kroacia. Tash, për t’i arsyetuar ato humbje duhet t’i paraqesin si heronjë ata që e pushtuan një vend por që nuk ia dolën. Pra, është një tendencë, nganjëherë edhe e çuditshme sa larg shkon imagjinata e politikbërësve dhe akademikëve serbë, të cilët janë në shërbim të politikës ditore serbe.
The Geopost: Kohët e fundit është vërejtur një tendencë e Serbisë dhe Rusisë përmes faktorëve të ndryshëm për të paraqitur narracionin e rrejshëm për luftën e Kosovës. Cili është mendimi juaj për këtë?
Gashi: Në fakt narracioni serb nuk dallon nga ai rus, madje e ka marrë si model atë, është një përpjekje që të forcohet narracioni serb përmes atij rus, duke ditur se Rusia është një fuqi më e madhe ka një shtrirje të ndikimit të saj ne një zonë të madhe të vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, edhe Rusia e sotme ka shumë ndikim në atë pjesë të Evropës dhe të Azisë Qendrore dhe përpjekja është që të shpërndahet një “e vërtetë”, një version serb lidhur me luftën në Kosovë, një narracion që po e krijon publicistika dhe politika serbe për luftën në Kosovë për ta shpërdarë edhe në atë pjesë të botës. Kjo nuk është e rastësishme, është shumë e qëllimshme dhe mund të ketë pasoja. Sepse, egziston një komunitet i madh i shteteve në të cilat Rusia ka ndikim. Pra, Serbia po punon me të gjithë mekanizmat e saj, për ta plasuar në opinionin ndërkombëtar një narracion të saj lidhur me luftën e Kosovës, lidhur me Kosovën, lidhur me të vërtetën për Kosovën në mënyrë që me këtë farsë ta mbulojë të vërtetën, qoftë për të kaluarën ose edhe për aktualitetin e Kosovës.
The Geopost: Çfarë hapa mendoni se duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës për t’iu kundërvënë kësaj propagande dhe kësaj tendence?
Gashi: Pyetje me vend. Unë mendoj që institucionet e Kosovës, instituconet politike, nuk duhet të ndërhyjnë në punën e institucioneve akademike, por duhet t’i inkurajojnë institucionet akademike që të mërren me afirmimin dhe publikimin e të vërtetës jo vetëm për luftën e fundit, por edhe për aktualitetin nëpër të cilin po kalon shteti i Kosovës. Pra, institucinet akademike kanë obligim mbi bazën e burimeve të shumta ta shkruajnë një histori të mirëfilttë sidomos për zhvillimet e fundit të shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekulli, ku ka përpjekje të Serbisë ta shtrembërojë atë. Në këtë rast institucionet duhet t’i inkurajojnë akademitë e institutet e ndryshme, t’i angazhojnë politologët, historianët, shkencëtarët që të kontribuojnë në ndriçimin e një të vërtete të pakontestueshme dhe publikimet e tyre të bëhen për ndërkombëtarët, të bëhen në gjuhë të ndryshme që të dëshmojnë se përpjekjet e Serbisë për ta mbajtur Kosovën janë përpjekje të një pushtuesi për ta mbajtur tokën e pushtuar që s’ka asnjë lidhje me të kaluarën e saj kombëtare, por që janë krijuar disa elemente gjatë të kaluarës, të cilët serbët mundohen t’i paraqesin si institucione identitare, siç është rasti me Kishën Ortodokse Serbe dhe kishat e manastiret nëpër Kosovë, të cilave shteti u ka dhënë trajtim të jashtëzakonshëm, ata mundohen t’i paraqesin si tokë të shejtë të tyre. Ka shumë për të bërë në këtë drejtim.
The Geopost: Si e komentoni ndikimin rus përmes organizatave ndërkombëtare të cilat veprojnë në Prishtinë. Sa është e dëmshme kjo për Kosovën por edhe Perëndimin?
Gashi: Në këto organizata rajonale shumëpalëshe por edhe ndërkombëtare, rusët janë bërë pjesë e tyre jo për ta ndihmuar ruajtjen e funksionimit dhe stabilitetit të bashkëjetesës në vendet e ish-Jugosllavisë, por janë involvuar më shumë për të destabilizuar përpjekjet që bën bashkësia ndërkombëtare dhe kjo është provuar disa herë, që zyrtarë rusë, të veshur me petkun e misionit ndërkombëtar të OKB-së në Kosovë kanë bërë një punë të rrezikshme të spiunazhit për qarqet politike të Rusisë. Dhe kjo u vërtetua para disa muajve kur NATO u detyrua të dëbojë disa nga vëzhgues të Federatës Ruse në Bruksel pranë selisë së NATO-s, për shkak se u zbuluan që po bartnin informacione strategjike e sekrete të Aleancës. Madje edhe në Këshillin e Evropës zyrtarët rusë kanë qenë njerëzit që e kanë shtyrë maksimalisht projektin e Dik Martit të shkojë përpara që mos të them që edhe e kanë financuar duke u munduar ta baltosin Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që ndikoi edhe në krijimin e Dhomave të Specializuara, pavarësisht se raporti u demantua dhe nuk është pjesë e aktakuzave për krerët e UÇK-së atje, por u nis nga protagonistë dhe anëtarë të Këshillit të Evropës që e përfaqësonin Rusinë dhe shtetet që e përkrahin atë. Pra, kudo që i kemi parë nëpër forume ndërkombëtare shumëpalëshe , kemi parë përprekje për destruktivitet dhe minim të proceseve të rëndësishme.