
Sulmi i ndodhur kibernetik në Shqipëri ishte i planifikuar dhe përkrahur nga Qeveria e Iranit dhe se ky është veç se fillimi.
Kështu thotë në një intervistë për The Geopost, eksperti i kibernetikës Tanzer Abazi duke shtuar se shqetësimi për këto sulme është ngritur qysh nga nisja e agresionit ushtarak rus në Ukrainë.
“Shqetësimin e sulmeve kibernetike e kemi ngritur prej fillimit të luftës Ukrainë-Rusi, ku e kemi parë një tendencë që po krijohen aleatë të ndryshëm që po i përkrahin të dyja anët. Rusia ka ndërtuar aleatët e vet që ka qenë Irani, Kina e kështu me radhë, po flas në aspektin kibernetik”, thotë Abazi.
Sipas tij, tashmë ka tendencë të shtimit të këtyre sulmeve kibernetike.
“Prej asaj kohe, ka pasur një tendencë të shtuar të sulmeve kibernetike të ndodh në secilin shtet dhe jo shumë larg ne e patëm rastin në Shqipëri, ku ishte cak i sulmeve të hakerave të sponzorizuar nga Irani”, shton ai.
Abazi thekson se sulmet kibernetike të ndodhura në Kosovë ka qenë për qëllim të ndaljes së shërbimeve.
“Me atë që ka ndodhur në Kosovë, ka qenë tendenca për ndaljen e shërbimeve të institucioneve publike, ai lloj i sulmit nuk do të thotë që vjen nga shtetet edhe pse trafiku është gjeneruar nga Rusia, është gjeneruar nga Kina, është gjeneruar nga Irani, por jo doemos do të thotë që ata janë akterë që jan planifikuar së bashku të bashkëpunojnë për të sulmuar institucionet, mund të ketë qenë dikush edhe ktu që ka blerë një shërbim të tillë dhe gjeneron trafik nga atje”, thekson Abazi.
Në fund, njohësi i sigurisë thotë se shpeshë nuk po mund të përballohen ato sulme që vijnë, sikurse që ishte rasti me Shqipërinë.
“Nuk dua të them që nuk janë të aftë por nuk kanë në duar edhe shumë vendimmarrje se çka duhet për të blerë, nuk kanë buxhet ku duan ata t’i orientojnë e kështu me radhë dhe këto i sjellin sfidat e veta që nuk po mundemi nganjëherë t’i përballojnë këto lloj sulmeve që po na vijnë, që nuk mund të them se janë sulme shumë të avancuara në krahasim me ato që kanë ndodhur në Shqipëri”, përfundon ai.
Intervista e plotë
The Geopost: Sa është Ballkani dhe Kosova e rrezikuar me sulmet kibernetike kohëve të fundit dhe prej cilave shtete më së shumti sulmohet?
Shqetësimin e sulmeve kibernetike e kemi ngritur prej fillimit të luftës Ukrainë-Rusi, ku e kemi parë një tendencë që po krijohen aleatë të ndryshëm që po i përkrahin të dyja anët. Rusia ka ndërtuar aleatët e vet që ka qenë Irani, Kina e kështu me radhë, po flas në aspektin kibernetik.
Një pjesë e madhe e botës, duke përfshirë edhe vendin tonë edhe Shtete e Bashkuara të Amerikës edhe Anonymus që është një grup prej hakerave ndërkombëtarë ka përkrahur Ukrainën në këtë luftë.
Prej asaj kohe, ka pasur një tendencë të shtuar të sulmeve kibernetike të ndodh në secilin shtet dhe jo shumë larg ne e patëm rastin në Shqipëri, ku ishte cak i sulmeve të hakerave të sponsorizuar nga Irani.
Edhe Kosova pati një varg sulmesh në të gjitha institucionet, në ofrues të shërbimeve të internetit edhe në bizneset private dhe duke mos anashkaluar mediet.
The Geopost: Sa ka qenë serioz sulmi të cilin e përmendet nga Irani dhe a pritet të ketë sulme të tjera, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë?
Ky është vetëm fillimi, unë besoj që do të ketë tendenca dhe sulmet kibernetike do të shtohen me digjitalizimin e të gjitha këtyre shërbimeve, kjo tendencë është në rritje.
Kjo që Irani ka bërë ka qenë diçka e planifikuar dhe hakerat kanë qenë të sponsorizuar nga shteti, siç janë edhe raportet publike të Microsoftit, i cili është i kontraktuar nga Qeveria e Shqipërisë për shërbime.
Ata kanë draftuar një raport të detajuar, kanë treguar se si kanë hyrë dhe kanë qëndruar prej afër 10 deri në 12 muaj brenda në sistemet e Shqipërisë dhe vetëm kanë mbledhur informacion. Ajo që ka ndodhur në Shqipëri ka qenë e shënjestruar dhe shumë e planifikuar, gjithçka e draftuar dhe normal një ekip i sponsorizuar nga shteti.
Ndërsa atë sulm e diferencoj me atë që ka ndodhur në Kosovë, ka qenë tendenca për ndaljen e shërbimeve të institucioneve publike, ai lloj i sulmit nuk do të thotë që vjen nga shtetet edhe pse trafiku është gjeneruar nga Rusia, është gjeneruar nga Kina, është gjeneruar nga Irani, por jo doemos do të thotë që ata janë akterë që janë planifikuar së bashku të bashkëpunojnë për të sulmuar institucionet, mund të ketë qenë dikush edhe këtu që ka blerë një shërbim të tillë dhe gjeneron trafik nga atje.
The Geopost: Në Kosovë ka mjaft individual që punojnë për kompani të mëdha të teknologjisë informative perëndimore, sa ka kapacitet Kosova t’i bashkoj të gjithë këta ekspert, që t’i kundërvihet këtij fenomeni mjaft të rrezikshëm?
Ne në vazhdimësi që nga viti 2013 jemi munduar të mbledhim bashkë këtë komunitet, për të qenë bashkë me një gjuhë, për të bashkëpunuar, dhe kemi bërë disa gara që i kemi quajtur “Dita kur hakimi është legal”, i kemi testuar aftësitë e tyre dhe jemi munduar t’i ekspozojmë këta persona te institucionet shtetërore dhe bizneset për t’i angazhuar.
Ne këtë vit e kemi edicionin e VII-të të kësaj gare, ku Ambasada amerikane i ndanë 20 mijë dollarë për këta të rinj për t’i ndihmuar medieve për të identifikuar dobësitë. Ne kemi mjaft të talentuar, dhe këtë talent e kemi zhvilluar mund të them pas luftës, por lufta kibernetike ka vazhduar dhe ai talent është zhvilluar në Kosovë, por këta njerëz janë duke i marrë shtetet e perëndimit për shkak të talentit që kanë zhvilluar dhe ne kemi mbetur pa kuadro këtu, kemi mbetur me pozita deficitare të pa mbuluara dhe kemi mbetur ndoshta në duart e njerëzve jo shumë të aftë në këtë punë e që punojnë nëpër institucione.
Nuk dua të them që nuk janë të aftë por nuk kanë në duar edhe shumë vendimmarrje se çka duhet për të blerë, nuk kanë buxhet ku duan ata t’i orientojnë e kështu me radhë dhe këto i sjellin sfidat e veta që nuk po mundemi nganjëherë t’i përballojnë këto lloj sulmeve që po na vijnë, që nuk mund të them se janë sulme shumë të avancuara në krahasim me ato që kanë ndodhur në Shqipëri.
The Geopost: Mesazhi i juaj si ekspert, si të mbrohemi nga këto sulme?
Mbrojtja nga këto sulme, fikeni kompjuterin mos e përdorni, është një kaos kibernetik nëpër botë. Duhet të kemi kujdes në gjithçka se sot janë duke u sulmuar edhe top korporatat e mëdhaja si Facebook, Google, Ubisoft si dhe shumë kompani tjera që kanë shitur informacione në internet, këto raste është një koncept që ne e quajmë Zero Trust Model (Modeli Zero i Besueshmërisë), që mos t’i besojmë as teknologjisë, as njerëzve as parimeve dhe praktikave.
Kjo nënkupton që gjithë vendimmarrjen duhet marrë me shumë kujdes, qasje sa më të limituar në internet në rrjete sociale, sa më pak shkarkime.
Nuk dua t’i jap ato këshillat gjenerale që mos të klikoni në linqe të dyshimta, se ndonjëherë të vjen edhe linku shumë i qartë, duket shumë i besueshëm, por në fakt është virus dhe kjo është teknologjia e sofistikuar, hakerat çdo ditë e më shumë po zhvillohen dhe janë duke ecur me një hap shumë më të madh se sa korporatat që po munden t’i detektojnë, kjo është arsyeja pse ndodh një virus që hyn dhe 365 ditë qëndron në sisteme deri sa një ekip i brendshëm e kupton atë. /The Geopost/