Rusia, Irani po ashtu dhe Koreja e Veriut janë vendet kryesore se prej nga vijnë sulmet kryesore në botë, thekson inxhinieri i softuerit Milot Shala.
Inxhinieri Shala në një intervistë për The Geopost thotë se përkundër shtimit të sulmeve, është duke u bërë pak në vetëdijësimin e popullsisë.
“Spektrumi i shteteve të fuqishme në këtë rast në luftë kibernetike është kryesisht Kore e Veriut, Rusi, Iran, pra shtetet më të forta në këtë kontekst i bëjnë këto sulme”, thotë Shala.
Ai shton përmend rastin kur hakerët rusë kishin sulmuar Ukrainën.
“Nëse e shohim nga ana historike se si ka ndodhur deri më tani, kujtoni ngjarjen e vitit 2015 apo 2016 kur rryma është ndërprerë në Ukrainë, ka ardhur saktësisht prej Rusisë në atë kohë”, shton ai.
Shala shprehet se sulmet që vijnë direkt nga shtetet janë shumë të sofistikuara.
“Nëse veç vie prej shteteve, janë sulme shumë të sofistikuara për arsye se shtetet kanë buxhet thuajse të pa limituar në kontekstin, nëse veçse dëshirojnë të investojnë”, shprehet Shala.
Sipas inxhinierit të softuerit, kërkohet vetëdijësim në mënyrë që të mbrohemi nga këto lloj sulme.
“Duhet vetëdijësimi, se prap në anën teknike ju mund të mbroheni në njërën apo tjetrën mënyrë, por ku është ajo pika më e dobët, është qështja e faktorit njeri”, thekson ai.
Në këtë intervistë, Shala ka dhënë disa këshilla praktike se si duhet të mbrohemi nga sulmet kibernetike.
The Geopost: Prej cilave shtete sulmohet më së shumti Ballkani, konkretisht Kosova nga sulmet kibernetike?
Shala: Nëse e shohim nga ana historike se si ka ndodhur deri tani, nëse na kujtohet ngjarja e vitit 2015 apo 2016 kur rryma është ndërprerë në Ukrainë, ka ardhur saktësisht prej Rusisë në atë kohë. Për shemlull edhe si është bërë sulmi, është bërë shumë në mënyrë inteligjente prej anës së Rusisë në këtë rast, e kanë infektuar përditësimin e softuerit dhe kur përdoruesit e kanë klikuar për të përditësuar softuerin, virusi vetëm se ka hyrë në sistem dhe në atë formë kanë marrë qasje në infrastrukturë kritike.
Një pjesë tjetër, nëse i kujtojmë lojërat Olimpike që kanë ndodhur më heret në Kore, ka qenë Korea e Veriut që e ka bërë po atë sulm. Spektrumi i shteteve të fuqishme, në këtë rast në luftë kibernetike është kryesisht Kore e Veriut, Rusi, Iran, pra shtetet më të forta në këtë kontekst i bëjnë këto sulme.
The Geopost: Rastin e fundit të sulmeve kibernetike e kemi kur Shqipëria është sulmuar nga Irani, si duhet të mbrohemi nga këto sulme dhe a kanë kapacitete të mjaftueshme Kosova, Shqipëria dhe shtetet e Ballkanit që ti kundërvihen këtyre sulmeve?
Shala: Nëse e shohim spektrumin e anës së sulmeve, vjen prej disa llojeve, vjen prej personave, individëve që e kanë vetëm hobi, vjen prej personave që duan të marrin informata prej korporatave, por vjen edhe prej personave të njohur si “Kërcënim i avancuar i vazhdueshëm” që janë shtetet në këtë rast. Dhe nëse veç vjen prej shteteve, janë sulme shumë të sofistikuara për arsye se shtetet kanë buxhet thuajse të palimituar në kontekstin, nëse veçse duan të investojnë. Prandaj, kur sulmet vinë nga shtetet, sidomos, në rastin konkret nga Irani, gjasat për t’u mbrojtur, pasi të vijë sulmi janë shumë të mëdha, sidomos, në shumicën e rasteve, historikisht, kanë hyrë dhe kanë qëndruar me muaj apo me vite brenda në sistem, derisa e kanë marrë plotësisht në kontrollë sistemin. Kur vërehet sulmi është shumë vonë, çka duhet të ndodhë në këtë rast, duhet të ndodhë trajnimi, duhet të ndodhë vetëdijësimi i gjithë popullsisë paraprakisht, se kur të vjen sulmi veç është vonë.
The Geopost: Kosova po ashtu është mjaft e sulmuar nga hakerët serbë të cilët koordinohen prej shtetit të Serbisë, si iu keni kundërvënë këtyre sulmeve ju si komunitet i IT-së dhe sa janë të rrezikshme për Kosovën?
Shala: Në aspektin e komunitetit nëse e shohim, normal që ne secili kur jemi në IT dhe kur jemi profesionistë, dimë ta edukojmë rrethin tonë shumë mirë, për shembull ta spjegojmë çka është “phishing” ose në çfarë forma mund të vijë. Unë ku mendoj që duhet bërë pak më shumë punë, është vetëdijësimi pak më i madh, të rritet spektrumi. Për shembull një prej arsyeve është edhe ICT-ja, është një pjesë e madhe që kontribuon në këtë. Vetëm duhet vetëdijësimi, se prap në anën teknike ju mund të mbroheni në njërën apo tjetrën mënyrë, por ku është ajo pika më e dobët, është çështja e faktorit njeri.
TheGeopost: Cili është mesazhi i juaj për lexuesit tanë, si të mbrohemi nga këto sulme?
Shala: Pika kryesore është të edukohemi më shumë, me qenë shumë të vetëdijshëm se çka kemi bërë online, çka kemi porositur online, dhe jo çdo send që e shohim duhet ta klikojmë.
Janë disa pika që unë do t’i sygjeroja, para se të klikohet një link në e-mail, nëse të vjen, afroje mausin dhe shikoje se në cilin link po të dërgon? Krejt shfletuesit modernë e kanë poshtë atë shiritin që të tregon, për shembull nëse të ka ardhur e-maili prej “Gjirafës”, kqyre a po të dërgon në “Gjirafa50” apo “Gjirafamall”, dhe pika tjetër nëse e sheh që të ka ardhur një e-mail prej një personi që ju nuk e njihni mirë dhe ka ardhur me një “attachment”, mos e shkarkoni menjëherë, verifikojeni së pari./The Geopost