Gjashtëdhjetë e shtatë gazetarë janë vrarë në 12 muajt e fundit si pasojë direkte e punës së tyre, thuhet në raportin e ri të Reporterëve pa Kufij (RSF), i cili e cilëson vitin 2025 si “vit vdekjeprurës për gazetarët”.
Sipas RSF, shumica e viktimave nuk vdesin rastësisht, por vriten qëllimisht nga ushtri të rregullta, grupe paramilitare apo rrjete kriminale. Nga 67 gazetarët e vrarë, të paktën 53 kanë qenë shënjestër e luftërave apo organizatave kriminale.
Pothuajse 43% e të gjithë gazetarëve të vrarë gjatë vitit të kaluar, sipas raportit, janë vrarë në Rripin e Gazës, nga forcat e armatosura izraelite.
Në Ukrainë, ushtria ruse vazhdon të shënjestrojë gazetarë ukrainas dhe të huaj.
Sipas RSF, gazetarët janë më të rrezik nga kërcënimet në shtetet e tyre. Vetëm dy gazetarë të huaj janë vrarë këtë vit: fotoreporteri francez Antoni Lallican në Ukrainë dhe gazetari nga Salvadori Javier Hercules në Honduras. Të gjithë të tjerët u vranë në vendin e tyre të origjinës.
Sudani është shndërruar po ashtu në një zonë vdekjeprurëse, ndërsa në Meksikë, kartelët e krimit të organizuar kanë rritur numrin e vrasjeve, duke e bërë këtë shtet të dytin më të rrezikshëm në botë për gazetarët.
Aktualisht, 503 gazetarë janë të arrestuar në mbarë botën. Kina mban numrin më të lartë me 121 të ndaluar, ndërsa Rusia vjen e dyta me 48, përfshirë 26 gazetarë ukrainas.
Në vendin e tretë renditet Mianmari, një prej shteteve më represive për mediat.
Në 37 vende të botës, 135 gazetarë figurojnë të zhdukur – shumica në Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine. Në këtë listë përfshihet edhe Kosova, me pesë gazetarë të zhdukur që nga lufta e viteve 1998–1999.
Sipas RSF, 20 gazetarë janë aktualisht peng – të gjithë burra. Më të rrezikshmet për pengmarrje janë:
Jemeni – 9 gazetarë, shumica të rrëmbyer nga rebelët Huthi;
Siria – 8 gazetarë;
Mali – 2 gazetarë.
Raporti i RSF përmend edhe situatën alarmante në Serbi.
Që nga fillimi i protestave kundër korrupsionit, pas shembjes së strehës së një stacioni treni në Novi Sad në nëntor 2024, janë regjistruar 98 sulme fizike ndaj gazetarëve, prej të cilave 91 kanë ndodhur pas 1 janarit 2025. Rreth gjysma janë kryer nga policia, në një klimë të tensionuar ndaj mediave, të nxitur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i listuar nga RSF si “kërcënues i lirisë së shtypit”.
Në ngjarjen tragjike në Novi Sad, ku u shemb streha e një stacioni treni, kanë humbur jetën 16 persona. Studentët dhe qytetarët po protestojnë prej një viti duke kërkuar përgjegjësi dhe zgjedhje të reja.
Në indeksin vjetor të publikuar më 2 maj, Kosova shënoi rënien më të madhe ndër vite, duke u renditur në vendin 99 nga 180 shtete, rezultati më i dobët në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Mali i Zi u rendit më së miri ndër vendet e rajonit, ndërsa Serbia u vendos në pozicionin 96./TheGeopost.

Marina franceze kap një cisternë nafte të sanksionuar në Mesdhe që lundronte nga Rusia
Polonia prezanton sistemin më të madh anti-dron në Evropë, pjesë e përgatitjeve kundër kërcënimeve ruse
Gjermania arreston tre persona për spiunazh dhe mbështetje të forcave pro-ruse
Marrëveshje për Ukrainën, takimi Trump – Zelensky në Davos
Si po zhvillon Rusia një fushatë të heshtur sabotimi në Evropë
Mbrojtja ajrore e Ukrainës shënon sukses të madh, rrëzon mbi 340 raketa dhe dronë rusë