Gati katër vjet pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, veteranët e luftës që kthehen në Rusi po krijojnë një valë të re dhune brenda vendit.
Sipas një hetimi të detajuar të medias së pavarur Vyorstka, i cili ka shqyrtuar qindra vendime gjyqësore publike, ushtarakët rusë të kthyer nga fronti kanë vrarë të paktën 551 persona dhe kanë lënduar rëndë 465 të tjerë brenda Rusisë.
Në total, mbi 1,000 njerëz kanë rënë viktimë të këtyre incidenteve, shumica e të cilave kanë ndodhur në konflikte familjare ose personale.
Shumica e viktimave janë të afërm ose të njohur të autorëve. Rreth gjysma e krimeve kanë qenë të lidhura me konsumimin e alkoolit ose drogës, duke shfaqur një model të përsëritur mosmarrëveshjesh që shndërrohen në dhunë fatale. Ndër vrasjet, 274 janë klasifikuar si vrasje të drejtpërdrejta, 163 persona kanë vdekur pas dëmtimeve të rënda trupore, 78 në aksidente rrugore të shkaktuara nga veteranët dhe 36 në raste të tjera kriminale, përfshirë ato të lidhura me drogën.
Një pjesë e madhe e autorëve apo më shumë se gjysma në rastet e vdekjeve dhe lëndimeve, janë ish-të burgosur që u rekrutuan nga burgjet ruse për të luftuar në Ukrainë, shpesh në këmbim të faljes së dënimit. Të paktën 163 viktima dhe 252 të lënduar rëndë kanë rënë prej duarve të këtyre ish-të dënuarve, shumë prej të cilëve kishin histori të mëparshme kriminale të rëndë.
Gjykatat ruse i kanë trajtuar këto raste me një dozë të konsiderueshme lehtësie. Nga më shumë se 700 vendime gjyqësore të shqyrtuara nga Vyorstka, rreth 90% e tyre kanë përmendur pjesëmarrjen në “operacionin ushtarak special” në Ukrainë si faktor lehtësues.
Gjykatësit shpesh kanë cituar dekorata shtetërore, statusin e veteranit, lëndimet e luftës ose “meritat ushtarake” për të ulur dënimet. Në pothuajse një të katërtën e rasteve, sjellja “e paligjshme” ose “imorale” e viktimave është përdorur si arsye për mëshirë. Ndërkohë, dehja e pranishme në 486 raste, është injoruar si faktor rëndues në më shumë se 326 prej tyre.
Hetuesit e Vyorstka theksojnë se numri real i krimeve mund të jetë ndjeshëm më i lartë. Që nga fillimi i luftës, gjykatat ushtarake garnizone kanë ndaluar pothuajse plotësisht publikimin e vendimeve për raste të tilla. Shpesh, detajet identifikuese fshihen, informacioni për shërbimin ushtarak hiqet ose vendimet fshihen pas publikimit.
Derisa presidenti rus deklaron se mbi 700,000 trupa ruse janë aktualisht të vendosura në Ukrainë, autoritetet thonë se vetëm rreth 140,000 ushtarë janë kthyer deri tani në jetën civile. Ky numër relativisht i vogël i të kthyerve tregon se problemi mund të përkeqësohet ndjeshëm në të ardhmen, kur qindra mijëra veteranë të tjerë të kthehen në shtëpi, shpesh pa mbështetje adekuate psikologjike ose sociale për të përballuar traumat e luftës.
Ky hetim hedh dritë mbi një krizë sociale në zhvillim në Rusi, ku heronjtë e propagandës shtetërore shndërrohen në kërcënim për komunitetet e tyre.
Ndërsa lufta vazhdon, shoqëria ruse përballet me pasojat e gjata të një konflikti që po lë gjurmë të thella jo vetëm në Ukrainë, por edhe brenda kufijve të vet./TheGeopost.

Marina franceze kap një cisternë nafte të sanksionuar në Mesdhe që lundronte nga Rusia
Polonia prezanton sistemin më të madh anti-dron në Evropë, pjesë e përgatitjeve kundër kërcënimeve ruse
Gjermania arreston tre persona për spiunazh dhe mbështetje të forcave pro-ruse
Marrëveshje për Ukrainën, takimi Trump – Zelensky në Davos
Si po zhvillon Rusia një fushatë të heshtur sabotimi në Evropë
Mbrojtja ajrore e Ukrainës shënon sukses të madh, rrëzon mbi 340 raketa dhe dronë rusë