
Rusia mund të rrisë taksat për herë të parë që nga pushtimi i Ukrainës për të mbyllur një vrimë në buxhetin e shtetit, raportoi të mërkurën grupi i pavarur i medias The Bell, duke cituar burime të njohura me diskutimet.
Bashkimi Rus i Industrialistëve dhe Sipërmarrësve (RSPP) ka propozuar rritjen e taksës aktuale prej 20% mbi të ardhurat personale për kompanitë ruse me 0.5 pikë përqindje, sipas The Bell.
Iniciativa thuhet se ishte një kundërpropozim ndaj kërkesës së kryeministrit Mikhail Mishustin që anëtarët e RSPP t’i paguajnë qeverisë një shumë prej 200 miliardë rubla (2.8 miliardë dollarë).
Zëvendëskryeministri Andrei Belousov i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS të mërkurën se qeveria po diskuton që t’u kërkojë kompanive të mëdha të japin një “kontribut vullnetar” të vetëm në buxhet.
Spekulimet rreth rritjeve të mundshme të taksave janë intensifikuar pasi Rusia përballet me kosto të konsiderueshme të mbrojtjes dhe rënie të të ardhurave në vazhdën e luftës në Ukrainë, pjesërisht për shkak të kufijve të çmimeve perëndimore në eksportet ruse të naftës.
Deficiti buxhetor i Rusisë u rrit në 1.76 trilion rubla (24.8 miliardë dollarë) në janar, tha të hënën Ministria e Financave, niveli më i lartë që nga viti 1998.
Autoritetet ruse presin që deficiti total buxhetor të jetë 2% e PBB-së në vitin 2023./themoscowtimes/