
Policia gjermane ka nisur një hetim mbi sëmundjen e papritur dhe të pashpjegueshme të një aktiviste dhe gazetarje të opozitës ruse që mori pjesë në një konferencë në Berlin në prill, konfirmoi policia në Berlin për Radion Evropa e Lirë (REL) më 21 maj.
Hetimi filloi pas raportimeve për probleme shëndetësore pas përfundimit të tubimit të disidentëve të 29-30 prillit, policia konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një raport të mëparshëm të gazetës gjermane Die Welt.
Takimi u organizua nga Mikhail Khodorkovsky, një ish-oligark në mërgim dhe kritik i Kremlinit.
Një nga pjesëmarrësit, një gazetare që u largua së fundmi nga Rusia, përjetoi simptoma të paspecifikuara gjatë ngjarjes dhe tha se ato mund të kenë filluar më herët.
Ajo u trajtua në Spitalin Universitar Charite në Berlin, ku edhe lideri i opozitës ruse Alexei Navalny u trajtua për helmim në gusht 2020, raporton AFP.
Një tjetër pjesëmarrëse, Natalia Arno, Drejtore e Fondacionit Rusia e Lirë në SHBA, ndjeu simptomat kur udhëtoi për në Pragë nga një takim në Berlin.
Ajo gjithashtu zbuloi se dhoma e saj e hotelit ishte e hapur, raporton agjencia. Të nesërmen, ajo udhëtoi për në SHBA, ku jeton për dhjetë vitet e fundit. Atje ajo iu drejtua spitalit dhe autoriteteve për ndihmë.
Arno shkoi në Facebook këtë javë për të përshkruar simptomat, dhimbje të forta dhe mpirje. Ajo shkroi se simptomat e para të pazakonta u shfaqën para se të mbërrinte në Pragë, duke shtuar se ndihej më mirë por se këto simptoma nuk ishin zhdukur plotësisht.
Disa kundërshtarë të Kremlinit janë helmuar jashtë vendit dhe në Rusi vitet e fundit.
Moska mohon përgjegjësinë e shërbimeve të saj sekrete. Ndërkohë, laboratorët evropianë kanë konfirmuar se Navalny u helmua me helmin Novichok të epokës sovjetike./RSE/