Qeveria e Lituanisë shpalli të martën gjendje të jashtëzakonshme pasi balona kontrabandiste me origjinë nga Bjellorusia kanë shkaktuar ndërprerje të përsëritura në trafikun ajror dhe kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë kombëtare.
Vilnius i ka kërkuar parlamentit që të lejojë ushtrinë të bashkëpunojë drejtpërdrejt me policinë dhe rojet kufitare në menaxhimin e situatës.
Aeroporti i Vilniusit është detyruar të mbyllet disa herë për shkak të këtyre balonave meteorologjike, të cilat Lituania thotë se përdoren nga kontrabandistët për transport të cigareve dhe përbëjnë një formë presioni nga Minsku.
Autoritetet lituaneze e kanë cilësuar situatën si një “sulm hibrid” nga Bjellorusia, aleat i ngushtë i Rusisë.
“Gjendja e jashtëzakonshme shpallet jo vetëm për shkak të ndërprerjeve të aviacionit civil, por edhe për shkak të interesave të sigurisë kombëtare”, deklaroi ministri i Brendshëm, Vladislav Kondratoviq, gjatë një mbledhjeje të transmetuar drejtpërdrejt.
Autoritetet bjelloruse kanë mohuar çdo përgjegjësi për balonat dhe kanë akuzuar Lituaninë për provokime, përfshirë një rast të supozuar të dërgimit të një droni që mbante “material ekstremist”. Lituania i ka hedhur poshtë akuzat si të pavërteta.
Kondratoviq konfirmoi se qeveria i ka kërkuar parlamentit të autorizojë ndërhyrjen e ushtrisë, jo vetëm në bashkëpunim me policinë dhe rojet kufitare, por edhe në operim të pavarur kur të jetë e nevojshme.
Nëse kërkesa miratohet, ushtria do të ketë të drejtë:
të kufizojë aksesin në zona të caktuara,
të ndalojë dhe kontrollojë automjete,
të verifikojë dokumente dhe sende personale,
të ndalojë persona që rezistojnë apo dyshohen për krime.
“Ushtria do të lejohet të përdorë forcën për këto funksione”, tha ministri i Mbrojtjes, Robertas Kaunas. Sipas tij, masat emergjente do të mbeten në fuqi derisa qeveria të vendosë t’i tërheqë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi më 1 dhjetor se situata në kufirin lituanez po përkeqësohet, duke i quajtur incursionet me balona një “sulm hibrid krejtësisht të papranueshëm” nga Bjellorusia.
Kjo nuk është hera e parë që Lituania përballet me taktika të tilla. Në vitin 2021, Vilniusi shpalli gjendje të jashtëzakonshme në kufi për shkak të përpjekjeve të koordinuara të Bjellorusisë për të shtyrë migrantë ilegalë drejt territorit lituanez.
Një vit më vonë, pas pushtimit rus të Ukrainës, Lituania shpalli një tjetër gjendje emergjente nga frika se mund të bëhej shënjestër e radhës.
Shpallja e sotme e gjendjes së jashtëzakonshme shihet si një përpjekje e Lituanisë për të rritur gatishmërinë dhe për të parandaluar provokime të mëtejshme nga regjimi bjellorus, teksa tensionet në kufi vazhdojnë të rriten./TheGeopost.

Marina franceze kap një cisternë nafte të sanksionuar në Mesdhe që lundronte nga Rusia
Polonia prezanton sistemin më të madh anti-dron në Evropë, pjesë e përgatitjeve kundër kërcënimeve ruse
Gjermania arreston tre persona për spiunazh dhe mbështetje të forcave pro-ruse
Marrëveshje për Ukrainën, takimi Trump – Zelensky në Davos
Si po zhvillon Rusia një fushatë të heshtur sabotimi në Evropë
Mbrojtja ajrore e Ukrainës shënon sukses të madh, rrëzon mbi 340 raketa dhe dronë rusë