
“Serbia nuk ka eksportuar armë në Ukrainë dhe nuk do ta bëjë këtë”, tha Aleksandar Vuçiç para gazetarëve të enjten, raporton agjencia e lajmeve Beta.
Ai shtoi se shteti ballkanik, një aleat tradicional i Rusisë, nuk ka dhe nuk do të furnizojë me municion as Ukrainën dhe as Rusinë.
“Nuk ka asnjë letër që do të tregonte diçka të tillë.”
Reuters raportoi të mërkurën se dokumenti i klasifikuar i Pentagonit pretendon se Serbia “ka rënë dakord ose i ka dërguar tashmë armë Kievit”. Agjencia e lajmeve tha se nuk mund të verifikonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumentit.
Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq i mohoi menjëherë akuzat, duke thënë se vendi i tij “nuk ka dhe nuk do t’i shesë asnjë armë as Ukrainës dhe as Rusisë”.
“Dikush padyshim po përpiqet ta tërheqë Serbinë në këtë konflikt, por ne vazhdimisht i përmbahemi politikës sonë,” tha ai në një deklaratë.
Raporti i Pentagonit i zbuluar është një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe “ndihmë vdekjeprurëse”, sipas raporteve të mediave.
Përveç Bjellorusisë, Serbia është i vetmi vend evropian që nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës.
Megjithatë, vendi, i cili aspiron të anëtarësohet në BE, ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë./theguardian.com/