Kanë kaluar 27 vjet nga rasti “Panda”, një nga ngjarjet më të errëta dhe më të pazbardhura në Serbi, i shoqëruar me manipulim politik dhe heshtje institucionale.
Për vite me radhë, shqiptarët u akuzuan publikisht pa asnjë provë, duke u shndërruar në objekt propagande dhe kriminalizimi kolektiv.
Ironia, sipas kritikëve, qëndron në faktin se vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar publikisht se autoritetet serbe posedojnë të dhëna për autorët e krimit dhe, siç është shprehur ai, “e dinë saktë se çfarë ka ndodhur atë ditë”.
Megjithatë, edhe pas kësaj deklarate, asnjë emër nuk është bërë publik, asnjë procedurë penale nuk është hapur dhe familjet e viktimave nuk kanë marrë asnjë të vërtetë zyrtare.
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, e cilëson rastin “Panda” si një nga shembujt më të rëndë të operacioneve të rreme (false flag) të aparatit shtetëror serb, të përdorura për të justifikuar represionin ndaj shqiptarëve dhe për të manipuluar opinionin publik, si brenda ashtu edhe jashtë Serbisë.
Sipas Musliut, mënyra se si u mbyll rasti, arrestimet pa prova dhe mungesa totale e transparencës dëshmojnë se kemi të bëjmë me një krim të mbrojtur politikisht në nivelet më të larta të shtetit serb.
Ai thekson se, ndonëse Serbia ka kryer edhe veprime të tjera të ngjashme ndër vite, rasti “Panda” në veçanti tregon deri ku mund të shkojë një shtet hegjemonist: të vrasë edhe të rinjtë e vet për t’i përdorur si mjet akuze kundër shqiptarëve. “Kjo mund të ndodhë vetëm në një shtet që nuk njeh asnjë kufi njerëzor, moral apo ligjor,” vlerëson Musliu.
Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë kanë edhe deklaratat e ish-prokurorit të Serbisë për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviq. Ai kishte deklaruar më herët se ishte fakt i njohur që në rajonin e Pejës, në kohën e sulmit në “Panda Café”, nuk kishte “pothuajse asnjë shqiptar”.
“Ne arritëm në përfundimin se shqiptarët nuk janë autorët e krimit,” kishte deklaruar Vukçeviq për BIRN. Megjithatë, ai kishte sqaruar se Prokuroria për Krime Lufte nuk e hetoi rastin, pasi ai ishte jashtë juridiksionit të saj.
Vukçeviq ka shprehur gjithashtu skepticizëm se një hetim i ri nga autoritetet serbe do të zbulojë të vërtetën. “Kjo nuk ka të bëjë me kohën që ka kaluar që nga sulmi, por me vendosmërinë e atyre që po hetojnë,” kishte thënë ai.
Sipas Musliut, rasti “Panda” nuk është vetëm një krim i pazbardhur, por edhe dëshmi e një strategjie shtetërore të manipulimit dhe sakrifikimit të jetëve njerëzore për një kauzë të rreme politike. Ai thekson se bota duhet ta kuptojë realitetin dhe manipulimet e një shteti që është i gatshëm të sakrifikojë edhe popullin e vet për propagandë.
Heshtja e vazhdueshme e Aleksandar Vuçiqit, sipas kritikëve, vazhdon ta mbrojë këtë krim dhe ta mbajë të gjallë padrejtësinë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, 27 vjet pas ngjarjes./TheGeopost.

“Bordit të Paqes” – Kosova, nga përjetimi i luftës në ndërtues të paqes globale
Janjiq: BIA dhe Vuçiq të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve amerikane të 2020-ës
Polonia prezanton sistemin më të madh anti-dron në Evropë, pjesë e përgatitjeve kundër kërcënimeve ruse
Serbia përsëri dështon të zbatojë katër vendime të BE-së në lidhje me sanksionet kundër Rusisë
Vatanka: Irani i Khameneit është një ‘anije që po fundoset’
Profilet e rreme në aksion të organizuar në Serbi, sulmojnë zërat që kritikojnë regjimin e Vuçiqit – Mbyllen instagramet e disa mediave të lira