
Dezinformimi në Ballkan – influenca ruse është diskutuar të enjten në Prishtinë në një panel të përbërë nga pjesëmarrës nga rajoni të organizuar nga The Geopost.
Të gjithë panelistët ndanë eksperiencat e tyre në raport me synimet e Rusisë për të destabilizuar rajonin përmes dezinformimit të shumë formave.
Boris Varga nga Serbia ka treguar si e përdor Serbia propagandën ruse për nevojat e veta në raport me fqinjët e saj.
“Rrritja e prezencës së propagandës ruse në Serbi ka filluar shumë më herët se invasioni total i Rusisë në Ukrainë. Lufta hibride nuk ishte vetëm kundër Ukrainës por edhe kundër Perëndimit. Rajoni i Ballkanit Perëndimor që është fragjil në aspektin e sigurisë ishte një fushë ideale për të shkaktuar destabilitet në fqinjët e Bashkimit Evropian. Putini e justifikoi aneksimin e Krimesë duke marrë shembullin e Kosovës edhe pse rastet nuk kishin ngjashmëri mes Krimesë dhe Kosovës”, ka thënë Varga.
Rosana Aleksoska nga Maqedonia e Veriut tha se influenca e Rusisë në vendin e saj depërton jo vetëm përmes mediave por edhe platformave tjera, përfshirë edhe kishën ortodokse.
“Rusia nuk mund të ofrojë asgjë te vendet e Ballkanit. Rusia nuk po zhvillon luftë në Ukrainë vetëm kundër ukrainasve, por kjo është një luftë kundër demokracisë, lirisë, lirisë së shprehjes, kundër të gjitha vlerave demokratike që bota dhe shoqëritë e hapura i luftojnë vërtet shumë”, tha ajo duke shtuar se influencën e Rusisë si një shtet terrorist e autoritar duhet “ta kuptojmë në kontekstin e vendeve të Ballkanit”.
Se dezinformimi në Mal të Zi bëhet duke pasur për qëllim narrativën që malazezët janë popull i njëjtë me serbët, tha Milan Jovanoviq.
“Kur flasim për Rusinë në Mal të Zi ne duhet ta kuptojmë se duhet të flasim për një rrjet. Pra, nuk po flas vetëm për media dhe dezinformimin, po flas për parti të ndryshme politike, organizata të ndryshme, ortodokse që janë shumë të dukshme, që janë nën ombrellën e kishës serbe dhe kisha sipas të dhënave të tri viteve të fundit është institucioni më i besueshëm”, tha ai.
Ai tregoi për narrativën që shpërndahet se Mali i Zi është Serbi dhe se ky është një model i përdorur nga Rusia në Ukrainë që pretendon se ukrainasit nuk janë të ndryshëm me rusët.
“Për të treguar nivelin e mbështetjes së kishës ndaj rusëve tani, kisha ka organizuar ngjarje publike të mbështetur Rusinë. Në tetor 2022, kreu i kishës serbe shprehu mbështetjen e plotë për agresionin rus. Duke e bërë nga institucioni më i besueshëm ju mund ta dini se sa e infektuar është shoqëria”.
Gerta Zaimi nga Shqipëria tha se vendi i saj dallon nga i atyre të parafolësve të saj edhe ata të vendeve fqinje ruse sepse Shqipëria nuk ishte pjesë as e Jugosllavisë as e Bashkimit Sovjetik.
“Shqipëria është totalisht e dedikuar ndaj Perëndimit prandaj mund të themi ç’ne Rusia futet në Shqipëri dhe të bëjë dezinformim”, tha ajo.
Zaimi ceki disa arsye se pse Rusia tenton të ndërhyjë në Shqipëri për të dezinformuar, e që sipas saj janë: mbështetja ndaj pavarësisë së Kosovës, anëtarësia në NATO, lufta në Ukrainë dhe pozicioni i Shqipërisë krah saj si dhe roli i saj në OKB.
“Pa shumë lidhje të forta me fenë, bashkëjetesa është shumë e fortë, por në të njëjtën kohë është edhe një marrëdhënie që krijohet me institucionet fetare dalë ngadalë. Kështu që edhe në këtë drejtim në vitet e fundit Rusia ndërhyn për të krijuar nëpërmjet propagandës dezinformime dhe një përçarje në mes të asaj bashkëjetese fetare që është në Shqipëri. Manipulimi i lajmeve që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë, manipulimi i të dhënave që kanë të bëjnë me situatën e Rusisë ushtarakisht në territor brenda Ukrainës. Manipulimi i situatës në Kosovë është një nga qëllimet e saj dhe avancimi i dialogut duke fajësuar partnerët perëndimore për dështimin e avancimit të këtij dialogu dhe duke krijuar dhe ushqyer frymën anti-perëndimore edhe në politikat që lidershipi i Kosovës është duke e bërë në këto momente”, tha ajo.
Dezinformimi në Ballkan ishte tema e njërit prej paneleve të Samitit ballkanik për dezinformimin, i organizuar nga The Geopost, e i cili mblodhi në kryeqytet njohës të kësaj fushe nga vende të ndryshme të botës.
/TheGeopost