Ndikimi rus në Kishën Ortodokse Maqedonase (KOM-OA) po forcohet, ndërkohë që kjo shihet edhe nga vizitat e njeriut të dytë të Kishës Ortodokse Ruse (KOS), Mitropolitit Antoni, në vendin tonë si dhe nga urimet që ai i dërgoi kryepeshkopit të KOM-OA-së, Stefan, në ditën e tij emërore.
Këto pohime i ka bërë gazetari i specializuar për religjionet, Marjan Nikolovski, gjatë përgjigjeve në podcastin “Politikanti”.
Sipas tij ë, që prej një viti e gjysmë askush në KOM-OA nuk ka interes të vazhdojë rrugën për në Kostandinopojë, ku ka selinë Patriarkana Ekumenike pro-perëndimore që njohu autoqefalinë e Kishës Maqedonase.
“Kjo do të thotë se presioni nga Kisha Ruse është i madh”, beson gazetari.
Ky ndikim serioz rus, sipas Nikolovskit, shkon sipas linjës së një ose dy peshkopëve në Sinod.
Nikolovski ka qenë në sy të publikut javën e kaluar pasi Sinodi i Kishës Ortodokse Maqedonase-Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-OA) i dërgoi atij një letër në të cilën ai ishte ftuar të paraqitej në një gjykatë kishtare dhe të merrej në pyetje për artikujt e tij gazetaresk në portalin Religija.mk.
“Përvoja ndër vite ka treguar se çështjet fetare mund të jenë shumë të ndjeshme. Prandaj mendoj se shkrimi dhe publikimi i informacionit për gjendjen në KOM dhe Bashkësinë Fetare Islame (BFI) është i dobishëm për shoqërinë. E bëj nga prizmi i aspektit gazetaresk. Kështu funksionon Religion.mk. Nuk është një portal fetar. U krijua një thashetheme se peshkopët dhe shoqëria e tyre ishin vënë në rrezik për shkak të shkrimeve të mia. As unë nuk jam aq i fuqishëm dhe as ata që kanë frikë prej meje. Ndryshe është ideja, të kalojë nga unë, që nesër ata dy peshkopë, me urdhër të Moskës, të bëjnë hesapet me priftërinj të tjerë ose me këdo tjetër që nuk dëshiron që KOM-i të kthehet në instrument rus”, ka thënë Nikollovski.
Patriarku rus Kirill, sipas tij, pak kohë më parë hoqi nga liturgjitë pjesën ku Kisha Ortodokse lutet për paqen në botë.
“Ai dekret i patriarkut rus u hoq nga liturgjitë dhe çdo prift rus që lutet për paqen është i sanksionuar në Rusi. Paradoksi dhe paranoja e Kishës Ortodokse Ruse shkon kaq larg.
Sipas tij, Kisha Ruse dëshiron të krijojë një bllok të ri në botën ortodokse dhe Patriarku rus të jetë Papa i ri i Ortodoksisë.
“Gjeni konferencën e parë për shtyp të Putinit pas sulmit të parë në Ukrainë, ku ai thotë se është përgjegjësia e tij të mbrojë vendet ortodokse të botës. Kisha ortodokse ka në disa vende të botës. Shumica prej tyre janë anëtarë të NATO-s, përfshirë edhe Maqedoninë. Nëse përjashtojmë Kishën Ruse, Greqia është një vend me mbizotërim ortodoks dhe anëtar i BE-së dhe NATO-s. Shqipëria ka një kishë ortodokse, është anëtare e NATO-s dhe është në rrugën e saj drejt BE-së. Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe BE-së. Rumania është anëtare e NATO-s dhe BE-së”, tha gazetari.
Nikolovski thotë se përkundër faktit se KOM-OA është në rrugën e njohjes së autoqefalisë, po tentohet të tregohet se kjo njohje është në përputhje me vullnetin e mirë rus.
“Po tentohet që KOM-OA të futet në të gjithë bllokun e ndikimit rus që nesër, çfarëdo që të ndodhë në shoqëri, Kisha Maqedonase të zbatojë vendimet e Kishës Ruse”, thotë Nikolovski.
Për momentin, sipas Nikolovskit, presioni i Kishës Ruse ndaj KOM-OA-së është që të heqë dorë nga marrja e certifikatës së njohjes (tomosit) nga Patriarkana Ekumenike.
“Patriarkana Ekumenike është pro-evropiane, pra me orientim pro-perëndimor. Shumica e besimtarëve të saj janë në Amerikë, në Evropë. Kisha Ortodokse Ruse është përpjekur gjithmonë të krijojë një mënyrë funksionimi të asaj që ishte Kostandinopoja gjatë kohës së Bizantit. Jemi në mes. Me urdhër të Rusisë, serbët duhet të nxjerrin një tomos që nuk ka rëndësi për asnjë kishë”, ka thënë gazetari dhe redaktori i Religion.mk.
Shkruan: Xhelal Neziri, redaktor dhe bashkëpunëtor i The Geopost nga Shkupi