Rusia vazhdon të jetë e pranishme në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore dhe ky ndikim nuk ka rënë as pas tre viteve agresion në Ukrainë. Formula e “ndikimit të madh me kosto të vogël” vazhdon të udhëheqë Moskën drejt realizimit të agjendës së saj në kontinentin Evropian. Nëpërmjet kishave ortodokse të rajonit, ku ka ndikim vendimtar, Rusia vazhdon të forcojë imazhin e “mbrojtësit të qenësisë së popujve sllovenë”, të cilët a kanë kishën autoqefale si një nga shtyllat kryesore identitare. Në të njëjtën kohë, përdor dezinformatat dhe propagandën që të polarizojë skenën politike të vendeve të rajonit dhe ta orientojë opinionin publik kah qëndrimet në favor të interesave të saj gjeostrategjike.
Ky penetrim më pas përcillet edhe me mbështetjen e forcave politike pro-ruse, gjë që ka rezultuar me rritjen e këtyre partive në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi por edhe në Moldavi dhe Gjeorgji. E përbashkët e të gjithë këtyre vendeve është se përbëjnë 9-shen e aspirantëve për anëtarësim në BE, ku bën pjesë edhe Shqipëria, Kosova dhe Turqia. Rritje të fuqisë politike të partive pro-ruse është shënuar edhe në Bullgari, ku pritet të jenë vendimtare për formimin e qeverisë, pas zgjedhjeve të mbajtura javën e kaluar.
Një peizazh i zymtë
Ky peizazh padyshim se krijon shqetësime në BE, e cila për herë të parë në histori shpejton të kompletojë Unionin me anëtarësimin e vendeve të mbetura jashtë.
Problemet brenda dhe në raport me fqinjët të vendeve aspirantë, megjithatë, kanë krijuar një ngërç të rrezikshëm në procesin e integrimit, i cili përdoret si levë jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Kina dhe Irani. Mungesa e reformave dhe korrupsioni i nivelit të lartë, nga njëra anë, si dhe përkeqësimi i marrëdhënieve me fqinjët, krijojnë terren të përshtatshëm për rritjen e këtij ndikimi malinj. Këtë shqetësim e ka adresuar shefja e KE-së, Ursula von der Leyen, në takimet me krerët e shteteve aspirantë në kuadër të turit ballkanik . Ajo paralajmëroi se ka forca që qëndrojnë pas çdo konflikti në rajon dhe se këto forca synojnë ndalimin e zgjerimit të BE-së. Von der Leyen rikujtoi se Rusia nisi agresionin në Ukrainë në momentin që ky vend dëshironte të bëhej pjesë e BE-së. Ajo përmendi edhe ndikimin e egër rus në Moldavi dy javë më parë, ku referendumi për anëtarësim në BE gati sa nuk dështoi.
Rrezikun nga ndikimi i Rusisë Von der Leyen e theksoi edhe ditë më parë, gjatë shpalosjes së raporteve të progresit për vendet aspirantë. “Konteksti gjeopolitik i tensionuar e bën më të domosdoshme se kurrë përfundimin e ribashkimit të kontinentit tonë nën të njëjtat vlera të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kemi ndërmarrë hapa të mëdhenj vitet e fundit drejt integrimit të shteteve të reja anëtare. Dhe zgjerimi do të mbetet një përparësi kryesore e Komisionit të ri”, tha ajo.
Rreziku nga koncepti i “Botës Ruse”
Rusia po bëhet gjithnjë e më shumë një rrezik për Evropën, sidomos për vendet anëtare me prani të konsiderueshme të etnisë ruse. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, mbi 25 milionë rusë etnikë ngelën jashtë kufijve të Federatës Ruse. Pjesa më e madhe në Ukrainë, shtetet baltike dhe ish-republikat tjera të federatës.
Koncepti i “Botës Ruse” është model i shteteve etnike, i cili mëton t’i bashkojë të gjithë rusët etnikë në një shtet të vetëm. Me këtë koncept presidenti aktual rus Vlladimir Putin mendon se po përmirëson atë “gabim” të bërë në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Kjo solli intervenimin ushtarak në Ukrainë, Gjeorgji, Moldavi (në vitin 1992, para se Putini të vijë në pushtet, kur Rusia krijoi Transnistrinë, si një shtet satelit të saj). Këto agresione kishin një pretekst – mbrojtjen e etnisë ruse në ish-republikat sovjetike apo në ish-satelitët e Moskës.
Përtej kësaj bote imagjinare në kokën e Putinit, në nivel global tentohet të ndryshohet “rendi botëror i bazuar në rregulla”, një ligj ndërkombëtar që mbajti të qetë botën që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky rend botëror u jep sovranitet dhe autonomi të plotë shteteve të vogla që të jenë aktorë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Intervenimi ushtarak në Gjeorgji dhe Ukrainë ndodhi pikërisht për shkak të aspirimit të këtyre vendeve të bëhen anëtare të NATO-s dhe BE-së. Samiti i fundit i BRICS-it, një union që drejtohet nga Pekingu dhe Moska, i mbajtur në Kazan të Rusisë javë më parë, adresoi një listë kërkesash për reformimin e OKB-së.
Në rajonin e Ballkanit nuk ka rusë etnikë, por ka popuj që Putini i sheh si pjesë e projektit të tij për shtrirjen e ndikimit. Afërsia kulturore dhe religjioze e Rusisë me popujt e Ballkanit e bën lehtë të arritshme këtë synim. Konceptin e “Botës Ruse” ai tenton t’ia shesë Serbisë, por edhe vendeve tjera të rajonit.
Mungesa e perspektivës për integrim në Bashkimin Evropian (BE) është një levë tjetër që Putini e shfrytëzon për të shtrirë ndikimin rus. Këtë e ka të qartë edhe Brukseli, i cili tani duket se po shpejton më shumë që të integrojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tre vendet e Evropës Lindore në Union.
Për këtë arsye, përshpejtimi i procesit të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe drejt Lindjes më tepër është urgjencë gjeopolitike, sesa proces thjesht administrativ.
Shkruan: Xhelal Neziri, redaktor dhe bashkëpunëtor i The Geopost nga Maqedonia e Veriut