Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha të hënën në Tiranë se agresioni rus në Ukrainë e ka bërë zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE) imperativ në mbrojtjen e rendit botëror.
“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka ripërqendruar vëmendjen tonë në gjeopolitikën e zgjerimit dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tani më shumë se kurrë, ne duhet të qëndrojmë së bashku, për të mbrojtur rendin ndërkombëtar, gjithmonë dhe kudo, për të ndërtuar mbi atë që na bashkon dhe për të mbështetur popullin e Ukrainës”, tha Michel në Samitin e Procesit të Berlinit.
Samiti vjen nën kujdesin e Procesit të Berlinit, i nisur në vitin 2014 për të çuar përpara anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Procesi u iniciua nga Angela Merkel kur ajo ishte kancelare gjermane, por është hera e parë që samiti zhvillohet në një vend të rajonit.
Michel tha se nuk mund të lejohet që konfliktet dypalëshe të pengojnë integrimin. “Zgjidhja e tyre mund të jetë më e dhimbshme se reformat, por duhet bërë. Mos lejoni që fantazmat e së shkuarës të vjedhin të ardhmen tuaj. Tensionet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës e kanë sjellë sërish këtë në plan të parë. Në fakt, ju po ecni në të njëjtën rrugë si anëtarët themelues të Unionit tonë. Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Nuk ka të ardhme të qëndrueshme pa pajtim. Të gjithë e dimë se pajtimi kërkon guxim politik dhe fokus të sinqertë në të ardhmen.”, tha ai.
Samiti i Këshillit Evropian të vitit 2003 në qytetin grek të Selanikut vendosi integrimin e Ballkanit Perëndimor si një prioritet të zgjerimit të BE-së.
Dy dekada më pas, Michel tha se tash Procesi i Berlinit luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit operacional midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, me integrimin në BE si dritë udhëzuese.
“Në Ballkanin Perëndimor, udhëtimi juaj drejt BE-së filloi më shumë se 20 vjet më parë. Dhe, po, ka qenë një rrugë e ngadaltë, shumë e ngadaltë, zhgënjyese për ju në rajon dhe për ne në BE. Por tani të gjithë e ndiejmë, të gjithë e dimë, se është koha për të mbajtur premtimin tonë. Tashmë e kemi ringjallur procesin, por kemi ende shumë për të bërë për t’u përgatitur, nga të dyja palët”, theksoi Michel.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të gjashtë vendeve aspirantë për në BE, ai i rikujtoi se duhet të përmbushindetyrat – duke filluar me reformat e nevojshme.
“Dhe në BE, ne duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarët e rinj. Unë besoj se duhet të jemi gati – nga të dyja anët – deri në vitin 2030 për t’u zgjeruar. E di që ky afat është përballur me njëfarë skepticizmi në rajonin tuaj, sepse ju keni pritur për një kohë të gjatë”, tha Michel.
Në BE, sipas tij, jo të gjithë janë në favor të përmendjes së një date. “Zgjerimi është dhe do të mbetet gjithmonë një proces i bazuar në merita dhe parashtrimi i një date ka bërë që topi të rrokulliset. Është një inkurajim për Ballkanin Perëndimor që të dyfishojë përpjekjet e tyre për të bërë reformat që janë urgjente dhe të nevojshme, dhe për ne nga ana e BE-së për të nisur këtë debat serioz për të ardhmen e BE-së.”, tha ai.
Michael premtoi se BE do t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen më shpejt në Union.
“Së pari, përmes integrimit gradual në politikat e BE-së, në mënyrë që përfitimet të mund të ndjehen më shpejt nga njerëzit tuaj – edhe gjatë procesit të anëtarësimit. Ky integrim mund të ndodhë në fusha të ndryshme, veçanërisht në tregun e përbashkët dhe bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi krijuar korniza ambicioze që mbështesin përafrimin me acquis të BE-së. Ne duhet t’i përdorim këto për të hyrë në vendet e ardhshme anëtare.”, tha Michel.
Së dyti, vazhdoi ai, kompletimi i Tregut të Përbashkët Rajonal do të nxiste rritjen ekonomike dhe tregtinë në Ballkanin Perëndimor dhe do ta bënte atë më tërheqës për investime.
“Jam i kënaqur që sot do të nënshkruhet një marrëveshje e re për kualifikimet profesionale. Ne gjithashtu shpresojmë që tre marrëveshjet rajonale të lëvizshmërisë do të ratifikohen nga të gjitha vendet së shpejti, sepse kjo do të përfitojë si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për BE-në”, shtoi Michel.
Fokusi në të ardhmen, sipas tij, do të jetë fryma evropiane për samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet së shpejti, në dhjetor në Bruksel.
“Njerëzit tanë – veçanërisht të rinjtë tanë – duan një të ardhme më të ndritshme, më optimiste. Një e ardhme e drejtë, e begatë dhe plot mundësi. Jam i sigurt se mund të bëjmë një ndryshim. Është koha ta realizojmë së bashku, për të mirën e të gjithë kontinentit tonë. Ju mund të mbështeteni në bashkëpunimin dhe angazhimin tonë të sinqertë.”, tha Michel.
Ndryshe, në Tiranë ka arritur edhe Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe liderë të tjerë, të cilët po takohen në kryeqytetin shqiptar për të diskutuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Scholz po shoqëron Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe udhëheqës të tjerë që po punojnë në rrugën drejt anëtarësimit për gjashtë vendet e rajonit. Të dy liderët do të zhvillojnë bisedime me krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka marrë pjesë në Samit. Vuçiq ka udhëtuar në Kinë, ku do të marrë pjesë në forumin e tretë të “Belt and Road”.
Në vend të tij në Tiranë ka udhëtuar kryeministrja, Ana Brnabiq.
Siç ishte paralajmëruar edhe më herët, Kosova në Samit është përfaqësuar nga Albin Kurti. /The Geopost/