Përveç Serbisë, edhe Bullgaria po shndërrohet në një tokë pjellore për përhapjen e dezinformatave dhe propagandës ruse. Stërvitjet më të mëdha ushtarake të NATO-s “Steadfast Defender 24”, të zhvilluara më 4 dhe 5 mars, u raportuan si “prelud i një pushtimi të Rusisë nga NATO”.
Sipas raportimit të Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase, disa portale dolën me tituj që përçonin lajme të rreme si për shembull: “Drakon 24: NATO përgatitet për luftë me Rusinë, trupat kalojnë lumin Vistula të Polonisë…”.
Ky portal nuk është i vetmi, por pjesë e një grupi të të ashtuquajturave “portale kërpudha”, të cilat kushtojnë lirë dhe shpesh shfaqen kur ka ngjarje të mëdha me qëllim të përhapjes së dezinformatave dhe propagandës ruse.
Të paktën 25 uebsajte bullgare, shumë prej të cilave paraqiten si uebsajte të ligjshme lajmesh, kanë publikuar lajme të rreme rreth stërvitjeve të NATO-s, sipas një raporti të fundit nga Laboratori i Kërkimeve Forenzike Dixhitale (DFRLab), njësia analitike e dezinformimit të Këshillit Atlantik, një think-tank me bazë në Uashington. Një OJQ bullgare raportoi së fundmi se numri i faqeve të tilla të internetit në Bullgari është 400.
Raporti i DFRLab tregoi llojet e faqeve të internetit që përdoren. Shumica nuk ishin të fokusuar kryesisht në lajme “serioze”, por në sport, argëtim dhe tema të stilit të jetesës. Pasi uebfaqet të jenë formuar, përmbajtja përhapet përmes përdorimit të grupeve të lajmeve në Facebook.
Taktika e faqeve që dalin si kërpudha për të përhapur dezinformata është përdorur edhe më parë.
EU DisinfoLab, një OJQ që mbikëqyr përpjekjet për të luftuar dezinformimin në Evropë, ekspozoi këtë “operacion ndikimi” me bazë në Rusi që kishte funksionuar në Evropë të paktën që nga maji 2022, vetëm disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.
Operacioni “Doppelganger”, siç quhet fushata, përdori “klone” të shumta të mediave autentike (të paktën 17 media, përfshirë Bild, The Guardian dhe RBC Ukraine) dhe synonte përdoruesit me artikuj, video dhe sondazhe të rreme. Për ta arritur këtë, përgjegjësit blenë shumë emra domenesh që u ngjanin markave reale të mediave dhe kopjuan dizajnet e tyre.
Në vitin 2023, Qendra për Studimin e Demokracisë (CSD), një institut bullgar i politikave publike, raportoi një lidhje midis faqeve ruse të dezinformimit dhe AdRain.bg, një platformë reklamimi dixhitale në Bullgari.
Prania e strategjisë së portaleve kërpudha, jo vetëm në Bullgari por edhe në vendet tjera të Ballkanit, lidhet me veprimtarinë e partive pro-ruse, mungesën e vullnetit politik dhe arsimimin e ulët mediatik. Që nga viti 2022 janë shtuar përpjekjet për dezinformim, të cilat kanë për qëllim promovimin e presidentit rus Vladimir Putin si një udhëheqës të fortë dhe justifikimin e luftës së Kremlinit kundër Ukrainës. Disa prej atyre dezinformatave që portretizojnë NATO-n si agresore dhe mbjellin frikë popullore për luftë me Rusinë, gjë që krijon frikë dhe panik në popullatën e vendeve ballkanike, e cila më pas kthehet në urrejtje ndaj Perëndimit. /Xhelal Neziri për The Geopost/