Publikimi i Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së ka hapur një debat të fortë në Evropë dhe veçanërisht në Berlin, ku udhëheqësit gjermanë reaguan menjëherë ndaj mënyrës se si Washingtoni e përshkruan kontinentin.
Dokumenti amerikan, pjesë e linjës së re politike të Administratës së presidentit Donald Trump, e paraqet Evropën si një hapësirë në krizë të thellë demografike, të rrezikuar nga migrimi, humbja e identitetit dhe madje një “kërcënim i civilizimit” në dy dekadat e ardhshme.
Në disa pjesë, strategjia akuzon drejtpërdrejt Bashkimin Evropian se po cenon lirinë politike dhe pluralizmin, dhe shpall synimin e SHBA-së për të mbështetur parti dhe forca politike që kundërshtojnë linjat politike të Brukselit.
Reagimi i Gjermanisë ishte i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul deklaroi në Berlin se vendi i tij nuk ka nevojë për leksione nga jashtë në çështjet që prekin lirinë e shprehjes apo funksionimin e shoqërisë demokratike. Ai theksoi se këto janë të garantuara nga rendi kushtetues gjerman dhe nuk janë fusha ku partnerët e jashtëm mund të diktojnë standarde.
Wadephul nënvizoi se aleanca me SHBA-në mbetet thelbësore, por ajo duhet të fokusohet në çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, jo në udhëzime për mënyrën se si funksionojnë shoqëritë evropiane.
Edhe brenda kampit konservator gjerman pati reagime të ashpra.
Jürgen Hardt, një nga zërat kryesorë të CDU/CSU për politikën e jashtme, shprehu dyshime serioze për motivet që fshihen pas strategjisë amerikane.
Ai tha se retorika që përshkruan Evropën si të rrezikuar nga “shfarosja e civilizimit” i ngjan gjuhës së liderëve autoritarë, jo aleatëve demokratikë.
Hardt paralajmëroi se mbështetja e shpallur e SHBA-së për forca politike euroskeptike është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në politikën e brendshme të vendeve evropiane dhe se kjo është e papranueshme për Berlinin, shkruan DW.
Debati nuk mbeti vetëm në Gjermani.
Analistë evropianë vunë re tonin ideologjik të dokumentit, duke e lexuar si një distancim të qartë të SHBA-së nga modeli liberal dhe shumëpalësh i Evropës.
Disa prej tyre folën hapur për elemente të retorikës racizuese në mënyrën se si përshkruhen ndryshimet demografike, ndërsa të tjerë paralajmëruan se strategjia e re mund të hapë rrugë për përçarje të mëtejshme në kontinent.
Mesazhi kryesor i Berlinit është i qartë: partneriteti transatlantik është i domosdoshëm, por nuk mund të funksionojë mbi baza paternaliste.
Gjermania e sheh këtë dokument si një provë se marrëdhëniet mes Evropës dhe SHBA-së po hyjnë në një fazë të re tensioni, ku dallimet nuk lidhen vetëm me politikën e jashtme, por me vetë konceptin e demokracisë, identitetit dhe sovranitetit.
Në sfondin e krizave globale, ky përplasje flet më shumë se sa duket. Ai shënjon një moment ku aleatët e vjetër po testojnë kufijtë e njëri-tjetrit, ndërsa Evropës i duhet të vendosë nëse do të reagojë thjesht me kritika, apo do të nisë të rishikojë rolin e saj në arkitekturën e sigurisë perëndimore.
Berlinin, të paktën për momentin, nuk e ka lëkundur: Gjermania e refuzon leximin amerikan për të ardhmen e Evropës dhe mbron bindjen se demokracia evropiane nuk ka nevojë për tutorë./TheGeopost.

Militarizimi i fëmijëve në territoret e pushtuara: Si shndërrohen në mjete lufte për Rusinë
NATO planifikon 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën
Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, hedhin poshtë pretendimet e Serbisë
SHBA rikthen sanksionet ndaj naftës ruse, paralajmëron masa të reja edhe kundër Iranit
Ukraina dhe Gjermania bien dakord për paketën mbrojtëse prej 4 miliardë eurosh, përfshirë raketat Patriot dhe prodhimin e dronëve
Kriza në Ngushticën e Hormuzit godet industrinë kineze, rriten kostot dhe pasiguria