Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • News

Zgjedhjet në Bullgari: A po afrohet një tjetër lider me Moskën në Ballkan?

The Geopost April 20, 2026 3 min read
Share the news

Një udhëheqës i ri i perceptuar si i afërt me Moskën mund të hyjë së shpejti në radhët e BE-së dhe NATO-s, këtë herë në Ballkan, ndërsa Bullgaria mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 19 prill.

Vetëm një javë pasi aleati kryesor i Kremlinit në BE, Viktor Orban, humbi zgjedhjet në Hungari, ish-presidenti bullgar Rumen Radev pritet të dalë fitues në votimet e reja, pas dorëheqjes së tij në janar për të udhëhequr koalicionin e ri “Bullgaria Progresive”.

Radev, që ka shërbyer dy mandate si president, është distancuar vazhdimisht nga linja zyrtare pro-Ukrainë e Sofjes, duke kundërshtuar ndihmën ushtarake për Kievin dhe sanksionet ndaj Rusisë – qëndrime që kanë ngritur shqetësime se Bullgaria mund të shndërrohet në “prishësin” e radhës brenda bllokut evropian.

Hungaria ka dëshmuar se një shtet i vetëm mund të bllokojë vendimmarrjen e gjithë BE-së, dhe analistët paralajmërojnë se një qeveri e udhëhequr nga Radev mund të vonojë ose të zbehë vendime të rëndësishme të BE-së dhe NATO-s lidhur me sanksionet, ndihmën ushtarake dhe qëndrimet e përbashkëta ndaj luftës në Ukrainë.

“Ish-presidenti është një politikan pro-rus dhe ekziston shqetësim i madh se ai mund të tentojë ta largojë vendin nga linja e tij pro-evropiane”, tha për Kyiv Independent Emilia Zankina, profesoreshë në Universitetin Temple në Romë.

Megjithatë, Ruslan Stefanov, analist në Qendrën për Studimin e Demokracisë (CSD) në Sofje, vlerëson se etiketimi i Radevit si “pro-rus” mund të jetë i tepruar, por pranon se qëndrimet e tij e bëjnë atë “politikisht të dobishëm për Kremlinin”.

Sipas Stefanovit, rreziku kryesor nuk është që Bullgaria të kthehet “brenda natës” në një Hungari të dytë, pasi sistemi politik bullgar mbetet i fragmentuar dhe asnjë parti nuk pritet të qeverisë e vetme. Por, ai thekson se një kabinet i udhëhequr nga Radev mund të pengojë, vonojë ose minojë retorikisht qëndrimet e përbashkëta të Perëndimit.

Kush tjetër garon?

Zgjedhjet e 19 prillit janë të tetat parlamentare në Bullgari që nga viti 2021 – një shenjë e krizës së vazhdueshme politike, parlamentit të fragmentuar dhe qeverive të brishta, të shoqëruara shpesh me skandale korrupsioni.

Koalicioni i Radevit kryeson sondazhet me rreth 30%, duke shfrytëzuar pakënaqësinë publike për gjendjen ekonomike dhe ndikimin oligarkik.

Pas tij renditet GERB-SDS, aleanca e qendrës së djathtë e udhëhequr nga ish-kryeministri Boyko Borisov, me rreth 20%. Koalicioni pro-evropian “Ne Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike” (PP-DB) vjen i treti me rreth 12%.

Në parlament pritet të hyjnë edhe Lëvizja për të Drejta dhe Liri (DPS) – parti e lidhur me oligarkun Delyan Peevski, i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe – si dhe partia ultranacionaliste pro-ruse “Ringjallja”.

Frika nga ndërhyrja ruse

Në prag të zgjedhjeve, Bullgaria ka ngritur një njësi në Ministrinë e Jashtme për të luftuar dezinformimin dhe kërcënimet hibride, ndërsa gazetari investigativ Christo Grozev është emëruar këshilltar.

Sofia, sipas burimeve diplomatike të BE-së, ka koordinuar përpjekjet kundër ndërhyrjeve të huaja me partnerët evropianë. Radev i ka kundërshtuar këto masa, duke i quajtur përpjekje të qeverisë dhe Brukselit për të kompromentuar procesin zgjedhor.

Në Bullgari, ndikimi i Moskës konsiderohet “serioz, afatgjatë dhe i rrënjosur thellë” në politikë, media dhe rrjete biznesi, thotë Stefanov, duke shtuar se vendi ka një “ekosistem vendas” që përcjell narrativat ruse edhe pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë.

Sipas një sondazhi të gushtit 2025 nga agjencia Myara, 31% e bullgarëve e shohin Rusinë pozitivisht, ndërsa 50% negativisht. Vetëm një e katërta kanë pikëpamje të favorshme për Ukrainën, krahasuar me 55% që e shohin negativisht.

Megjithatë, trendet afatgjata tregojnë se mbështetja për Rusinë ka rënë që nga nisja e luftës së plotë në vitin 2022, ndërsa përkrahja për BE-në dhe NATO-n është rritur.

Në këtë kontekst, zgjedhjet bullgare po shihen si një test i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e frontit euroatlantik në Ballkan, në një kohë kur gara për ndikim në Evropë është intensifikuar ndjeshëm.

The Geopost

Tags: Bullgaria Rusia

Continue Reading

Previous: Trump: Pranoni marrëveshjen ose Shtetet e Bashkuara do të shkatërrojnë çdo central energjie dhe çdo urë në Iran
Next: FT: Ekonomia ruse përballet me katastrofë financiare, Moska po manipulon statistikat ekonomike

Pesë arsye pse bisedimet SHBA-Ukrainë-Rusi mund të dështojnë: Putini nuk po tregon gatishmëri për paqe 7 min read
  • News

Pesë arsye pse bisedimet SHBA-Ukrainë-Rusi mund të dështojnë: Putini nuk po tregon gatishmëri për paqe

The Geopost November 10, 2026
Ukraina nën sulme – Trump sinjalizon ndryshime territoriale 5 min read
  • Botë
  • News

Ukraina nën sulme – Trump sinjalizon ndryshime territoriale

The Geopost November 9, 2026
“Lista e Studentëve” kërkon hetim ndaj Vuçiqit për lidhjet me rrjetet kriminale në Serbi 3 min read
  • Ballkan
  • News

“Lista e Studentëve” kërkon hetim ndaj Vuçiqit për lidhjet me rrjetet kriminale në Serbi

The Geopost November 9, 2026
Vuçiqi, BIA dhe krimi i organizuar në dosjet e Sky ECC – deputetja opozitare serbe publikon dokumentacionin e plotë 3 min read
  • News

Vuçiqi, BIA dhe krimi i organizuar në dosjet e Sky ECC – deputetja opozitare serbe publikon dokumentacionin e plotë

The Geopost November 8, 2026
Si kërkoi SBU-ja qasje në të dhënat e gjykatës kundër korrupsionit në Ukrainë 25 min read
  • Botë
  • News

Si kërkoi SBU-ja qasje në të dhënat e gjykatës kundër korrupsionit në Ukrainë

The Geopost November 8, 2026
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite thotë se ka “kapur” pesë raketa që synonin Riadin dhe rajone të tjera saudite 2 min read
  • Botë
  • News

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite thotë se ka “kapur” pesë raketa që synonin Riadin dhe rajone të tjera saudite

The Geopost November 8, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.