Në një intervistë për gazetën e njohur gjermane “Süddeutsche Zeitung”, eksperti i njohur për Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber, flet mbi strukturën e regjimit të Vuçiqit, lidhjet e tij me krimin e organizuar si dhe shanset e opozitës për ndryshim.
Kur në Serbi po afrohen zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, skena politike e vendit përballet me një kthesë vendimtare. Pasi kushtetuta nuk e lejon të kandidojë më për një mandat të tretë si president, Aleksandar Vuçiq po kërkon të rikthehet në krye të ekzekutivit në postin e kryeministrit. Mirëpo, përballë tij kësaj radhe qëndron një lëvizje e re opozitare e udhëhequr nga studentët, e cila sfidon hapur aparatin e tij të pushtetit.
Në një intervistë të gjatë për gazetën e njohur gjermane “Süddeutsche Zeitung”, eksperti i njohur për Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber, ka zbërthyer me detaje strukturën e regjimit të Vuçiqit, lidhjet e tij me krimin e organizuar si dhe shanset e opozitës për ndryshim.
Sipas profesorit të shkencave politike në Universitetin e Grazit, vendimi i Vuçiqit për të synuar postin e kryeministrit nuk përbën asnjë befasi, pasi largimi i tij nga politika nuk ka qenë kurrë opsion real. Bieber shpjegon se Vuçiq ka ndërtuar ndër vite një piramidë komplekse pushteti, e cila mban në këmbë të gjithë sistemin e tij.
Sipas tij, pikërisht ky rrjet e bën të pamundur dorëzimin e pushtetit: “Një ndriçim i të gjitha akuzave për korrupsion, i gërshetimit me krimin e organizuar dhe keqpërdorimit të shtetit për qëllime partiake do ta vendoste atë me siguri në vështirësi të mëdha. Humbja e pushtetit do të përbënte një kërcënim jo vetëm për të, por edhe për të gjithë rrethin e tij.”
Në analizën e tij për “Süddeutsche Zeitung”, Bieber sqaron se pushteti i Vuçiqit mbështetet në dy shtylla kryesore: depërtimin e plotë të partisë në çdo nivel të administratës shtetërore dhe ushtrimin e pushtetit joformal. Ai vë në dukje se nuk ka pothuajse asnjë komunë në Serbi që nuk kontrollohet nga partia në pushtet, ndërsa çdo përpjekje për ndryshim në nivel lokal është shtypur përmes blerjes së politikanëve opozitarë, presionit të hapur dhe manipulimit të rezultateve zgjedhore.
Për herë të parë, lëvizja studentore – e cila e ka kthyer Serbinë në një “laborator të një kryengritjeje demokratike” – ka vendosur të futet drejtpërdrejt në garë zgjedhore me një listë të vetën, të udhëhequr nga profesori i mjekësisë Ilija Sërdanoviq. Kusht i vetëm i kësaj liste ka qenë që kandidatët të mos kenë asnjë të kaluar politike. Bieber nënvizon se forcat e vjetra të lidhura me shërbimet e fshehta dhe krimin e organizuar, të cilat dikur çuan deri në vrasjen e kryeministrit reformator Zoran Gjingjiq në vitin 2003, janë ende të pranishme.
Mirëpo, dallimi sot është se lëvizja e re studentore ka si objektiv qendror shkatërrimin e këtyre strukturave. “Nëse lista e studentëve do të fitonte zgjedhjet, kërcënimi për këto struktura pushteti do të ishte shumë më konkret dhe më i madh. Disa me siguri do të tentonin të digjnin dokumentet, të arratiseshin në Dubai apo të siguronin veten në mënyra të tjera – dhe siç e kemi parë në të kaluarën, këto grupe janë të gatshme edhe për dhunë”, thekson Bieber.
Lidhur me ndikimin e jashtëm, Bieber vëren se marrëdhëniet e Beogradit me Moskën mbeten komplekse, ku Serbia shërben si pikë tranziti për agjentët rusë, ndërkohë që i shet municion Ukrainës.
Sa i përket pozicionit të Perëndimit, analisti shpreh keqardhje për qasjen e butë të Bashkimit Evropian dhe veçanërisht Gjermanisë, duke kujtuar se Vuçiq deri vonë ka pasur edhe nje këshilltar gjerman në presidencë të paguar nga taksapaguesit gjermanë.
Ai kritikon mungesën e presionit serioz nga Brukseli për lirinë e mediave dhe regjistrat zgjedhorë. Meqenëse sondazhet parashikojnë një rezultat mjaft të ngushtë, çdo manipulim votash mund të ketë efekte të menjëhershme, duke e çuar Serbinë drejt një faze të re paqëndrueshmërie ku të dyja palët mund të shpallin fitoren dhe qytetarët të dalin sërish në rrugë.

Dyshime se mund të ketë manipulime, Parlamenti Evropian emëron vëzhgues për zgjedhjet në Serbi
Ukraina do të rifillojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, thotë Zelensky
Dosja e përgjimeve: Vuçiq i lidhur me bosin e drogës, dha garanci edhe për lirimin e tij nga burgu
Eurodeputeti kroat: Asnjë politikë s’e ndryshon faktin historik që Kosova, Kroacia e Bosnja ishin viktima të agresionit serb
Kallas: Rusia nuk do ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet, Evropa do të vazhdojë ta mbështesë Kievin
Lazar Radulloviq e quan Listën Serbe organizatë kriminale: Mund të më vrisni, por nuk mund të më frikësoni