Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një hap që paralajmërohej prej kohësh – ka ndaluar mbështetjen financiare për Serbinë për shkak, siç thuhet nga Brukseli, të regresit serioz në sistemin e drejtësisë dhe në standardet demokratike.
Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, deklaroi se vendimi nuk është marrë brenda natës, por është rezultat i një pakënaqësie të gjatë me gjendjen në Serbi.
“Serbia ka më shumë se dhjetë vjet që është vend kandidat për anëtarësim në BE, por në vend të progresit, po shohim hapa prapa – veçanërisht në sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe vlerat demokratike”, theksoi Kos.
Ajo nënvizoi se dyert e Bashkimit Evropian nuk janë të mbyllura, por nuk ka më hapësirë për premtime boshe. Sipas saj, nevojiten hapa konkretë, jo vetëm deklarata politike.
Një problem i veçantë, sipas saj, mbetet kursi i politikës së jashtme të Serbisë.
“Nëse doni të jeni pjesë e BE-së, duhet të jeni të harmonizuar me politikat e saj. Nuk mund të uleni në dy karrige. Në një moment do të duhet të vendosni çfarë është më e rëndësishme për ju”, u shpreh Kos.
Në praktikë, kjo do të thotë se Brukseli po e ka gjithnjë e më të vështirë të pranojë politikën e Beogradit, i cili përpiqet të ruajë lidhje si me Perëndimin ashtu edhe me vende si Rusia dhe Kina. Një qasje e tillë po e largon gjithnjë e më shumë Serbinë nga anëtarësimi në BE.
Kos shtoi se BE-ja dëshiron të ndihmojë, por iniciativa duhet të vijë nga vetë Serbia.
“Ne kemi pezulluar pagesat sepse po shohim sërish probleme në sistemin e drejtësisë. Derisa kjo të ndryshojë, mbështetja financiare nuk do të vazhdojë”, tha ajo në një konferencë në Freiburg.
Ndryshe nga Serbia, Kosova ka demonstruar në disa raste një orientim të qartë pro-evropian dhe gatishmëri për t’u harmonizuar me politikat e BE-së, përfshirë edhe vendimet e politikës së jashtme. Pikërisht kjo dallim po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në një kohë kur Brukseli po ashpërson kriteret dhe po kërkon qëndrueshmëri.
/The Geopost/

Si mund të ndikojë fitorja e demokratëve në politikat e Trumpit ndaj Rusisë, Ukrainës dhe Iranit?
Amerikanët votojnë në zgjedhjet e mesmandatit
Nga “zhgënjimi i thellë” te “partneriteti konstruktiv”: Si ndryshoi Lista Serbe gjuhën ndaj BE-së
Forcat ajrore britanike përdorin për herë të parë dronë për të monitoruar aktivitetin e marinës ruse pranë brigjeve britanike
SHBA-ja reagon pasi Kina dhe Rusia thellojnë bashkëpunimin në Arktik
Një Serbi pa Vuçiqin, por me të njëjtën politikë ndaj Kosovës?