Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

I dyshuari për spiunazh në Kosovë i ka kërkuar BIA-s që të përdorë “dajakun” për të siguruar votat për Vuçiqin

The Geopost September 4, 2026 5 min read
Share the news

Fehim Sali, i arrestuar nga autoritetet e Kosovës me dyshimin për spiunazh kishte kërkuar që të përdoret edhe detyrimi me forcë ndaj goranëve për të votuar për Vuçiqin dhe partinë e tij – SNS.

Sali që gjendet në paraburgim dhe ka pranuar se është rekrutuar nga shërbimi serb, gjatë një bisede telefonike me një zyrtar të BIA-s, e të cilën përmbajtje e ka siguruar KOHA, i tregon atij për listën e votuesve dhe për personat që po refuzojnë ta votojnë Vuçiqin.

Avokati i Salit, i angazhuar një ditë më parë, Ahmer Alia, nuk ka dashur të komentojë lidhur me aktivitetin e klientit të tij. Para se të angazhohet Alia, nga mbrojtja dhe me kërkesë të familjes së tij janë tërhequr tre avokatë.

I dyshuari për spiunazh, Fehim Sali, nuk ka kryer vetëm veprime informuese për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), por ka qenë i angazhuar në Kosovë edhe për qëllime elektorale.

Nga një audioincizim dëgjohet se si Sali i ofronte informacione zyrtarit të lartë të BIA-s, Zhelimir Matoviq, lidhur me regjistrimin e personave nga komuniteti goran në Kosovë në listën zgjedhore dhe angazhimin e tij që të njëjtit të votojnë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe partinë e tij, në zgjedhjet e vitit 2024.

Gjatë bisedës së “përgjuar”, Sali i jepte Matoviqit detaje rreth procesit, madje i tregon për personat të cilët nuk pranuan të nënshkruajnë.

“Halo, si je, a të kam mirë? Ja asgjë, unë jam poshtë në Gore, gjithçka OK, tash po i paketoj këto letrat te cilat m’i ka dhënë Nikolla, por në një mënyrë më ndryshe duhet të bëhet kjo. Dhe tani, së pari po i kaloj këto që m’i dha (nuk kuptohet), ndërsa në ndërkohë i kompletoj, dhe i kam të shkruara me dorë kush ka thënë “JO”, pasi që ashtu është e cekur por çfarë të bëjmë”, i thotë Sali Matoviqit.

Në bisedën me oficerin e BIA-s, Sali dëgjohet duke i rekomanduar atij që disa gjëra të shtyhen edhe me përdorimin e forcës.

“Epo tash shiqo, bre, çfarë të them. Hajde nëse mundemi, bëje, bëje, edhe me presion edhe dajak, gjithçka, por vetëm për të mirë. Sepse vëlla kam hyrë, kam hyrë për… kemi thënë, për SNS, për Vuçiqin. Ti je luftëtar i madh, i kombinon të gjitha, dhe tani pasi i kemi hyrë kësaj pune, unë jam i gatshëm të… unë i kam hyrë kësaj pune që të fitoj, nuk e dua vendin e dytë”, janë fjalët e Salit.

Fehim Sali është themelues i OJQ “Moja Gora”, nëpërmjet së cilës dyshohet se ka mbledhur vota për partinë e Vuçiqit, për zgjedhjet e vitit 2024. KOHA përveç audioinçizimit, ka siguruar edhe fotografi, ku përveç me listat e votuesve, të cilat Sali i kishte shtypur për të siguruar nënshkrime për SNS-n, është dhe fotografia që ai e kishte bërë me votën e tij për Vuçiqin. Edhe pak ditë para se të arrestohej ai ishte angazhuar për të siguruar vota të goranëve në Kosovë për SNS-në, përkatësisht për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Serbi më 25 tetor të këtij viti.

“Unë do të përpiqem të bëj sa më shumë, edhe diku jashtë me siguri na vyen t’ia dërgoj vetes në mail (nuk kuptohet) dhe ne Beograd kur të vij (nuk kuptohet) t’ua jepi fizikisht. Sepse, a di çfarë kam frikë, përmes kufirit, të gjitha këto gjëra mos po m’i zbulojnë”, i ka thënë Sali shefit të tij.

Fehim Sali nga 14 gushti gjendet në paraburgim. Në kërkesën e Prokurorisë për këtë masë thuhet se ai në cilësinë e personit të rekrutuar nga BIA ka ofruar informacione për situatën politike në Kosovë, ka bërë identifikimin e zyrtarëve të AKI-së përmes fotografimit të tyre, ka ofruar informacione të personave që i përkasin sektit vehabi dhe personave të tjerë, e të cilët më pas i ka propozuar si objektiva për kontaktim dhe rekrutim.

Në arsyetimin e prokurorisë po ashtu thuhet se Sali ka mbajtur kontakte me persona me ndikim politik dhe shoqëror në Serbi dhe në Kosovë nga komunitetet joshumicë, duke u ofruar udhëzime dhe orientime për mënyrën e veprimit politik.

Avokati Ahmer Alia, i cili thënë se një ditë më parë është angazhuar për mbrojtjen e Salit, nuk ka dashur të komentojë lidhur me angazhimin e të dyshuarit për spiunazh në zgjedhjet në Kosovë dhe në Serbi, si dhe dyshimet tjera të ngritura nga prokuroria.

Para se të angazhohet Alia, avokatët Zahir Smajli, Berhil Shasivari dhe Ajro Alia janë tërhequr nga mbrojtja. Avokati Smajli ka thënë se zyra e tij ka dërguar shkresat në gjykatë për tërheqje, pasi zyra e tij është revokuar. Ndërsa, avokati Berhil Shasivari, theksoi se revokimi është bërë nga bashkëshortja e Fehim Salit.

Sali u arrestua më 13 gusht, në pikën kufitare në Merdar teksa po kalonte në Serbi pas orës 7 të mëngjesit. Ai dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarë të kësaj agjencie.

Pas arrestimit, Policia dhe Prokuroria Speciale ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit në Dragash, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale.

Ai punonte si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në fshatin Rapçë të Dragashit. Më herët ka qenë i angazhuar për dy mandate në Këshillin Konsultativ për Komunitete brenda Presidencës së Kosovës. Nga pozita në Këshillin Konsultativ për Komunitete ishte shkarkuar në vitin 2024.

Në një deklaratë publike Sali kishte thënë se është kërcënuar dhe përballur me presion nga subjekti tjetër goran, JGP, e që sipas tij, gëzonte mbështetje të strukturave paralele në Dragash, si dhe të Listës Serbe. Për ato kërcënime e kishte përmendur edhe emrin e ish-deputetes së Listës Serbe, Jasmina Dediq.

Sali ishte kthyer më pas në punë, ndërkaq hetimi ishte mbyllur për shkak se ai nuk kishte qenë i gatshëm të dëshmonte pas rikthimit në punë.

Para autoriteteve të drejtësisë së Kosovës, i dyshuari për spiunazh e ka pranuar se ishte rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë.

Tags: Aleksandar Vuçiq BIA Fehim Sali

Continue Reading

Previous: Këta janë 35 të pandehurit për krime lufte ndaj Jasharëve në Prekaz
Next: Nga dosja e Fehim Salit në Kosovë te spyware-i ndaj studentëve në Serbi: Si Vuçiq përdor BIA-n për spiunazh dhe ndërhyrje politike

Nga dosja e Fehim Salit në Kosovë te spyware-i ndaj studentëve në Serbi: Si Vuçiq përdor BIA-n për spiunazh dhe ndërhyrje politike 7 min read
  • News

Nga dosja e Fehim Salit në Kosovë te spyware-i ndaj studentëve në Serbi: Si Vuçiq përdor BIA-n për spiunazh dhe ndërhyrje politike

The Geopost September 4, 2026
Këta janë 35 të pandehurit për krime lufte ndaj Jasharëve në Prekaz 1 min read
  • Ballkan
  • News

Këta janë 35 të pandehurit për krime lufte ndaj Jasharëve në Prekaz

The Geopost September 4, 2026
Aktakuzë ndaj 35 personave për masakrën në Prekaz 4 min read
  • Ballkan
  • News

Aktakuzë ndaj 35 personave për masakrën në Prekaz

The Geopost September 4, 2026
BE: Spiunimi i paligjshëm në Serb është i papranueshëm 2 min read
  • Ballkan
  • News

BE: Spiunimi i paligjshëm në Serb është i papranueshëm

The Geopost September 4, 2026
Kryeterroristi Milan Radoiçiq bëhet pronar i pesë parcelave në Novi Pazar 3 min read
  • Ballkan
  • News

Kryeterroristi Milan Radoiçiq bëhet pronar i pesë parcelave në Novi Pazar

The Geopost September 4, 2026
Sulmet e Ukrainës e detyrojnë Rusinë ta përpunojë naftën jashtë vendit 4 min read
  • Botë
  • News

Sulmet e Ukrainës e detyrojnë Rusinë ta përpunojë naftën jashtë vendit

The Geopost September 4, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.