Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • News

Bisedimet SHBA–Iran në Oman “pozitive”, por pa garanci kundër një përshkallëzimi ushtarak

The Geopost February 7, 2026 5 min read
Share the news

Autoritetet iraniane i kanë përshkruar si “pozitive” bisedimet e fundit indirekte me Shtetet e Bashkuara, të ndërmjetësuara nga Omani në Muscat, megjithatë takimet nuk prodhuan ndonjë plan konkret veprimi që do të zbusë frikën në rritje për një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit.

Delegacioni iranian në Muscat u drejtua të premten nga Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa Uashingtoni u përfaqësua nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Donald Trump. Pjesë e delegacionit amerikan ishte edhe shefi i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), admirali Brad Cooper, komandanti më i lartë ushtarak amerikan në rajon.

Duke folur për televizionin shtetëror iranian pas përfundimit të bisedimeve, Araghchi tha se negociatat indirekte patën një “nisje të mirë”, por shtoi se vendimi për raundet e ardhshme do të merret vetëm pas “konsultimeve me kryeqytetet”.

Megjithatë, shefi i diplomacisë iraniane theksoi se procesi zhvillohet në një klimë të thellë “mosbesimi”. Ai iu referua sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, të kryera në qershor, kur SHBA-të ndërhynë pasi Izraeli dhe Irani u përfshinë në një luftë 12-ditore. Këto sulme ndodhën vetëm disa ditë para se të ishte planifikuar raundi i gjashtë i bisedimeve indirekte.

Roli i Omanit dhe përpjekjet për ndërmjetësim

Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr bin Hamad Al Busaidi, u takua disa herë veçmas me delegacionet amerikane dhe iraniane gjatë së premtes, duke përcjellë mesazhe midis palëve.

“Ishte e dobishme të qartësoheshin si pozicionet iraniane ashtu edhe ato amerikane dhe të identifikoheshin fushat për përparim të mundshëm”, tha Al Busaidi, duke shtuar se synimi është “të ritakohemi në kohën e duhur”.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Omanit, konsultimet “u përqendruan në krijimin e kushteve të përshtatshme për rifillimin e negociatave diplomatike dhe teknike”.

Presioni ushtarak amerikan në rritje

Bisedimet në Muscat zhvillohen në një moment kur Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton hapur opsione ushtarake kundër Iranit. SHBA-të kanë zhvendosur aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, së bashku me anije luftarake mbështetëse dhe avionë luftarakë, pranë ujërave iraniane.

Njëkohësisht, mbrojtja ajrore në bazat amerikane në të gjithë rajonin është forcuar ndjeshëm, ndërsa forcat amerikane kanë rrëzuar edhe një dron iranian gjatë kësaj jave.

Vijat e kuqe të palëve

Qëndrimet e dy palëve mbeten thellësisht të kundërta. SHBA-të kërkojnë që Irani të heqë dorë plotësisht nga pasurimi i uraniumit, përfshirë edhe nivelin prej 3.67 përqind për përdorim civil, i lejuar sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Kjo marrëveshje u braktis në mënyrë të njëanshme nga Trump në vitin 2018.

Para sulmeve amerikane në qershor, Irani pasuronte uranium deri në 60 përqind, ndërsa objektet kryesore bërthamore u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë nga bombardimet.

Përveç çështjes bërthamore, Uashingtoni kërkon gjithashtu kufizimin e rrezes së veprimit të raketave balistike iraniane dhe ndalimin e mbështetjes ushtarake dhe financiare për grupet e armatosura të lidhura me Teheranin në Irak, Liban, Jemen dhe Siri. Këto kërkesa gëzojnë mbështetje nga disa fuqi evropiane dhe nga qeveria e ekstremit të djathtë në Izrael.

Nga ana tjetër, Teherani ka theksuar vazhdimisht se do të negociojë vetëm për programin bërthamor, me synim heqjen e sanksioneve dhe uljen e tensioneve. Çdo diskutim mbi raketat apo çështje të tjera, sipas autoriteteve iraniane, përbën një “vijë të kuqe”. Araghchi e përsëriti gjithashtu se Irani kërkon fundin e kërcënimeve të luftës nga SHBA-të.

Mesazhe force nga Teherani

Në të njëjtën kohë me bisedimet, komandantët iranianë kanë theksuar se vendi mbetet i përgatitur për një luftë në shkallë rajonale. Të enjten, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) prezantoi një provë të re të një prej raketave balistike më të avancuara të Iranit.

Televizioni shtetëror Press TV raportoi se raketa Khorramshahr-4, e aftë të godasë Izraelin dhe bazat amerikane në rajon, u vendos në një lëshues celular të nxjerrë nga një bazë nëntokësore.

Yadollah Javani, zëvendës politik i IRGC-së, deklaroi se “zbulimi i raketës tregon se, edhe pse jemi ulur në tryezën e negociatave, nuk do të heqim dorë nga fuqia jonë ushtarake”.

Shqetësimi dhe lodhja e shoqërisë iraniane

Zhvillimet po ndiqen nga afër edhe nga qytetarët iranianë, por këtë herë ka më pak shenja optimizmi krahasuar me pesë raundet e mëparshme të negociatave të mbajtura vitin e kaluar, përpara luftës 12-ditore me Izraelin.

Soroush, një banor i Teheranit, i tha Al Jazeera-s se shpreson që negociatat të largojnë hijen e luftës. “Lufta jo vetëm që sjell frikë dhe ankth, por edhe dyfishon presionin ekonomik”, tha ai, ndërsa Irani përballet me një nga normat më të larta të inflacionit në botë.

Por një tjetër banore e kryeqytetit, Maryam, shprehu bindjen se negociatat do të dështojnë dhe “patjetër do të çojnë në luftë”, për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta të palëve.

Pas protestave mbarëkombëtare të muajit të kaluar, gjatë të cilave u vranë mijëra persona, zemërimi dhe zhgënjimi janë të thella. Disa qytetarë, të lodhur nga pasiguria dhe presioni i vazhdueshëm, shprehen se madje po e mirëpresin një përshkallëzim ushtarak.

“Lufta nuk është një gjë e mirë, por kushtet në të cilat po jetojmë tani janë, në shumë mënyra, më të rënda se vetë lufta”, tha Amiri nga Teherani. “Nuk mendoj se me luftë do të ndodhë diçka më e keqe se ajo që ekziston tashmë”.

Qeveria iraniane thotë se 3,117 persona u vranë gjatë protestave dhe fajëson “terroristët” dhe “rebelët”, duke mohuar përgjegjësinë e forcave shtetërore. Megjithatë, publikimi i fundit i një liste zyrtare të viktimave ka ngritur më shumë pikëpyetje.

Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë dokumentuar përdorimin e gjerë të forcës vdekjeprurëse nga autoritetet, si dhe sulme ndaj spitaleve dhe stafit mjekësor. Sipas tyre, numri real i viktimave ka gjasa të jetë shumë më i lartë se shifrat zyrtare.

The Geo Post

Tags: Irani SHBA

Continue Reading

Previous: Rektori i Universitetit të Beogradit kritikon ashpër regjimin e Vuçiqit: Asnjë qeveri s’ka qenë kaq armiqësore
Next: SHBA-ja paralajmëron për kërcënime ruse dhe kineze në hapësirë

BE-ja goditje buxhetore ndaj Serbisë 7 min read
  • News

BE-ja goditje buxhetore ndaj Serbisë

The Geopost April 22, 2026
Zyrtari i lartë rus në Banjallukë, Dodik shprehet hapur kundër sanksioneve ndaj Rusisë 3 min read
  • News

Zyrtari i lartë rus në Banjallukë, Dodik shprehet hapur kundër sanksioneve ndaj Rusisë

The Geopost April 22, 2026
Ukraina ka një shans për t’u “bashkuar” me BE-në në vitin 2027 7 min read
  • News

Ukraina ka një shans për t’u “bashkuar” me BE-në në vitin 2027

The Geopost April 22, 2026
Si po e shndërrojnë zyrtarët e lartë serbë Asociacionin në armë politike 2 min read
  • News

Si po e shndërrojnë zyrtarët e lartë serbë Asociacionin në armë politike

The Geopost April 22, 2026
FT: Ekonomia ruse përballet me katastrofë financiare, Moska po manipulon statistikat ekonomike 2 min read
  • Botë
  • News

FT: Ekonomia ruse përballet me katastrofë financiare, Moska po manipulon statistikat ekonomike

The Geopost April 21, 2026
Zgjedhjet në Bullgari: A po afrohet një tjetër lider me Moskën në Ballkan? 3 min read
  • News

Zgjedhjet në Bullgari: A po afrohet një tjetër lider me Moskën në Ballkan?

The Geopost April 20, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.