Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë
  • News

BE-ja shënjestron kampin në Korenë e Veriut ku Rusia i dërgon fëmijët e rrëmbyer ukrainas

The Geopost September 6, 2026 3 min read
Share the news

Rusia ka dërguar fëmijë të rrëmbyer ukrainas në një kamp veror në Korenë e Veriut, sipas një dokumenti të Bashkimit Evropian të cilin e ka parë REL, ku përshkruhet rundi i ri i planifikuar i sanksioneve.

Dokumenti liston personat dhe entitetet që do të përfshihen në sanksionet e reja të BE-së ndaj Rusisë, të cilat pritet të miratohen javën e ardhshme.

Personat e propozuar për sanksionim janë kryesisht zyrtarë të lartë në territoret e pushtuara nga Rusia në Krime dhe Donbas, por ndoshta emri më i spikatur në listë është Kampi Ndërkombëtar i Fëmijëve Songdovon, i cili drejtohet nga autoritetet e Koresë së Veriut.

Në dokument thuhet se ky kamp “merr pjesë në programe të organizuara që përfshijnë transferimin e fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës në Korenë e Veriut”.

Transferimet koordinohen nga zyrtarë rusë dhe, ndonëse supozohet se bëhet fjalë për “shkëmbim kulturor”, në dokument thuhet se ai “shërben për një funksion më të gjerë propagandistik: fëmijët ukrainas ekspozohen ndaj narrativëve të përzgjedhur prorusë”.

Me fjalë të tjera, shtohet në dokument, kampi “është i përfshirë drejtpërdrejt në transferimin e paligjshëm, indoktrinimin ideologjik dhe militarizimin e fëmijëve ukrainas në bashkëpunim me Federatën Ruse”.

Kampi gjendet në bregun lindor të Koresë së Veriut, në Detin e Japonisë, rreth 95 kilometra nga kufiri me Korenë e Jugut.

Uri Tours, një kompani në Korenë e Veriut që promovon kampin, thotë se ai është më i madhi në vend dhe është hapur në vitin 1960 për “promovimin e miqësisë ndërkombëtare”.

Kampi ishte sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar në maj, për “ofrimin e mbështetjes për programin e Qeverisë së Rusisë për dëbimin me forcë dhe riedukimin e fëmijëve ukrainas”.

Koreja e Veriut u përgjigj duke tërhequr ambasadorin e saj nga Londra dhe duke ulur nivelin e raporteve diplomatike.

Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) ka lëshuar një fletarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin, për “dëbimin e paligjshëm… të fëmijëve ukrainas”.

Përfshirja e Koresë së Veriut në fushatën e Rusisë për rrëmbimin e fëmijëve duket se e rrit më shumë rolin e saj në luftë.

Koreja e Veriut dërgoi rreth 12.000 trupa për të luftuar përkrah forcave ruse në vitin 2024, pas inkursionit të Ukrainës në rajonin e Kurskut. Inteligjenca e Koresë së Jugut ka raportuar se rreth 2.000 trupa të Phenianit janë vrarë në luftime.

Së fundi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi se në Rusi do të dërgoheshin më shumë trupa të Koresë së Veriut, të cilat mund të përdoren për operimin e raketave balistike, të prodhuara nga Pheniani, në sulmet ndaj Ukrainës.

Entitetet e tjera të renditura në listën e sanksioneve të BE-së janë të ashtuquajturat “kampe verore” në Rusi ose në rajonet e pushtuara të Ukrainës.

Sipas bllokut evropian, fëmijët e dërguar atje ekspozohen ndaj programeve që nxisin “besnikërinë ndaj Rusisë, identitetin kombëtar rus, përvetësimin e vlerave kombëtare ruse, tema të historisë ushtarake dhe pjesëmarrjen në aktivitete të lidhura me organizatat ushtarako-patriotike”.

Në dokument thuhet po ashtu se këto lloj dëbimesh “përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe shkelje të të drejtave themelore të fëmijës, që kanë për synim fshirjen e identitetit ukrainas dhe cenimin e ruajtjes së identitetit të brezave të ardhshëm”./REL

Tags: Bashkimi Evropian Korea e Veriut Rusia Ukraina

Continue Reading

Previous: Zelensky takon të dërguarit e Trumpit në Kiev, përpjekje e re amerikane për t’i dhënë fund luftës
Next: Gjermania përgatit “mburojën mbrojtëse” kundër sabotimeve, Berlinin e shqetësojnë sulmet hibride

Rubio: Askush nuk po e fiton luftën në Ukrainë, SHBA-ja do të vazhdojë përpjekjet për paqe 4 min read
  • Botë

Rubio: Askush nuk po e fiton luftën në Ukrainë, SHBA-ja do të vazhdojë përpjekjet për paqe

The Geopost October 20, 2026
Lavrov në Teheran mes pyetjeve nëse Moska po e ndihmon Iranin në luftë me SHBA-në 5 min read
  • Botë

Lavrov në Teheran mes pyetjeve nëse Moska po e ndihmon Iranin në luftë me SHBA-në

The Geopost October 20, 2026
Suedia do të mbajë sistemet Patriot në Poloni në vitin 2027 – Plane të reja mbrojtëse të NATO-s 3 min read
  • Botë
  • Siguri

Suedia do të mbajë sistemet Patriot në Poloni në vitin 2027 – Plane të reja mbrojtëse të NATO-s

The Geopost October 19, 2026
Makthi i Putinit: Riorganizimi i ardhshëm i Kongresit 6 min read
  • Analiza
  • Botë

Makthi i Putinit: Riorganizimi i ardhshëm i Kongresit

The Geopost October 19, 2026
Irani i kërkon SHBA-së ta pranojë propozimin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit 2 min read
  • Botë

Irani i kërkon SHBA-së ta pranojë propozimin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

The Geopost October 19, 2026
Aeroplanë luftarakë të NATO-s u ngritën me urgjencë pasi një objekt fluturues i paidentifikuar hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë 2 min read
  • Botë
  • News

Aeroplanë luftarakë të NATO-s u ngritën me urgjencë pasi një objekt fluturues i paidentifikuar hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë

The Geopost October 18, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.