Më 6 qershor, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dënoi Rusinë për dështimin në hetimin e duhur të helmimit të liderit të opozitës Alexei Navalny në vitin 2020, për të cilin Perëndimi thotë se ishte një tentativë për vrasje.
Kjo gjykatë me seli në Strasburg, Francë tha se Rusia me sa duket kishte “dështuar të hetojë pretendimet për një motiv të mundshëm politik për atentatin, si dhe përfshirjen e mundshme të agjentëve shtetërorë”, dhe njëzëri arriti në përfundimin se Rusia kishte shkelur Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Në deklaratën e publikuar thuhej se Rusia kishte refuzuar të nisë procedimin penal për helmimin që e futi Navalny në koma.
Aktivisti i opozitës kundër korrupsionit, të cilin mbështetësit e tij e shohin si një rival të mundshëm politik të presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur gjatë një fluturimi nga Siberia.
Ai u evakuua më vonë në Gjermani, ku u shërua, por u arrestua menjëherë pas kthimit të tij në Moskë dhe që atëherë ka qenë në burg.
Gjykata zbuloi se testet e kryera nga qeveria gjermane kishin zbuluar “prova të qarta” të pranisë së helmit kimik Novichok në trupin e Navalny.
Gjykata deklaroi gjithashtu se hetimi rus për rastin nuk ishte i hapur dhe se Navalny nuk lejohej të bashkëpunonte.
Hetimi “nuk ka çuar në verifikimin e fakteve përkatëse, si dhe në identifikimin dhe nëse është e nevojshme dënimin e personave përgjegjës”, tha gjykata.
“Prandaj, (hetimi) nuk mund të konsiderohet adekuat”, përfundoi gjykata.
Rusia u urdhërua t’i paguante Navalny 40,000 euro dëmshpërblim.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është pjesë e organit pan-evropian për të drejtat e njeriut, Këshilli i Evropës, nga i cili Rusia u përjashtua pas pushtimit të Ukrainës vitin e kaluar.
Megjithatë, gjykata raportoi se ka ende një numër të madh lëndëve të parashtruara nga shtetas rusë përpara dëbimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës dhe tha se do të vazhdojë të hetojë dhe të vendosë për këto raste.
Kjo gjykatë thotë se Rusia është ligjërisht e detyruar të zbatojë vendimet e GJEDNJ në lidhje me rastete ngritura para 16 shtatorit 2022./RSE/

Sputnik përhap dezninformata për Bondstillin, thotë se Serbia, Rusia dhe Kina duhet të japin pëlqimin
Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Retorikë nacionaliste, pak zgjidhje konkrete
Mali i Zi dëbon drejtuesin e rrjetit rus ‘Ribar’ dhe bashkëpunëtorët e tij, ambasadori i përcjell drejt Beogradit
Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it, Franca dhe Gjermania të kujdesshme ndaj Moskës
Zaharova flet për ndërhyrje të huaja, ndërsa dokumentet dëshmojnë ndikimin rus në zgjedhjet në Ballkan
Goditje ndaj rrjetit hibrid rus “Rybar”: Në Mal të Zi arrestohen Mihail dhe Valeria Zvinçuk