Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Zelensky: Përparim ushtarak në bisedimet me Rusinë, ngërç në aspektin politik

The Geopost February 19, 2026 4 min read
Share the news

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se bisedimet dyditore me Rusinë, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, prodhuan rezultate të përziera, duke theksuar se është arritur përparim në aspektet ushtarake, por “çështje të brendshme” vazhdojnë të jenë të pazgjidhura sa i përket aspektit politik.

Ndaras, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se është “shumë herët” të jepet një vlerësim për rezultatet e bisedimeve që u mbajtën në Gjenevë të Zvicrës. Ende nuk ka ndonjë reagim nga zyrtarët amerikanë.

Duke folur me gazetarët në një takim online të organizuar nga Presidenca, Zelensky tha se “të tri palët ishin konstruktive sa i përket aspektit ushtarak” të bisedimeve.

“Ushtria e kupton se si të monitorojë një armëpushim dhe përfundimin e luftës, nëse ka vullnet politik. Ata në thelb janë pajtuar për pothuajse gjithçka në këtë aspekt. Monitorimi patjetër do të përfshijë palën amerikane”, tha ai.

“Sa i përket aspektit politik, ka pasur dialog – janë pajtuar që të ecet përpara dhe të vazhdohet. Nuk kam dëgjuar për të njëjtin nivel përparimi si në aspektin ushtarak. Por… grupi im më tha se nuk mund të më raportojë gjithçka në telefon”, shtoi Zelensky.

Dita e dytë e bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës përfundoi pas pothuajse dy orësh.

Një ditë më parë, i dërguari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet në Gjenevë, Steve Wikoff, deklaroi e kishte “përparim domethënës”.

Witkoff tha përmes një postimi në X se “të dyja palët u pajtuan të informojnë udhëheqësit e tyre dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një marrëveshjeje”.

Bisedimet më 17-18 shkurt në Gjenevë – rundi i tretë i bisedimeve trepalëshe të mbajtura në muajin e fundit – janë përqendruar në dy pengesa kyç për ndaljen e luftës: pretendimet territoriale dhe garancitë e sigurisë.

Takimet në Gjenevë vijnë një javë para përvjetorit të katërt të luftës të Rusisë kundër Ukrainës, një konflikt që ka vrarë ose plagosur rreth 2 milionë njerëz në të dyja palët.

Përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për zgjidhjen e konfliktit kanë avancuar që nga përpjekjet e para në muajt e parë të luftës, që nisi më 24 shkurt 2022. Megjithatë, Rusia ka treguar pak gatishmëri për t’u tërhequr nga kërkesat e saj, të cilat përfshijnë edhe që Kievi të heqë dorë nga territore që ende i kontrollon në rajonin lindor të Donbasit.

Ndërkaq, Ukraina i ka bërë presion Uashingtonit dhe aleatëve evropianë për garanci të forta sigurie, që do ta ndihmonin atë mbronte veten nga ndonjë agresion i mundshëm rus në të ardhmen.

Para nisjes së bisedimeve, Rusia kreu një valë të re sulmesh me dronë dhe raketa. Presidenti Zelensky, këmbënguli se veprimet e Rusisë nuk duhet të anashkalohen në Gjenevë. Negociatorët e Ukrainës “duhet patjetër të bëjnë pyetje për këto sulme ajrore – pyetje kryesisht ndaj palës amerikane, e cila na sugjeroi si neve ashtu edhe Rusisë të përmbaheshim nga sulmet”, tha ai në adresimin e përditshëm në rrjetet sociale një ditë më parë.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia i kanë përshkruar rundet e mëparshme të bisedimeve, të përqendruara në çështje të sigurisë, si pozitive.

Megjithatë, delegacioni rus që mori pjesë në bisedimet e reja përfshin Vladimir Medinskyn, një historian revizionist dhe ish-ministër i Kulturës, pikëpamjet e të cilit Ukraina i ka cilësuar si “pseudo-historike”.

Para bisedimeve, kreu i delegacionit ukrainas, Kyrylo Budanov, duket se e ironizoi Medinskyn, duke thënë: “Ne do t’i diskutojmë mësimet e historisë sonë me kolegët tanë dhe do të kërkojmë që të arrijmë në konkluzionet e duhura”.

Dy personat e ngarkuar me udhëheqjen e përpjekjeve amerikane janë i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Në prag të bisedimeve, Trump, i cili është shprehur i zhgënjyer nga pamundësia që ta zgjidhë konfliktin, duket se ushtroi presion ndaj udhëheqësit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Kemi bisedime të mëdha. Do të jetë shumë e lehtë”, u tha ai gazetarëve. “Ukraina bën mirë të vijë shpejt në tryezë. Kaq po ju them”.

Si në fushëbetejë ashtu edhe në negociata, Rusia duket se beson se ka epërsinë. Teksa forcat ruse kanë avancuar me ritëm shumë të ngadalshëm përgjatë vijës së frontit, Moska ka shkatërruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Miliona njerëz janë përballur me vështirësi gjatë dimrit të acartë, duke mbetur pa ngrohje apo energji elektrike.

Tags: Rusia Ukraina

Continue Reading

Previous: Zelensky: Ukraina është e gatshme për paqe, por Rusia sulmoi gjatë bisedimeve në Gjenevë
Next: Tensionet SHBA–Iran: A mund të ketë konflikt?

Dy fytyrat e Vuçiqit në Kiev: Serbia e vetmja që refuzoi të nënshkruajë deklaratën për Ukrainën 2 min read
  • Botë

Dy fytyrat e Vuçiqit në Kiev: Serbia e vetmja që refuzoi të nënshkruajë deklaratën për Ukrainën

The Geopost July 16, 2026
SHBA kryen valë të re sulmesh ndaj Iranit, publikon pamje nga operacioni 90-minutësh 1 min read
  • Botë

SHBA kryen valë të re sulmesh ndaj Iranit, publikon pamje nga operacioni 90-minutësh

The Geopost July 16, 2026
Ukraina godet 17 nga 20 anijet e flotës ruse në ‘hije’ në Detin e Zi 1 min read
  • Botë
  • Lajme

Ukraina godet 17 nga 20 anijet e flotës ruse në ‘hije’ në Detin e Zi

The Geopost July 15, 2026
Franca dhe Ukraina dakordohen për blerjen e 16 avionëve luftarakë Rafale dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Kievit 2 min read
  • Botë

Franca dhe Ukraina dakordohen për blerjen e 16 avionëve luftarakë Rafale dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Kievit

The Geopost July 15, 2026
Zgjerimi i BE-së: Shqipëria dhe Mali i Zi përparojnë në negociatat e anëtarësimit, Serbia ngec edhe më tej 4 min read
  • Botë
  • Lajme

Zgjerimi i BE-së: Shqipëria dhe Mali i Zi përparojnë në negociatat e anëtarësimit, Serbia ngec edhe më tej

The Geopost July 14, 2026
Doli kundër luftës në Ukrainë, politikani rus e pëson, arrestohet nga autoritetet 3 min read
  • Botë

Doli kundër luftës në Ukrainë, politikani rus e pëson, arrestohet nga autoritetet

The Geopost July 14, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.