Shumica e qytetarëve në Gjermani janë të gatshëm të shohin një angazhim më të madh të Perëndimit në mbështetje të Ukrainës, teksa ky shtet vazhdon të përballet me pushtimin e plotë rus, tregojnë të dhënat e një sondazhi të fundit.
Sipas sondazhit të realizuar nga instituti INSA, rreth 52 për qind e të anketuarve janë shprehur se Perëndimi duhet t’i ofrojë më shumë ndihmë Ukrainës në rast se Rusia nuk tregon gatishmëri për të rënë dakord për një armëpushim dhe për të hyrë në negociata paqeje. Këto rezultate janë publikuar nga media gjermane Bild, përcjell Telegrafi.
Nga ky grup, 28 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se mbështetja për Ukrainën duhet të përfshijë një kombinim të ndihmës ushtarake dhe asaj financiare.
Një tjetër 12 për qind janë shprehur se ndihma duhet të vijë ose në formë financiare, ose në formë furnizimi me armë, duke treguar një mbështetje të qartë për vazhdimin e angazhimit të Gjermanisë dhe aleatëve të saj në konflikt.
Në anën tjetër, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve shprehen kundër vazhdimit të mbështetjes.
Sipas sondazhit, 35 për qind e të anketuarve mendojnë se Gjermania duhet të ndalojë ndihmën për Ukrainën, ndërsa 13 për qind nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë lidhur me këtë çështje.
Sondazhi i INSA, i porositur nga gazeta Bild dhe i publikuar gjatë fundjavës, hedh dritë edhe mbi shqetësimet e gjermanëve për sigurinë në Evropë.
Sipas rezultateve, frika nga një përshkallëzim më i gjerë i konfliktit mbetet e pranishme, me 54 për qind të të anketuarve që shprehen të shqetësuar se Rusia mund të sulmojë një vend anëtar të NATO-s, si Polonia ose Lituania.
Megjithatë, ky nivel shqetësimi është në rënie krahasuar me muajt e kaluar.
Bild raporton se kjo shifër është rreth tetë pikë përqindjeje më e ulët krahasuar me një sondazh të ngjashëm të realizuar në shtatorin e vitit të kaluar, çka sugjeron një zbutje të frikës në opinionin publik gjerman, pavarësisht vazhdimit të luftës në Ukrainë.

Propaganda ruse po përkeqësohet ndërsa lufta vazhdon
Edhe një problem për Putinin, rafineria në Siberi ndalon punën pas sulmit ajror ukrainas
Senati amerikan avancon me projektligjin për sanksione të reja ndaj Rusisë
Si i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë: Nga ofertat joshëse deri te mashtrimi
Arrestohet një kineze në selinë e NATO-s në Belgjikë, dyshohet për spiunazh
Rumania rrëzon dronin e tretë, akuzon Rusinë për shkeljen e hapësirës ajrore