Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të destabilizojë Evropën përmes veprimeve të qëllimshme që synojnë shoqëritë demokratike të kontinentit.
Në një deklaratë të publikuar të martën dhe të cituar nga “The Guardian”, von der Leyen tha se situata në shtetet baltike tregon një realitet të ri të sigurisë në Evropë, duke theksuar se këto vende po përballen me presione të ngjashme me skenarë lufte hibride.
“Kur shtetet baltike po vihen në provë, po vihet në provë e gjithë Evropa”, ka deklaruar ajo.
Ajo shtoi se Estonia, Letonia dhe Lituania kanë përjetuar zhvillime që shumëkush më parë i konsideronte si pjesë të së kaluarës, duke përmendur alarme për sulme ajrore, strehim të qytetarëve, mbyllje shkollash dhe ndërprerje të transportit.
“Ky është realiteti në kufirin lindor të Evropës në vitin 2026. Sot është këtu, nesër mund të jetë diku tjetër përgjatë kufirit lindor”, u shpreh ajo.
Sipas von der Leyen, këto nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një strategjie të mirëmenduar nga Rusia për të minuar stabilitetin e vendeve evropiane.
“Kjo është një strategji e qëllimshme nga Rusia që përpiqet të destabilizojë shoqëritë tona demokratike”, theksoi ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi se Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet të plotë me shtetet baltike dhe se siguria e tyre është e lidhur ngushtë me sigurinë e gjithë kontinentit.
“Evropa qëndron në solidaritet dhe unitet të plotë me Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, sepse kur shtetet baltike vihen në provë, vihet në provë e gjithë Evropa”, shtoi ajo.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se BE po rrit investimet në gatishmërinë mbrojtëse dhe projektet e sigurisë, ndërsa NATO po forcon krahun lindor të Aleancës përmes shtimit të trupave dhe kapaciteteve mbrojtëse.
The GeoPost

Kallas: Rusia nuk do ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet, Evropa do të vazhdojë ta mbështesë Kievin
Dimri i egër në horizont: Ukrainasit përgatiten për më të keqen mes përshkallëzimit të fushatës ajrore ruse
Rutte kërkon më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën: Aleatët duhet të forcojnë mbrojtjen ajrore
Si i prishën sulmet e Ukrainës në qendrat e të dhënave taksitë, blerjet dhe bizneset në Rusi
BE-ja po punon në shumë fronte për të kufizuar hyrjen ruse në shtetet anëtare
Reuters zbardh synimet e Putinit para se të pranojë negociatat e paqes me Ukrainën