Një grup ekspertësh të mbrojtjes dhe sigurisë, të mbledhur muajin e kaluar në Whitehall – selinë e qeverisë britanike – kanë dhënë një vlerësim shqetësues: Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj evropianë nuk janë të përgatitur për një luftë të mundshme që mund të shpërthejë brenda disa viteve.
Konferenca u organizua nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), një nga qendrat më prestigjioze të studimeve të sigurisë me seli në Londër.
Të pranishëm ishin anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të forcave të armatosura, zyrtarë qeveritarë dhe të NATO-s, studiues dhe përfaqësues të industrisë së mbrojtjes.
Sipas tyre, vlerësimet e inteligjencës tregojnë se Rusia po përgatitet seriozisht për mundësinë e një konflikti të drejtpërdrejtë me Evropën.
Ekspertët theksojnë se parandalimi i luftës është i mundur vetëm nëse Evropa bind Moskën se do të ishte në gjendje ta fitonte një konflikt të tillë.
Lufta hibride tashmë ka nisur
Ekziston një konsensus në rritje se Rusia tashmë po zhvillon një luftë hibride kundër Perëndimit, përmes sabotimeve, sulmeve kibernetike, fushatave të dezinformimit dhe ndërhyrjeve në hapësirën ajrore të NATO-s. Ekspertët përmendin bllokimin e GPS-it në rajonin e Baltikut, dronët pranë aeroporteve dhe sulmet ndaj infrastrukturës kritike në disa vende evropiane – veprime që janë lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës, edhe pse Moska i mohon vazhdimisht, raporton CNN.
“Shoqëritë evropiane po fillojnë ta ndiejnë frikën, por qeveritë ende hezitojnë ta pranojnë hapur se kjo është luftë hibride”, tha Sam Greene, profesor i politikës ruse në King’s College London.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se Rusia mund të jetë e gatshme të përdorë forcën ushtarake kundër aleancës brenda pesë vjetësh. Një paralajmërim të ngjashëm ka dhënë edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, duke theksuar se inteligjenca gjermane vlerëson se deri në vitin 2029, Moska e mban të hapur opsionin e luftës kundër NATO-s.
Ndërkohë, vendet baltike janë edhe më alarmante: sipas vlerësimeve të tyre, një sulm rus mund të ndodhë brenda tre vjetësh. Studime të Qendrës Belfer në Universitetin e Harvardit përmendin vitet 2027–2028 si skenarë të përsëritur në parashikimet e ekspertëve.
NATO ka hartuar plane emergjente për mbrojtjen e vendeve baltike, por ekspertët paralajmërojnë se këto plane nuk mbështeten në kapacitete reale.
“Ekziston një plan në letër, por qeveritë nuk po ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta zbatuar. Ne po planifikojmë mbi baza që nuk ekzistojnë”, tha Jack Watling, studiues i lartë në RUSI.
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, një rishikim strategjik i mbrojtjes ka identifikuar nevojën për forcimin e ushtrisë, rezervave, mbrojtjes civile, infrastrukturës dhe industrisë. Megjithatë, sipas gjeneralit Richard Barrons, me ritmin aktual, Britanisë do t’i duheshin rreth 10 vjet për t’u përgatitur për luftë, ndërkohë që kërcënimi mund të materializohet brenda 3–5 vjetësh.
“Dividendi i paqes” po merr fund
Pas vitit 1945, Evropa ka përjetuar dekada paqeje relative, duke ulur shpenzimet për mbrojtje dhe duke investuar më shumë në mirëqenie sociale. Kjo strategji u mbështet edhe në rolin dominues të SHBA-së si garantues i sigurisë evropiane.
Por pushtimi rus i Ukrainës dhe qëndrimi gjithnjë e më skeptik i SHBA-së ndaj angazhimeve të saj në Evropë kanë ndryshuar rrënjësisht realitetin. Sot, 31 nga 32 vendet e NATO-s pritet të përmbushin objektivin prej 2% të PBB-së për mbrojtje, nga vetëm gjashtë vende në vitin 2021.
Megjithatë, rritja e objektivit në 5% të PBB-së deri në vitin 2035 po shihet me skepticizëm, për shkak të presioneve ekonomike dhe mungesës së vullnetit politik për t’ua shpjeguar qytetarëve nevojën për sakrifica.
Sondazhet e Eurobarometrit tregojnë se 78% e evropianëve janë të shqetësuar për sigurinë e BE-së në pesë vitet e ardhshme. Megjithatë, gatishmëria për të pranuar masa konkrete ndryshon nga vendi në vend.
Në Evropën Lindore dhe në shtetet baltike, kërcënimi perceptohet si i drejtpërdrejtë, ndërsa vendet nordike kanë rikthyer konceptin e “mbrojtjes totale”, ku çdo qytetar dhe institucion ka rol në rast lufte.
Ekspertët theksojnë se besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore është kyç për gatishmërinë për sakrifica.
“Nëse njerëzit besojnë se shteti punon për ta, ata janë më të gatshëm të japin diçka mbrapsht”, theksojnë analistët.
Në përfundim, mesazhi i ekspertëve është i qartë: Evropa nuk mund ta përballojë më luksin e neglizhencës ndaj mbrojtjes. Koha për paralajmërime ka kaluar – tani kërkohet veprim konkret. /TheGeoPost.

Militarizimi i fëmijëve në territoret e pushtuara: Si shndërrohen në mjete lufte për Rusinë
NATO planifikon 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën
SHBA rikthen sanksionet ndaj naftës ruse, paralajmëron masa të reja edhe kundër Iranit
Ukraina dhe Gjermania bien dakord për paketën mbrojtëse prej 4 miliardë eurosh, përfshirë raketat Patriot dhe prodhimin e dronëve
Kriza në Ngushticën e Hormuzit godet industrinë kineze, rriten kostot dhe pasiguria
Raporti i inteligjencës amerikane: Rusia mbetet kërcënimi kryesor global